top of page
Writer's pictureAACL

ALB - What Does the Future Hold for Albanians in Fyrom?

Çfare Rezervon E Ardhmja Per Shqitaret Ne Rijm?


Tani që parlamenti maqedon ka miratuar paketën e 15 amendamenteve kushtetuese që rezultuan nga marrëveshja e Ohrit në gusht 2001 dhe që, siç pritet, duhet të zgjerojnë të drejtat kolektive të shqiptarëve etnikë, çfarë rezervon e ardhmja për shqiptarët në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë (RIJM)? Deri në ç’masë do të zbatohen amendamentet? Çfarë ndikimi ka pasur faktori ndërkombëtar në zhvillimet maqedone dhe cili do të jetë roli i tij në vitet që do të vinë? Megjithëse është shumë herët t’u japësh përgjigje të plotë këtyre pyetjeve, mund të themi me siguri se nuk ka qenë vizioni demokratik që i nxiti autoritetet maqedone të nënshkruajnë planin e paqes e të miratojnë amendamentet. Po të kishte qenë kjo e vërtetë, ata duhej të kishin bërë me kohë çka po detyrohen të bëjnë tani.


Për të kuptuar më mirë këtë konkluzion dhe për të përcaktuar nëse pushtetarët sllavë maqedonas, të sotëm e të kaluar, janë “burra të mirë” siç përpiqen të hiqen, do të krahasoj së pari të drejtat që gëzojnë maqedonët sllavë në Shqipëri me të drejtat e shqiptarëve në RIJM. Pastaj, do të analizoj ngjarjet e fundit dhe rolin e aktorëve të ndryshëm, shqiptarë, maqedonë sllavë dhe komuniteti ndërkombëtar.


Të Drejtat e Maqedonëve në Shqipëri


Për të fshehur politikën e tyre diskriminuese ndaj shqiptarëve, pushtetarët maqedonë gjithmonë janë përpjekur të largojnë vëmendjen e publikut nga çështja shqiptare në vendin e tyre duke e fryrë jashtë mase numërin e “minoritetit” të vogël maqedon në Shqipëri dhe duke pretenduar se ai nuk ka të drejta.


Përdorimi i termit “minoritet” për maqedonët në Shqipëri na detyron t’i referohemi një çështjeje që ka qenë dhe vazhdon të jetë gangrenë e politikës shqiptare për një kohë të gjatë. Eshtë e modës dhe oportune sot në Shqipëri që çdo bashkësie njerëzish nga ndonjë vend tjetër, që është ngulitur në territorin shqiptar gjatë kohëve, pavarësisht se sa e vogël në numër të jetë, t’i bashkëngjitet termi “minoritet”. Maqedonët në Shqipëri hyjnë pikërisht në këtë kategori. Ata nuk jetojnë pranë e pranë me bashkëkombësit e tyre dhe zonat ku ata aktualisht ndodhen, janë vazhdim i trojeve shqiptare të përtejkufirit, që banohen nga shqiptarë dhe jo territor i shkëputur prej vendit të tyre të origjinës. Ata pa të drejtë janë ngritur në statusin e pakicës kombëtare.


E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “pakicat e tjera kombëtare” në Shqipëri. Zonat ku ato jetojnë janë gjithashtu vazhdim i territoreve të lashta shqiptare të përtej kufirit, të banaura nga shqiptarë, megjithëse pjesë të këtyre trojeve banohen sot edhe nga popullsi të tjera për shkak të ndryshimeve demografike që kanë ndodhur. Këto ndryshime janë rezultat i spastrimit etnik e politikave të tjera që kanë ndjekur vendet fqinjë për të vendosur të ardhur nga brendësia duke larguar popullsinë vendase.


Pra, është absurde të flitet për prani pakicash kombëtare në kutpimin e vërtetë të fjalës brenda territorit të shtetit shqiptar. Këta të huaj të ngulitur në territor shqiptar shumë-shumë mund të krahasohen me homologët shqiptarë në Egjipt, Siri, Ukrainë, Bullgari, Suedi e vende të tjera, ose me emigrantët shqiparë që janë vendosur kohët e fundit në Greqi.


Në Shqipëri ka nëntë fshatra të banuar nga maqedonë, që ndodhen në zonën e Prespës, dhe që kanë rreth katër mijë banorë. Me kalimin e kohës, maqedonë nga Prespa kanë shkuar në pjesë të tjera të vendit për punë ose për shkak të emërimeve në punë më të mira zyrtare, mirëpo, duke qenë të paktë në numër dhe shumë të shpërndarë, ata duket se janë integruar në shoqërinë shqiptare.


Lidhjet e maqedonëve në Prespë me RIJM janë rritur shumë gjatë viteve. Më shumë se 30 përqind e këtyre shtetasve shqiptarë origjina maqedone e të cilëve vihet në pikëpyetje, kanë marrë shtetësinë dhe pashaporta maqedone sipas lajmeve të shtypit shqiptar. Tregtinë e bëjnë kryesisht me atë vend. Autoritetet maqedone i ndihmojnë maqedonët në Prespë me dërgesa veshmbathjeje, këpucë e libra për shkollat e tyre. Në gjithë dyqanet dhe klubet e zonës, shikon në vende të dukshme simbolesllavomaqedone përfshirë edhe diellin, simbolin e maqedonëve të lashtë, që maqedonët e sotëm sllavë e kanë bërë padrejtësisht të tyren. Në shkollat, parrullat dhe shpalljet shkruhen në maqedonisht dhe shqip, kurse Radio Korça transmeton çdo ditë një buletin lajmesh në gjuhën maqedone. Fëmijëve të shkollave fillore u jepen mësimet në maqedonisht. Në klasën e shtatë ata fillojnë studimin e gjuhës dhe të letërsisë maqedone si dhe të historisë së popullit maqedon si lëndë të veçanta. Eshtë në plan që nxënësit të studiojnë gjuhën maqedone edhe në dy vitet e para të shkollës së mesme.


Mund të shikosh madje edhe fëmijë të vegjël të mbajnë flamurin maqedon. Priftërinj nga RIJM kryesojnë meshën dhe ceremoni të tjera fetare, që zhvillohen në gjuhën maqedone në Prespë, në një kohë kur klerikët shqiptarë nga Shqipëria nuk lejohen të shkojnë për të predikuar në RIJM. Gjithë autoritetet në nivel fshati dhe në komunat janë maqedonë, kurse shumë të rinj maqedonë janë punësuar në policinë e zonës. Maqedonë nga Prespa janë edhe zyrtarë në nivel prefekture. Nuk mund të mohohet fakti se në bazë të ligjit ekzistues komuniteti maqedon prej katër mijë anëtarë është aq i vogël sa nuk mund të nxjerrë as edhe një deputet të vetëm për parlament në bazë të ligjit ekzistues.


