top of page
Writer's pictureAACL

ALB - Why Kosova Can't Wait

Përse Kosova Nuk Mund Të Presë Më?


Vizion

Pikëpamja e paraqitur nga disa zyrtarë perëndimorë gjatë disa javëve të fundit, sipas të cilës shtyrja e statusit final të Kosovës do të parandalojë në njëfarë mënyre fitoren e partive të kriminelëve të luftës, fitoren e partive të Millosheviqit dhe të Sheshelit në zgjedhjet e dhjetorit, s’është veçse një pikëpamje naive. Radikalët dhe socialistët mbajnë që tani 40 për qind të ulëseve të parlamentit serb, ndërsa sondazhet në shumë rajone të serbisë i nxjerrin ata në avantazh për 5 për qind ndaj rivalëve.


Shkruajnë: Shirley Cloyes DioGuardi dhe Hon. Joseph J. DioGuardi


Ossining, Nju-Jork, 28 tetor


Në Kosovë papunësia është 70 %, kur 70% e popullësisë është nën moshën 30 vjeçare


Debatet e bëra kohëve të fundit nga zyrtarë të ndryshëm perëndimorë për shtyrjen e vendimit të Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës janë thellësisht shqetësuese. Dy milionë shqiptarët e Kosovës nuk mund të presin edhe më tutje për të parë të realizuar të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe liri.


Ata po presin me durim që nga qershori vitit 1999, kur goditjet e NATO-s nga ajri i dhanë fund luftës genocidale të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq. Mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës Tani si mënyrën e vetme për t’i sjellë Ballkanit stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme.


Ka mbi shtatë vjet që progresi politik, shoqëror dhe ekonomik i Kosovës po vazhdon të mbehet peng pikërisht nëpërmjet mungesës së statusit final.


Shqiptarët e Kosovës, shumica dërrmuese e të cilëve janë properëndimorë dhe prodemokratikë janë edhe njerëz me inisiativë të lartë dhe punëtorë të zellshëm.


Megjithatë, ata janë shndërruar në njerëz që kanë nevojë për lëmoshë. Shkalla e papunësisë në Kosovë është rreth 70 për qind dhe për më tepër kjo shkallë bëhet edhe më e ndjeshme kur dihet se po ashtu rreth 70 për qind e popullsisë së saj është e moshës nën 30 vjeç.


Jetën e pakicës serbe në Kosovë po ua vjedh për çdo ditë Beogradi


Për shkak të mungesës së statusit final dhe shqetësimeve që komuniteti ndërkombëtar po shfaq për Serbinë, procesi i privatizimit dhe akcesi në Bankën Botërore, dy procese që do të sillnin vende pune dhe investime në Kosovë, janë të bllokuara në vazhdimësi. Gjendja jo vetëm e shqiptarëve, të cilët përbëjnë deri në 92 për qind të popullsisë së Kosovës, por edhe e komuniteteve të tjera minoritare, siç janë serbët, turqit, romët dhe ashkalitë, po bëhet gjtihnjë e më e pashpresë për shkak të pakësimit gjithnjë e më të madh të donatorëve nga jashtë dhe për shkak të rënies së nivelit të ndihmës nga diaspora shqiptare.


Me afrimin e dimrit, gjendja e tyre do të rendohet edhe më shumë, për shkak se do të gjenden përballë mungesës së rrymës dhe vështirësive të tjera tipike që do të ndikojnë në përkeqësimin e mëtejmë të kushteve të jetesës së tyre.


Edhe serbëve të Kosovës, që përbëjnë diç më pak se 5 për qind të popullsisë së Kosovës, nuk u konvenon të presin ende për statusin final të Kosovës. Jetën e tyre po ua vjedh për çdo ditë Beogradi, i cili po i bllokon të gjitha përpjekjet e serbëve të Kosovës për t’u integruar në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës.


Ky realitet ndikon po ashtu edhe në zgjatjen e vuajtjeve për qytetarët e Serbisë, për arsye se për aq kohë sa Beogradit i mundësohet t’i shfrytëzojë serbët e Kosovës si peng apo figura shahu që mund t’i lëvizë ngado që i shkon për shtati pa çarë kokën për ta, Serbia do të vazhdojë të ngelet në bisht të çmontimit të sistemit të korruptuar ksenofobik të cilin e krijoi Millosheviqi me qëllim që t’i bënte të katër luftërat e tij të viteve të nëntëdhjeta. Kjo e vërtetë e madhe e ka katandisur Serbinë buzë greminës ekonomike dhe politike.


