Shtetet e Bashkuara do të mbeten miku i Kosovës pavarësisht nga Presidenti Donald Trump
nga Shirley Cloyes DioGuardi
Më 14 shkurt të vitit të kaluar, unë si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kam botuar tekstin "Kosova duhet të qëndrojë në kurs" në portalet nëpër botë. Aty kam deklaruar se besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë kapërcyer kufijtë duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën e saj të importit 100 për qind ndaj Serbisë. Për më tepër, kam deklaruar se kjo është një kontradiktë për Shtetet e Bashkuara që të pretendojnë se e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa insistojnë që Kosova të pezullojë taksën.
Unë gjithashtu kam identifikuar thirrjen e Serbisë për shkëmbim të territorit si një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin mbi statusin e Kosovës si një komb sovran - një status për të cilin Serbia ka punuar që ta minojë qysh nga koha kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Presidenti George W Bush në vitin 2008 dhe qysh prej fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011.
Perspektiva ime, së bashku me shumicën e miqve dhe mbështetësve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nuk ka ndryshuar. Unë besoj që Kosova duhet të vazhdojë të mbajë kursin e vet derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse paqja, stabiliteti dhe rritja e Evropës Juglindore do të bëhen realitet, atëherë të dy vendet duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me kushte të barabarta
Në kundërshtim me deklaratat e disa liderëve politikë në PDK dhe LDK, marrja e këtij qëndrimi nuk e kërcënon partneritetin historik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Dashuria e popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara është e betonuar përgjithmonë në veprimet e Presidentit Woodrow Wilson, i cili në fund të Luftës së Parë Botërore këmbënguli që të ashtuquajturat Fuqitë e Mëdha: Britania, Franca, Italia, Gjermania, Austro-Hungaria, dhe Rusia — të njohin Shqipërinë, sepse ajo ishte me një nga popujt më të vjetër të Evropës.
Bota gjithashtu e din se kur Sllobodan Millosheviqi filloi fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve kosovarë (pasi që vrau një gjysmë milioni boshnjakë), qeveria e SHBA - dhe në një masë të madhe për shkak të viteve të punës sime, Joe DioGuardit, dhe të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane - e solli Millosheviqin deri te ndalja dhe përfundimisht te gjykimi në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri tjera nga gjithë bota e njohën pavarësinë e Kosovës.
Por tani jemi në një kohë tjetër të historisë së SHBA. Është vërtetuar mirë nga mediat kryesore të SHBA se Presidenti Donald Trump po përkulet ndaj makinacioneve të Rusisë dhe Serbisë dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk mund të lejojë që të përkulet ndaj insistimit të administratës së Trumpit që të kthehet në negociata me një udhëheqje serbe që refuzon ta njohë Kosovën si një shtet sovran dhe që po punon shumë për të sjellë nën kontrollin e vet veriun e Kosovës dhe komunat me serbë të Kosovës në jug të Kosovës.
Jemi me fat që Shaun Byrnes, një diplomat amerikan i pensionuar që shërbeu si Shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të ShBA në Kosovë prej vitit 1998-1999 ka botuar një artikull shumë të rëndësishëm në www.peacefare.net, me titull "Një marrëveshje e keqe". Në te, Byrnes ekspozon presionin intensiv që Presidenti Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O'Brien, i Dërguari Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell dhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, po i bëjnë kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat për Serbinë. Byrnes shpjegon pse Kosova nuk duhet të pranojë këtë.
Unë besoj se konkluzionet e Byrnes në artikullin e tij të 13 Marsit 2020 janë të rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e popullit shqiptar ku lexon se:
"Trumpi po kërkon një marrëveshje të shpejtë për të rritur perspektivat e tij të rizgjedhjes që po duken më të errëta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish Zëvendës Presidenti Biden do të jetë kandidati Demokratik.
"Nga ana e tij Thaçi ... kishte dashur që të rrëzojë qeverinë Kurti për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që pastaj të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit dhe nga PDK, partia që e themeloi Thaçi.
“Ndërhyrja e Trumpit për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë. Ai po shfrytëzon kërcënimet për veprimin ndëshkues të SHBA si një goditje kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe "të ardhmen e shtetit tonë", një akuzë e papërgjegjshme.
"Përderisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është e bllokuar". Vlen të përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t'i japë fund armiqësisë së Serbisë me krahinën e saj të mëparshme. Derisa Serbia nuk e pranon se çka ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore.
"Më shumë me rëndësi është se ne duhet t'i përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës që SHBA është dhe do të mbetet një mik i fortë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O'Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore që politikanët e saj dhe publiku i saj nuk e kanë parë për shkak të motiveve vetë-shërbyese të një politikani. "
Në një deklaratë publike në mars të vitit 2012, me titull "Ruaje Republikën e Kosovës, "Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane vërejti se: " Ka një nënshtrim pothuajse total i klasës politike dhe publikut ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe të përfaqësuesve tjerë perëndimorë në Prishtinë. Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për Kosovën, shpesh përdoret si justifikim nga ana e politikanëve dhe profesionistëve shqiptarë që të mos punojnë për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet. "
Besimi i rrejshëm nga disa politikanë dhe profesionistë shqiptarë se administrata Trump do të kujdeset për Kosovën është ndalur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani që të mos përkulen ndaj kërkesave të presidencës së parë autoritare në historinë e SHBA, por të qëndrojnë në kursin e vet në emër të Kosovës.
Më në fund, të mos harrojmë mesazhin që një mik i fuqishëm i Kosovës dhe tani kandidat për President të SHBA, ZP Joe Biden, deklaroi tetëmbëdhjetë vjet më parë — në vitin 2002 në 12 vjetorin e punës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Qytetin New York. Në fjalën e tij kryesore, Biden, në atë kohë udhëheqës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se:
"Vetë-interesi i pastër i Shteteve të Bashkuara qëndron në shekullin XXI duke filluar me një Evropë të tërë, të pandarë dhe të unifikuar", sepse çdo herë që Evropa zhytet në kaos, "djemtë dhe vajzat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet, dhe ne e paguajmë çmimin. Nga kultura, historia dhe prirja, ne nuk jemi në gjendje të ndahemi nga ajo që ndodhë në Evropë. Fati i shtatë milion njerëzve shqiptarë në Ballkan ... është gjithashtu thelbësor për interesin tonë të pastër. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihet dhe mbrohet, të gjitha pjesët në rajon do të rrëzohen, dhe nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, ne do të paguajmë shtrenjtë. "
Comments