Diskriminim i Institucionalizuar


ndaj Shqiptarëve në RIJM


Për të kuptuar më mirë situatën e maqedonëve në Shqipëri dhe sa para shqiptarëve në RIJM janë ata de jure dhe de facto për sa i përket nivelit të të drejtave që gëzojnë në proporcion me numrin e tyre, është e nevojshme të shqyrtojmë disa nga problemet që shqiptarët atje gjithmonë kanë hasur dhe si e konsiderojnë statusin e tyre vëzhgues neutralë. Në aspektin thjesht numerik, komuniteti maqedon në Shqipëri as që mund të krahasohet me popullsinë shqiptare në RIJM ku, sipas vlerësimeve shqiptare, ka rreth 800, 000 shqiptarë. Megjithatë, versioni zyrtar maqedon përcakton se shqiptarët përbëjnë 22.9 përqind të një popullsie dy milionëshe. Vetëm një regjistrim i paanshëm nën mbikqyrje ndërkombëtare mund të përcaktojë numrin e saktë të shqiptarëve në shtetin maqedon.


Për sa u përket të drejtave, ekziston një hendek i madh midis të drejtave të 4,000 maqedonëve në Shqipëri dhe të drejtave të 800, 000 shqiptarëve në RIJM. Ky hendek bie më shumë në sy po të kemi parasysh faktin se shqiptarët atje janë popullsia e dytë më e madhe edhe sikur të pranojmë vlerësimin zyrtar prej 22.9 përqind. Analistë në perëndim janë të një mendimi rreth trajtimit të shqiptarëve nga autoritetet maqedone si shtetas të kategorisë së dytë. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen në secilin vend i vitit 2000, thekson se “diskriminimi shoqëror … ndaj shqiptarëve etnikë është problematik”. Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës ka venë në dukje se “diskriminimi në Maqedoni është në shkallë të gjerë”. Grupi Ndërkombëtar i Krizave debaton që “në rast se qeveria maqedone është kundër federalizimit, atëherë ajo duhet të shpallë angazhimin e saj ndaj integrimit të plotë dhe të barabartë të të gjitha kombësive”.


Realiteti i diskriminimit të institucionalizuar kundër shqiptarëve në RIJM ka qenë shprehur hapur në paragrafin e parë të preambulës së Kushtetutës së Republikes së Maqedonisë:


“… fakti historik se Maqedonia është krijuar si shtet nacional i popullit maqedon, në të cilin sigurohet barazi e plotë si shtetas dhe bashkekzistencë e përhershme me popullin maqedon për shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë…”


Kjo deklaratë injorin hapur faktin që shqiptarët përbëjnë grupin më të madh etrnik në vend dhe i vë ata në një plan me pakicat kombëtare, të cilat përbëjnë një përqindje shumë të vogël në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Ky formulim, tregues i qartë se çfarë shteti krijuan maqedonët mbas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, bie në kundërshtim me pjesë të tjera të kushtetutës, që e shpallin vendin si shtet civil dhe demokratik i cili garanton të drejtat njerëzore, të drejtat qytetare dhe barazinë etnike. Për më tepër, ka analistë që japin të kuptohet se midis paragrafit të parë të preambulës së Kushtetutës maqedone dhe amendamenteve të miratuar nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Duke shprehur dyshimet e veta ndaj ndryshimeve kushtetuese, analisti i BBC-së për Evropën Juglindore, Gabriel Partosh, shkruan se “versioni që u pranua më në fund duket se vë shumicën maqedone në një plan më të dukshëm se komunitetin etnik shqiptar”.


Gjithashtu, nuk duhet harruar Ligji diskriminues i vitit 1992 për Shtetësinë në Maqedoni, në bazë të të cilit shumë shqiptarëve u është hequr e drejta e votës. Sipas këtij ligji, që të cilësohesh shtetas, kryetari i familjes duhet të provojë se ka jetuar në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë (RIJM) 15 vitet e fundit në vazhdimësi. Meqë shumë kryetarë familjesh shqiptare punojnë jashtë shtetit për të mbajtur familjet, më shume se 120, 000 shqiptarë kanë humbur të drejtat për shtetësi që i gëzonin para se RIJM të shpallte pavarësinë nga ish-Jugosllavia. Ata klasifikohen “emigrantë të paligjshëm” megjithëse familjet e tyre kanë jetuar në të njëjtin truall shekuj me radhë.


Qeveritë maqedone në vazhdimësi kanë minuar zhvillimin e kulturës shqiptare. Sipas të dhënave statistikore nga RIJM, si taksapagues, shqiptarët kontribuojnë të paktën 22.9 përqind të buxhetit shtetëror (sipas statistikës zyrtare për numrin e popullisë shqiptare). Çdo vit, qeveria maqedone jep rreth 50, 000, 000 DEM për veprimtari kulturore. Nga kjo shumë ajo jep jo më shumë se 500, 000 DEM në vit, pra, vetëm 1 përqind, për veprimtari kulturore shqiptare. Diferenca duket më se e qartë.


Në RIJM ndodhen aktualisht 165 institucione kulturore me 2, 900 të punësuar. Në numrin e përgjithshëm të institucioneve, vetëm dy institucione shqiptare ndihmohen nga ministria e Kulturës: teatri shqiptar dhe ansambli folklorik shqiptar “Emin Duraku”. Këto dy institucione kanë së bashku 50 nëpunës. Ministria e Kulturës paguan edhe disa shqiptarë që punojnë në institucione të tjera kulturore. Dy shqiptarë janë punësuar në bibliotekat “Cvetan Dimov” dhe “Kiril i Metodij” në Shkup. Tre janë të punësuar në Tetovë (një në pallatin e Kulturës dhe dy në bibliotekën “Kosta Racin”), dhe një tjetër në bibliotekën e Strugës. Pra, nga 2, 900 punonjës në institucionet kulturore të vendit, vetëm 56 janë shqiptarë.