Të shtysh vendimin deri pas zgjedhjeve të Serbisë nuk do t’i inkurajojë liderët e Beogradit t’i dorëzojnë pranë Gjykatës së Hagës Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq

Pkëpamja e paraqitur nga disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë gjatë disa javëve të fundit, sipas të cilës shtyrja e statusit final të Kosovës do të parandalojë në njëfarë mënyre fitoren e partive të kriminelëve të luftës, fitoren e partive të Millosheviqit dhe të Sheshelit në zgjedhjet e dhjetorit, s’është veçse një pikëpamje thjesht naive. Radikalët dhe socialistët mbajnë që tani 40 për qind të ulëseve të parlamentit serb, ndërsa sondazhet rajonale i nxjerrin ata në avantazh për 5 për qind ndaj rivalëve. Mesazhi i tyre është se “ nuk do ta shesin Kosovën kurrë”. Të shtysh vendimin deri pas zgjedhjeve të Serbisë është gjëja më naive, sepse shtyrja nuk do ta ndryshojë rezultatin politik dhe as do t’i inkurajojë liderët e Beogradit t’i dorëzojnë pranë Gjykatës së Hagës komandantët e tyre të luftës në Bosnjë, Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq.


E vetmja gjë dihet me siguri se shtyrja e vendimit për statusin final është vështirësimi i mëtejmë i shërimit të plagëve të shqiptarëve të Kosovës nga lufta dhe okupimi serb, një luftë që ka marrë, të paktën, 12 mijë jetë njerëzish dhe që ka lënë pas edhe shumë të dhunuar, të torturuar dhe të sakatuar në mënyra të ndryshme, pa përmendur këtu edhe dëbimin nga trojet dhe shtëpitë e tyre të mbi një milion shqiptarëve.


Më 19 tetor, Marti Ahtisari, i dërguari i Kombeve të Bashkuara që po ndërmjetëson bisedimet për statusin final, njoftoi se “2006-ta është ende afati që synoj ta realizoj unë”. Kjo deklaratë zhdavarisi disi sugjerimet e bëra më parë nga Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Havier Solana dhe nga disa zyrtarë të tjerë, se vendimi për statusin mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve në Serbi.


Por, Ahtisari nuk është vendimmarrësi i vetëm, dhe mund të thuhet se pavarësisht në do realizohet apo jo shtyrja e përfolur, debati për të ka shkaktuar që tani dëme të konsiderueshëme.


BE nuk mund ta zgjidhë konfliktin e Ballkanit, prandaj janë SHBA ato që duhet të prijnë dhe duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës


Ndër të tjera, ky debat ka ndikuar që Beogradi të inkurajohet të besojë se ka pushtet mbi vendimmarrjen për statusin final dhe shqiptarët e Kosovës, pakënaqësia e të cilëve me qeverinë e tyre po rritet nga dita në ditë, kanë filluar që shumë seriozisht ta vejnë në pikëpyetje besimin e tyre historik dhe shumë të fuqishëm në Perëndimin, veçanërisht besimin që kanë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe në qoftë se vazhdon erozioni i besimit gjërat do të shkonin drejt përkeqësimit të mëtejmë.


Këtu e tutje nuk del problem vetëm pritja pak më e gjatë për vendimin final, por pasiguria për rezultatin me të cilin do të përmbyllet kjo pritje. Pavarësia e Kosovës është thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qendrueshme në Evropën Juglindore dhe ky është synimi dhe kërkesa e shqiptarëve të Kosovës, të cilët për herë të parë votuan me shumicën dërrmuese pro pavarësisë së Kosovës në referendumin e vitit 1991 që u mbajt gjatë kohës kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia.


Bashkimi Evropian, që njihet për interesat e ndryshme, shpeshherë konfliktuale të vendeve të tij anëtare, nuk mund ta zgjidhë konfliktin e Ballkanit, prandaj janë Shtetet e Bashkuara ato që duhet të prijnë dhe duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.


Kjo gjë do t’i lirojë shqiptarët nga frika për kthim të sërishëm nën tutelën serbe dhe do t’i mundësojë Kosovës të ndërtojë një demokraci të mirëfilltë. Veç kësaj, pavarësia do t’u mundësojë serbëve që duan të jetojnë në Kosovë e që nuk kanë gisht në mizoritë e viteve 1998-1999, të jetojnë atje pa problem dhe do ta ndihmojë Serbinë të ndahet nga e kaluarta e saj raciste dhe imperialiste. Veç kësaj, pavarësia do ta kursejë Perëndimin nga një dështim eventual, i cili aktualisht i duhet më së paku në mos aspak, aq më shumë tani kur gjendet përball luftërave në Afganistan dhe Irak dhe përballë kërcënimit nuklear të Koresë së Veriut.


(Përktehu: M. Bazhdaraj Përg.për botim E.Buçpapaj)

Recent Posts

See All

Kommentare


bottom of page