Brutaliteti policor kundër shqiptarëve në shtetin maqedon ka qenë mbizotërues. Në vitin 1992, policia rahu për vdekje një të ri shiptar. Shitja e cigareve kishte qenë krimi i tij i vetëm. Në demonstratat që pasuan, u vranë katër shqiptarë të tjerë. Në shkurt 1995 u vra një shqiptar, 28 të tjerë u plagosën dhe një numër i madh protestuesish u burgosën në kohën kur shqiptarët tentuan të hapnin Universitetin në gjuhën shqipe të Tetovës meqë shqiptarët përbënin vetëm 1.5 deri 2 përqind të studentëve që frekuentonin dy universitetet shtetërore të vendit. Kërkesa për arsimim në gjuhën shqipe u konsiderua krim. Në 1997, kur mijra shqiptarë u mblodhën në Gostivar për të protestuar kundër heqjes së flamurit shqiptar që ishte ngritur jashtë ndërtesës bashkiake dhe kundër arrestimit të kryetarit të tyre të Bashkisë, policia maqedone përdori forcën duke vrarë tre shqiptarë, plagosur më shumë se katërqind e burgosur pesëqind të tjerë. Shumë nga të arrestuarit iu nënshtruan torturave të egra. Kryetari i Bashkisë Rufi Osmani u dënua me 13 vjet burg sepse kishte ngritur flamurin shqiptar në Bashki përbri flamurit maqedon megjithëse qeveria kishte dhënë miratimin për një gjë të tillë më parë. Më vonë, ajo e anuloi atë, por këtë e bëri në orët e hershme të mëngjezit, para agimit. Askush nuk kishte dijeni për anulimin e miratimit kur më shumë se katër mijë policë me tanke hynë në qytet. Rufi Osmani u lirua mbas një viti në sajë të fushatës që drejtoi Liga Qytetare Shqiptare Amerikane dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve në RIJM. Shpresojmë se ngjarjet e kohëve të fundit i kanë ndihmuar autoritetet maqedone të vendosin për të hequr praktikën e burgosjes së shqiptarëve deri me tre vjet burg në rast se kapeshin duke mbajtur flamurin shqiptar.


Ngjarjet e përgjakshme në RIJM në vitin 2001 dhe demaskimi i plotë i politikës së shtypjes e diskriminimit që kanë ndjekur qeveritë maqedone ndaj shqiptarëve nuk mundën t’i bënin pushtetarët maqedonë të ndërronin rrugë. Raporti me titull Krime Kundër Civilëve: Abuzime nga forcat maqedone në 10-12 gusht, 2001, në Ljuboten, nga Human Rights Watch në 5 shtator, 2001, thekson: “Trupat policore maqedone vranë gjashtë civilë dhe dogjën të paktën 22 shtëpi, plevica dhe dyqane gjatë sulmit shtëpi më shtëpi në fshat në 12 gusht. Qindra shqiptarë civilë që u munduan të largoheshin nga Ljuboteni, iu nënshtruan keqtrajtimeve të mëtejshme. Vullnetarë maqedonë etnikë rrahën tre burra deri sa këtyre u ra të fikët para syve të policisë maqedone në 12 gusht. Një nga burrat u qëllua në kokë nga policë maqedonë ndërsa u përpoq të shpëtonte. Policët veçuan më shumë se njëqind burra dhe djem të rinj nga gratë dhe fëmijët dhe i çuan në stacione policie në Shkup, ku iu nënshtruan rrahjeve shtazarake. Megjithëse Atullah Qaini, 35 vjeç, kur u muar nga policia në fshat ishte gjallë, trupi i tij i rrahur shtazërisht dhe i copëtuar u tërhoq më vonë prej morgut të qytetit nga familjarët”. Abuzimet nga forcat maqedone në Ljuboten nuk kanë qenë të vetmet për të cilat Human Rights Watch ka sinjalizuar.


Masakra në Ljuboten ndodhi në prag të marrëveshjes së paqes, të cilën Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Lord Robertson, e quajti “moment të shënuar në historinë e Maqedonisë”. Në të njëjtën kohë, Human Rights Watch kërkoi hetim të menjëhershëm si dhe hetime për rolin e ministrit të Brendshëm maqedon Ljube Boskovski i cili ishte i pranishëm në fshat në 12 gusht kur u bënë dhunimet më të tmershme. Elizabeth Andersen, drejtoreshë ekzekutive e Grupit të të Drejtave të Njeriut për seksionin e Evropës dhe të Azisë Qendrore është cituar të ketë thënë se “abuzimet në shkallë të gjerë të policisë janë shkëndijë në potencë që mund të rindezin konfliktin në Maqedoni. Nuk mund të presim deri sa policia të ristrukturohet gradualisht gjatë tre viteve të ardhshëm. Për të ndaluar abuzimet, nevojiten hapa të menjëhershëm, përfshirë monitorim dhe dhënie llogari”.


Realiteti i Racizmit anti-Shqiptar


Nuk kemi parë në asnjë vend në botën bashkëkohore që njerëzit e thjeshtë të dalin në rrugë për të protestuar kundër arsimimit të bashkëqytetarëve të tyre në gjuhën amtare. Askund nuk kemi parë popullin e një vendi që e quan veten demokraci, të kërkojë që populli i një kombësie tjetër të digjet në dhomat e gazit. “Za shiptari, gazna komora” [Dhoma gazi për shqiptarët] lexohej në pankartat që mbartnin maqedonët kur sulmuan parlamentin mbas evakuimit të luftëtarëve shqiptarë prej një fshati në rrethinat e kryeqytetit të Shkupit, në qershor 2001. E njëjta parullë mund të lexohej edhe në pankartat në stadiumet e futobollit shumë kohë para se të fillonte kryengritja.


Kur parlamenti filloi debatin rreth planit të paqes arritur në Ohër me ndërmjetësim perëndimor për të drejtat e shqiptarëve, të nguliturit sllavomaqedonë në tokë shqiptare përsëri protestuan sikur dhënia të drejta shqiptarëve do të ishte dhunim i të drejtave të tyre. Gjatë manifestimeve të protestës, në murret e jashtme të objekteve fetare shqiptare, fanatikë maqedonë vizatuan kryqe të thyer dhe shkruan “Vdejke shiptarëve”. Ky qëndrim racist i maqedonëve të zakonshëm, që mbështesin policinë kur keqtrajtohen shqiptarët vazhdon akoma. Pak ditë pas miratimit të amendamenteve kushtetuese, pesë shqiptarë që po shoqëronin fëmijët e tyre për shkollë, u ndalën nga policia, u hoqën zvarrë me forcë nga vetura, dhe u rrahën nga policët dhe kalimtarët.


Maqedonët kanë hyrë në histori edhe për demonstratat e tyre të protestës kundër vendosjes së përkohshme në territorin maqedon të refugjatëve boshnjakë, të cilët natyrisht do të ktheheshin në vendin e tyre mbas mbarimit të luftës.


Megjithëse populli sllavomaqedon mund të mos fajësohet që është mësuar t’i konsiderojë shqiptarët si inferiorë, ai duhet të ndihmohet të kapërxejë trashëgiminë e shovinizmit dhe të racizmit. Për këtë qëllim, qeveria maqedone e ka për detyrë të nisë një program për t’i edukuar maqedonët në frymën e tolerancës ndaj kombësive të tjera dhe për të çrrënjosur nga radhët e tyre mentalitetin anti-shqiptar. Ose, siç theksoi Arben Xhaferi, udhëheqës i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në RIJM mbas aprovimit të ndryshimeve në kushtetutë, “Riparuam kushtetutën dhe tani duhet të riparojmë mentalitetin që shkaktoi konfliktin etnik”. Sipas shumë analistëve, ky proces do të jetë shumë i vështirë, në mos i pamundur, për t’u realizuar, por RIJM nuk mund të mbijetojë në qoftë se nuk i kundërvihet racizmit të vet.


Lufta në RIJM dhe Ndikimi i Ushtrisë Nacional Çlirimtare


Pushtetarët sllavomaqedonë kanë qenë në mënyrë konsekuente të pasinqertë për sa i përket nivelit të të drejtave për shqiptarët. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë këtë fakt po të ketë parasysh ngjarjet që ndodhën mbasi disa shqiptarë morën armët në shkurt 2001 nën flamurin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare (UNÇ). Në përpjekjet e tyre për të mashtruar perëndimin, drejtuesit sllavomaqedonë kanë këmbëngulur se shqiptarët gjithmonë kanë gëzuar të drejta të barabarta. Po të ishte kjo e vërtetë, atëherë pse ranë dakord në gusht 2001 për t’u dhënë shqiptarëve po ato të drejta që në fakt atyre gjithmonë ua kanë mohuar? Në qoftë se nuk do të ishte kryengritja e UNÇ-së, të cilën shqiptarët që rrëmbyen armët, e kanë konsideruar si mjetin e fundit, a do të “mbështetej me shumicë plani i paqes nga parlamenti maqedon për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur si shkëmbim për përmirësimin e të drejtave të pakicës”? Meqë dorëzimi i armëve nga UNÇ-ja dhe pranimi nga ana e pushtetarëve sllavomaqedonë për të përmirësuar të drejtat “minoritare” ishin kaq ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën, rezulton se kryengritja, që nuk ishin të paktë ata që e mallkuan, duhet të ketë luajtur rol vendimtar në arritjen e rezultatit të tanishëm. Sikur të mos kishte kryengritje, autoritetet maqedone nuk do ta pranonin realitetin dhe nuk do të kishin dëgjuar zërin e arsyes, kurse lufta politike e shqiptarëve nuk do të kishte as vitalitet as substancë. Rezultati i saj gjithashtu u mesoi shqiptarëve se liria nuk falet dhe se bashkësia ndërkombëtare merr seriozisht vetëm ata që janë të gatshëm të paguajnë më shumë me gjak.


Në retrospektivë, lufta në RIJM u zhvillua midis një ushtrie të rregulltë, Ushtria Nacional Çlirimtare, që luftonte për të drejtat e shqiptarëve kur u bë mëse e qartë se strategjia “vetëm luftë politike” kishte dështuar, dhe makinës shtetërore maqedone, që përpiqej të ruante statukuonë. Këtu qëndron edhe ngjashmëria e saj me luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër shovinizmit serb. Lufta në Kosovë u zhvillua midis popullit shqiptar, i përfaqësuar nga UÇK [Ushtria Çlirimtare e Kosovës], që luftonte për liri kundër skllavërisë serbe dhe makinës shtetërore serbe, ushtrisë, policisë sekrete, paraushtarakëve, që u përpoqën të mos e lëshonin Kosovën. Po kështu, lufta në RIJM filloi si kryengritje kundër një qeverie që i shtypte shqiptarët dhe ndiqte politikën përça e sundo duke i diskriminuar ata dhe duke u siguruar sllavëve pozitë të privilegjuar, politikë e cila e theksoi më shumë polarizimin ekzistues të shoqërisë maqedone në baza etnike. Qeveritë maqedone, në të kaluarën dhe sot, janë munduar të ngulisin në mendjen e maqedonëve të thjeshtë se armiku janë ata që ndodhen në anën tjetër të vijës ndarëse etnike. Kjo është pikërisht e njejtë me çfarë kanë bërë qeveritë serbe duke indoktrinuar serbët kundër shqiptarëve. Zhvillimet deri sot kanë provuar se, ndërsa kjo taktikë ka pasur sukses ndër maqedonët, ajo ka dështuar plotësisht për sa u përket shqiptarëve. Këta të fundit luftën e bënë kundër forcave të armatosura dhe jo kundër civilëve.


Pavarësisht se lufta e njërës palë për të arritur lirinë dhe e tjetrës për ta mbajtur atë të shtypur përbën bazën e ngjashmërisë, midis luftës në RIJM dhe luftës në Kosova ka edhe dallime. Megjithëse shovinizmi maqedon nuk është më pak agresiv se ai serb, në krahësim me homologen serbe, makina shtetërore maqedone është tepër e pafuqishme për të avancuar hapur agjendën e saj nacionaliste. Lufta e Kosovës u mësoi autoriteteve maqedone se me alternativën ushtarake nuk do të arrinin asgjëkundi për shkak se nuk do të ishin në gjendje të shtypnin kryengritjen shqiptare me mjetet që kishin në dispozicion. Përveç kësaj, edhe sikur t’u vinte mendja për ndonjë aventurë ushtarake në shkallë të gjerë sipas modelit serb të politikës së tokës së djegur në Kosovë, duke llogaritur edhe vendet ortotokse në rajon e më tej, të cilët nxituan t’i ndihmojnë me mjete ushtarake, ata nuk ishin të sigurtë se si do të reagonte perëndimi.Maqedonia sllave nuk mund të futej në luftë me perëndimin siç bëri Serbia.


Pjesëmarrja e shqiptarëve në qeveri, megjithëse jo vendimtare, ushtroi ndikim moderues në ngjarjet, faktor i cili mungonte në kontekstin e Kosovës. Atje, shqiptarët kishin shpallur republikën e tyre dhe pavarësinë, që do të thoshte se ata refuzonin kategorikisht të ishin pjesë e Serbisë apo të punonin brenda strukturave politike serbe. Në RIJM, sipas deklaratave të tyre publike, shqiptarët nuk synonin të shkëputeshin nga shteti maqedon. Lufta e tyre, ushtarake dhe politike, ishte e kufizuar vetëm në kuadrin e sigurimit të të drejtave të barabarta për popullsinë shqiptare. Prania e huaj në RIJM gjithashtu ushtroi ndikim moderues në drejtim të të dyja palëve, kurse në Kosovë e Serbi, perëndimi ishte i privuar nga mundësia për të ndikuar në zhvillimet nga brenda.


Në Kosovë, lëvizja pacifiste e Lidhjes Demokratike të Kosovës nën drejtimin e Ibrahim Rugovës u tregua e paefektshme dhe tepër pasive për mobilizimin e popullit të paktën në mosbindje civile. Rugova e konsideronte mospërdorimin e dhunës si të vetmin opsion të nevojshëm moral, ndërsa për moto kishte “më mirë të mos bëjmë gjë e të mbetemi gjallë sesa të masakrohemi” sipas një deklarate të tij në vitin 1992, cituar nga Tim Judah në një artikull botuar në Wall Street Journal në 7 prill, 1999. Mbasi dështoi në frontin e brendshëm, ai filloi udhëtimet jashtë shtetit dhe takimet me udhëheqës të botës së jashtme. Kjo krijonte iluzionin se liria do të vinte ndonjëherë në të ardhmen në mënyrë paqësore, nëpërmjet ndonjë ndërhyrjeje diplomatike, apo mbasi Milosheviçi të humbiste në zgjedhje ose të përmbysej. Ky ishte edhe këndvështrimi i liderëve të perëndimit. Këta e katandisën çështjen e shumanshme të demokracisë në Sërbi deri në nivelin e fatit të një individi, të Milosheviçit, dhe jepnin të kuptohej se demokraci në Sërbi do të thoshte demokraci e liri edhe në Kosovë. Në fakt, lëvizja e Rugovës u injorua nga bashkësia ndërkombëtare në një kohë kur serbëve të Bosnjës, përgjegjës për aktet më të rënda të gjenocidit në Evropë mbas fundit të Luftës së Dytë Botërore, iu dhurua një minishtet në Bosnjë.


Ngjarjet para kryengritjes treguan se edhe në RIJM mbizotëronte një situatë pacifiste, kurse qëndrimi i perëndimit edhe këtu nuk ishte i ndryshëm. Strategjia “vetëm luftë politike” po çonte gradualisht në fund pa krye dhe në paralizimin e faktorit politik shqiptar. Të vetëdijshmm për ngjarjet që po afroheshin dhe duke pasur frikë nga një konflikt i hapur i armatosur, politikanët u përpoqën të provonin se në fushën e të drejtave të shqiptarëve ishin gadi disa përmirësime duke hapur fjalë se udhëheqësit shqiptarë nga momenti në moment do të siguronin lëshime prej presidentit maqedon Boris Trajkovski. Pra, ishte i njëjti avaz i përsëritur pa pushim për më shumë se një dekadë.


Konflikti maqedon në asnjë mënyrë nuk mund të përkufizohet si luftë e një grupi etnik kundër një grupi tjetër etnik, siç përpiqen të provojnë disa. Konflikti do të kishte evoluar në një luftë të tillë po t’u ishte dhënë dorë e lirë ultranacionalistëve dhe në qoftë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të kishte qenë i pranishëm. Roli konstruktiv i shqiptarëve, të cilët u ruajtën nga provokimet e palës maqedone, luajti rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Faktori supremacist sllavomaqedon, që e çfaqi veten në skenarë të tillë të shëmtuar si demonstrata proteste anti-shqiptare, plaçkitje dhe djegie, doli në ballë kur kjo u pa e nevojshme nga politikanët, që gjithmonë kanë lëvizur fijet. Duke shfrytëzuar aspektin emotiv politik dhe etnik, ata frynë zellin nacionalist dhe nxitën urrejtjen raciste në shtresat më të prapambetura të shoqërisë maqedone. Qëllimi ishte të përdoreshin të ashtuquajturat protesta popullore për të justifikuar mosdashjen e tyre për të pranuar planin e paqes dhe për të bërë presion ndaj shqiptarëve dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë. Sapo politikanët maqedone dhanë pëlqimin për ndryshimet kushtetuese, popullata nuk dolli më në rrugë.


Fushata anti-shqiptare e autoriteteve sllavomaqedone dhe demonstratat e turbullirat e shtresave më raciste të popullsisë bëheshin paralel me deklaratat e politikanëve dhe mbrojtësve “të përkushtuar” të paqes e demokracisë në vendet e tjera. Këta të fundit u shprehën kundër shqiptarëve sepse lufta e tyre e prishi paqen e remë në ish-republikën e vogël jugosllave dhe demaskonte si fallsitet demokracinë e ashtuquajtur maqedone të sponsorizuar nga perëndimi. Megjithëse më vonë e ulën tonin e deklaratave, zyrtarë të lartë perëndimorë i binin të njëjtit avaz si edhe pushtetarët maqedonë. Ata e etiketuan luftën e armatosur të shqiptarëve si “terrorizëm” në një përpjekje për të dekurajuar gjithë ata që do ta mbështesnin apo do to ngriheshin kundër statukuosë shtypëse. Kishte nga ata që e quajtën kryengritjen shqiptare opsion mesjetar në Evropën e qytetëruar, që do të largonte në mënyrë fatale perëndimin prej tyre.


Duke mbështetur idenë që shqiptarët në Ballkan të sakrifikojnë çdo gjë në altarin e Evropës, deri në atë pikë sa Sërbia të vazhdojë të luajë rolin e “Jugosllavisë” dhe RIJM të vazhdojë të quhet “oaz i paqes” [frazë e përdorur nga ambasadorja maqedone në OKB për vendin e vet në një takim në Shkollën JFK të Qeverisjes në Harvard, Boston, në fillim të vitit 1998], shqiptarët u këshilluan t’i hidhnin sytë drejt Evropës dhe të hiqnin dorë nga radikalizmi. Atyre iu qa halli sepse ishin më tepër se ç’duhej proamerikanë dhe se si shumë shpresa mbanin tek Amerika. Madje, edhe ndjenja popullore proamerkane e shqiptarëve, ndjenjë legjitime që i ka rrënjët në histori, u quajt si jashtë çdo realiteti.


Duhet theksuar se në të vërtetë shqiptarët presin që si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Evropa e sotme demokratike të mbështesin çështjen e tyre të drejtë sepse ata e shikojnë perëndimin si një e të pandarë kur është fjala për të mbrojtur demokracinë e lirinë. Secila pjesë kontribuon në të tërën për të mos lejuar që parimet të preken. Në këtë kuptim, shqiptarët nuk i veçojnë këto dy pjesë të pandara të perëndimit, megjithëse, për të qenë besnikë ndaj historisë, duhet të pohojmë se ata u detyrohen amerikanëve për ekzistencën e një shteti të vogël e të varfër shqiptar dhe se e dinë fare mirë që copëzimi i trojeve të tyre është vepër e fuqive evropiane. Në fakt, nëse evropianët do ta shikonin realitetin në sy, atyre do t’u duhej të pranonin se lufta e shqiptarëve si në RIJM ashtu edhe në Kosovë është sfidë që i bëhet zgjidhjes që Evropa i ka dhënë çështjes shqiptare. Pra, edhe dënimi më i rreptë i kryengritjes shqiptare në RIJM u bë nga udhëheqës evropianë, të cilët duhet të dinë gjithashtu se problemet e sotme të shqiptarëve në Ballkan nuk janë vepër e vetë popullit shqiptar. Për sa i përket luftës në Kosovë, duhet theksuar se futja e Evropës në koalicionin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ishte një lëvizje për të mos u turpëruar para botës në një situatë të jashtëzakonshme kur ofensiva serbe synonte të çfaroste një popull të tërë.

Çka kritizerët dhe ata që i dënuan luftëtarët shqiptarë harruan ishte rëndësia dhe roli krucial i kryengritjes dhe i luftës politike të shqiptarëve në ndihmën që ato dhanë për të zgjidhur problemet e brendshme të RIJM dhe për ta afruar shoqërinë maqedone me demokracinë. E parë nga ky kënd, lufta e armatosur dhe politike e shqiptarëve ishte një operacion kirurgjikal për të shpëtuar pacientin. Duke luftuar për të drejtat e veta, shqiptarët luftuan edhe për emancipimin e bashkëqytetarëve të tyre sllavomaqedonë prej një mentaliteti të prapambetur që justifikon shtypjen e popujve të tjerë.


Në qoftë se nuk harrohen mësimet e historisë, një komb interesat e grupit dominues të të cilit përdoren si justifikim për të shtypur grupet e tjera në asnjë mënyrë nuk mund të ndërtojë liri dhe demokraci të vërtetë. Ky komb nuk mund ta gëzojë lirnë në kurriz të të tjerëve. Maqedonët nuk mund të bëjnë përjashtim nga ky mësim i historisë. Në qoftë se ata mendojnë se janë rast i veçantë e mund të bëjnë përjashtim nga rregulli, atëherë, gjendja do të bëhet keq e më keq. Në skenarin më të keq, pra, në rast se ndryshimet kushtetuese nuk zbatohen, mund të jemi dëshmitarë të një lufte ndëretnike, ku civilët në të dy anët e vijës ndarëse shqiptaro-maqedone në thellim do të kthehen kundër njëri-tjetrit. Ndërsa shqiptarët nuk do të humbasin gjë përveç prangave të shtypjes dhe të diskriminimit kombëtar, maqedonët mund të humbasin jo vetëm pozitën e tyre të privilegjuar, por edhe shtetin.


Rebusi Maqedon i Evropës


Për sa i përket njohjes së të drejtave qytetare dhe njerëzore, përvoja e kaluar dhe e tanishme konfirmon të vërtetën lakuriq se RIJM nuk ka qenë ndonjëherë, dhe s’ka të ngjarë të bëhet Zvicër apo Belgjikë në të ardhmen e afërt. Aparati shtetëror maqedon që gjithmonë ka pasur disa shqiptarë sa për figurë, nuk i ka shërbyer demokracisë. Përkundrazi, ai ka përforcuar nacionalizmin maqedon dhe i ka shërbyer një elite të korruptuar politike, e cila gjatë gjithë kohës ka vepruar për të shtypur grupet josllave e joortodokse. Shqiptarët nuk ushqejnë iluzione për këtë megjithëse jetojnë në një vend që ka si objektiv Bashkimin Evropian dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilitetit e të Asocimit me BE-në shumë pak kohë para se konflikti shqiptaro-maqedon të arrinte një pikë të rrezikshme shpërthimi. Meqë shteti maqedon i plotëson gjithë standartet për vendet që aspirojnë anëtarësim në BE sipas vendimmarrësve në Bruksel, nënshkrimi i marrëveshjes e futi vendin e vogël ballkanik në rrugën drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian.


Ata që morën pjesë në ceremoni në Luksemburg në 9 prill, 2001, as u shkonte ndërmend të shqetësoheshin se përgatitjet po bëheshin për të pranuar një krijesë të mbytur në kontradikta dhe me një histori të vajtueshme ne fushën e të drejtave të njeriut. Vetëm kur krismat e pushkëve të pak kryengritësve shqiptarë zbuluan të vërtetën e jetës në shtetin maqedon dhe bënë të bien këmbanat e alarmit, atëherë Evropa filloi të drejtojë vëmendjen tek shqiptarët për të dëgjuar se ç’po thoshin ata. Nevojën për ndryshime urgjente në RIJM e imponuan më në fund vetë shqiptarët. Ajo nuk erdhi si rezultat i ndonjë lëvizjeje diplomatike ose politike apo për shkak të evolucionit të demokracisë në vend.


Vëzhguesi i paanshëm do ta quante ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilitetit e të Asocimit një shfaqje tragjikomike. Në një kohë kur në RIJM po derdhej gjak për të drejtat e njeriut të cilat Bashkimi Evropian shpall se mbron, udhëheqësit evropianë kthenin fytyrën nga ana tjetër për të mos parë. Me veprimin e tyre, ata i bekuan autoritetet maqedone për arritjet e tyre “demokratike”. Me bekimin e tyre, ata i dhanë kurajo kryeministrit maqedon Ljubco Georgievski që, pa u skuqur, të shpallte pretendimin grotesk se marrëveshja ishte “njohje e gjithçka kemi arritur në dhjetë vitet e fundit në fushat e demokracisë, bashkekzistencës multinacionale, reformave, bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.” U deshën vetëm tre muaj e gjysëm mbas ceremonisë së nënshkrimit që autoritetet maqedone të demaskonin “pabesinë” e perëndimit nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë Antonio Milososki. Në 24 korrik 2001, duke shprehur ndjenjën antiperëndimore që mbizotëron në vend, ai e quajti Naton “mik i madh i armiqve tanë”.


Eshtë vështirë të zgjidhësh rebusin, që quhet Maqedoni, kurse mënyra si komuniteti ndërkombëtar e ka trajtuar “protezhen” e vet e bën atë akoma më të komplikuar. Si është e mundur të vazhdohet të zbukurohet një vend i prekur nga një konflikt serioz i brendshëm që akoma ka mundësi të përhapet në të gjithë Ballkanin? Qendrimi everopianoperëndimor është po aq i komplikuar për t’u shpjeguar aq sa është edhe kontradiktor në kuadrin e parimeve dhe kritereve të BE-së. Megjithëse, siç dihet, shteti maqedon nuk i plotësonte standartet e kërkuara, politikanët evropianë përsëri injoruan faktet. Ata i kishin mbushur mendjen vetes se shteti maqedon po ecte në drejtimin e duhur dhe se pak nga pak do të përmirësonte gjendjen e shqiptarëve, mjaftonte që këta të ishin të duruar.


Zgjidhja e rebusit akoma nuk është dhënë. Megjithatë, mund të merret me mend se mënyra si është trajtuar republika e vogël ish-jugosllave mund të përbëjë një precedent për vende të tjera që lenë shumë për të dëshiruar për sa u përket të drejtave të njeriut. Kjo e bën bashkësinë ndërkombëtare të mendojë se rasti maqedon tregon se këto vende mund të bëhen demokraci duke u reformuar mbasi të kenë hyrë në strukturat evropiane. Për rrjedhojë, një artikull në 10 prill, 2001, në gazetën Sydney Morning Herald e cilësonte marrëveshjen “shabllon për të shpejtuar hapin e reformave demokratike dhe për të ulur tensionet etnike në shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë.” Pra, mund të merret me mend se në vend që disa vende të nxiten së pari për të kryer reforma demokratike në përputhje me standartet e Bashkimit Evropian, evropianët kanë zgjedhur alternativën e një pozicionimi simplist për të përshpejtuar vendosjen e demokracisë dhe zgjidhjen e çështjeve nacionale. Kjo do ta bënte rrugën për Bruksel më të lehtë jo vetëm për Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë, por edhe për Serbinë e vetëshpallur demokratike, me oreksin e saj të pashuar për të luajtur rol drejtues në Ballkan. Ka edhe vende të tjera të tilla në rajon e më tej që do të përgjëroheshin të fillonin “të merrnin mësime për demokracinë” si pjesë e Bashkimit Evropian duke ndjekur shembullin maqedon. Me ndihmën e të tjerëve, autoritetet maqedone morën rrugën për Evropë duke nënshkruar një marrëveshje stabiliteti e asocimi ndërsa bënin luftë kundër shtetasve të tyre të pakënaqur. Po të shkojmë sipas kësaj logjike, Serbia duhej të ishte futur me kohë në Bashkimin Evropian.


Tani që lustra e hollë demokratike që mbulonte shtetin maqedon ka rënë, bashkësia ndërkombëtare mund të shikojë vetë se ky shtet ka qenë shtet shtypës, hibrid, që ruante vetëm shëmbëlltyrën e një shoqërie pluraliste e demokratike. Në një kohë kur autoritetet e reja po merrnin pushtetin dhe po përgatisnin terrenin për të forcuar elementin nacional maqedon në kurriz të kombësive të tjera duke ndryshuar Kushtetutën, perëndimi mbante një qendrim hiq e mos e këput për sa i përket situatës së brendshme. Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u kthyen thjesht në sehirxhinj qëllim strategjik i të cilëve ishte të siguronin kufijtë dhe integritetin territorial të Maqedonisë sllave sepse ajo gjoja kërcënohej nga fqinjët. Ato harruan pjesën thelbësore të problemit, që ishte gjendja e brendshme në degjenerim e sipër – rrezik real për ekzistencën e shtetit të ri. Ngjarjet maqedone vërtetojnë çka ka deklaruar për këtë çështje Holly Cartner, ish-drejtore ekzekutive e seksionit të Evropës dhe Azisë Qendrore të Grupit Monitorizues për të Drejtat e Njeriut (Human Rights Watch). Sipas një lajmi në 13 qeershor, 2001, botuar nga Grupi Monitorizues i të Drejtave të Njeriut, me titull NATO: Punë e Pambaruar në Ballkan, ajo ka deklaruar se “Nato-ja dhe shtetet anëtare kanë investuar tepër në Ballkan, por nuk kanë ngulur këmbë në përgjegjësinë për të drejtat e njeriut dhe në respektimin e tyre, duke na çuar në buzë edhe të një konflikti tjetër ballkanik. Këtë herë, në Maqedoni.” Duhet shtuar gjithashtu se faktori kohë ishte krucial në përcaktimin e drejtimit që do të merrnin ngjarjet në RIJM, fakt që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara e nënvleftësuan. Ato u treguan shumë të ngadalshme e të pavendosura për të ndërhyrë e për të bërë më herët çka bënë mbas shpërthimit të konfliktit të armatosur. Bosnja-Hercegovina. Kroacia, Ruanda, Kosova, dhe RIJM na sjellin ndërmend konstatimin e Hegelit sipas të cilit e vetmja gjë që mësojmë nga historia është se ne nuk mësojmë nga historia.


E Ardhmja e Shtetit Maqedon


Pavarësisht nga paradoksi, për të nxjerrë RIJM nga kriza, autoritetet sllavomaqedone duhet të zbatojnë seriozisht 15 amendamentet që përbëjnë planin e paqes të Ohrit. Për këtë qëllim, ata duhet të marrin si shembull vende të tjera për të parë se si mund të zgjidhen problemet etnike. Në Zvicër, për shembull, ekzistojnë tre entitete të dallueshme nacionale dhe njihen e përdoren tri gjuhë të ndryshme. Shembull tjetër është Belgjika. Ajo është ndarë në tre rajone federative: Brukseli, Flandra dhe Valonia. Në vitin 1963, ligji që u miratua përcaktoi tri gjuhë të ndryshme zyrtare: Holandisht në veri, frëngjisht në jug dhe gjermanisht përgjatë kufirit lindor të vendit. Këto tri ndarje gjuhësore u njohën politikisht me ndryshimin e kushtetues në vitin 1971. Ndryshimet në ligje çuan në ndryshime edhe në arsim. Në vitin 1970, Universiteti i Lirë i Brukselit u nda në dy institucione të pavarura; njëri i jepte mësimet në gjuhën holandeze, kurse tjetri në gjuhën frënge. Po kështu, Universiteti Katolik i Luvenit u nda në dy universitete të pavarura, në njërin flitej frëngjisht në tjetrin holandisht. Këto arritje në fushën e të drejtave kombëtare nuk kanë penguar as Zvicrën as Belgjikën të lulëzojnë e të forcojnë më tej institucionet e tyre demokratike.


Shqiptarët kërkojnë vendin që u takon në shoqërinë maqedone. Ata nuk mendojnë se qënia të barabartë me maqedonët sllavë do të dhunojë të drejtat e të tjerëve apo do të çojë në shpërbërjen e shtetit. Ata që bëjnë një argumentim të tillë të maskuar keq, të cilin shqiptarët e hedhin poshtë, janë mësuar të shtypin kombësitë e tjera dhe janë të prekur me sëmundjen e intolerancës raciale e kombëtare. Ky nacionalizëm që vetëm shikon mbrapa e ka burimin në ankthin që ndjejnë maqedonët sllavë për statusin e tyre të ardhshëm kur shohin forcën në ngritje të shqiptarëve të cilët, mbas rënies së komunizmit, po e afirmojnë vetveten gjithmonë e më shumë. Kjo është e vërteetë jo vetëm në RIJM, por edhe në gjithë trojet e banuara nga shqiptarë në Ballkan, përfshirë edhe shtetin shqiptar.


Duke marrë parasysh drejtimin e ngjarjeve të fundit dhe faktet që tashmë u jemi referuar, konflikti maqedon nuk mund të zgjidhet dhe demokracia nuk mund të vendoset në RIJM në qoftë se diskriminimi i shqiptarëve nuk çrrënjoset realisht de jure e de facto. Për këtë qëllim, hapat ligjorë duhet të shoqërohen edhe me një apologji publike drejtuar popullsisë shqiptare nga ana e elitës politike sllavomaqedone, e cila duhet të pohojë hapur se shqiptarët kanë qenë të diskriminuar e të shtypur, dhe se të drejtat e tyre legjitime u janë mohuar. Në qoftë se qeveria dhe parlamenti vetëm me fjalë e pranuan planin e paqes të Ohrit dhe e miratuan atë sa për sy e faqe për shkak të presionit të ngjarjeve dhe diktatit të bashkësisë ndërkombëtare mbas pothuajse dy muaj zvarritjeje, perspektivat e demokracisë dhe të paqes nuk do të jenë aq të shkëlqyera. Për pasojë, nuk do të ketë më raporte të sinqerta midis pushtetarëve maqedonë dhe shqiptarëve, si dhe midis popullit shqiptar dhe atij maqedon. Mosbesimi do të minojë themelet tashmë të lëkundura e që kërcasin të shtetit maqedon. Në këto rrethana, marrëdhëniet ndëretnike do të keqësohen më tej në rast se perëndimi tërheq trupat e Natos që kanë mbetur dhe vëzhguesit me bindjen se paskëtaj në frontin maqedon do të ketë vetëm qetësi. Në qoftë se perëndimi nuk e vazhdon presionin ndaj pushtetarëve maqedonë, probleme dhe rreziqe të tjera të papritura do të pasojnë. Megjithëse për momentin duket se janë evituar si lufta në shkallë të gjerë ashtu edhe falimentimi i RIJM, situata atje është e brishtë dhe e ardhmja e shtetit maqedon vazhdon të jetë në balancë.


Ngjarjet në RIJM janë karakterizuar nga politikë dhe praktika konfuze, shtypëse dhe të dhunshme, vepër e atyre që u treguan dritëshkurër dhe me paragjykime raciale ndaj shqiptarëve, e që nuk deshën ta zgjidhnin konfliktin maqedon në mënyrë paqësore dhe me mjete politike. Konflikti i tanishëm nuk është dukuri e papritur, por rezultat i shumë viteve shtypjeje dhe diskriminimi etnik dhe i mungesës së largpamësisë nga ana e komunitetit ndërkombëtar që nuk u muar seriozisht me zgjidhjen e problemeve të brendshme të vendit. Në rrethanat e reja që janë krijuar, shqiptarët dhe politikanët e tyre duhet të dinë si të ruajnë atë që kanë fituar duke bërë ç’është e mundur që marrëveshja e Ohrit të zbatohet në gjithë tërësinë e vet. Përveç kësaj, ata nuk duhet të harrojnë ta bazojnë luftën e tyre të ardhshme për të drejta të barabarta në përvojën e tyre historike dhe të ruhen nga provokimet që do të synojnë t’i diskreditojnë. Në të njëjtën kohë, maqedonët sllavë duhet t’i ulin flamujt e nacionalizmit agresiv. Mësimin “fjalët për demokraci duhet të mbështeten në vepra dhe rregullat e demokracisë të respektohen” që u dhanë kryengritja dhe lufta politike e shqiptarëve ata duhet ta zbatojnë megjithëse do të jenë të prirur ta harrojnë në qoftë se nuk ushtrohet presion i brendshëm dhe i jashtëm. Ata duhet të heqin dorë më në fund, njëherë e përgjithmonë, nga qëndrimi i tyre anti-shqiptar, burim i kontradiktave dhe i padrejtësive të cilat, siç e përjetuam të gjithë, u acaruan aq shumë sa arritën deri në një luftë që askush nuk e dëshironte.


Eqerem Mete

Drejtor Politik për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme

në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë (1992-1996)

Boston, Massachusetts

27 shkurt, 2002

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page