top of page
Writer's pictureShirley Cloyes DioGuardi

ALB - Time Is Running Out in Kosova

Updated: Aug 6, 2018

Po i Ikën Koha Kosovës



nga Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit


Që nga Qershori 1999, progresi politik, shoqëror dhe ekonomik i Kosovës është mbajtur peng për shkak të statusit final të padefinuar. Shqiptarët e Kosovës, që kryesisht janë pro-perëndimorë, demokratikë, të zellshëm, të disiplinuar, dhe punëtorë, janë kurthuar në një shoqëri të varur nga ndihmat. Afër shtatëdhjetë përqind e Shqiptarëve të Kosovës ende janë të papunë, në një popullatë ku mëse 70 përqind e banorëve janë nën moshën tridhjetë vjeçare. Privatizimi dhe çasja në kreditë nga Banka Botërore, që do të sjellnin punësim dhe investime aq shumë të duhura për Kosovën, në mënyrë të përsëritur janë bllokuar nga komuniteti ndërkombëtar tejmase i preokupuar me ankesat historike të Serbisë ndaj Kosovës.


Më 20 Dhjetor 2002, Kongresmeni Henry Hyde, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, kishte paralajmëruar se, “Kosova është në rrezik të shëndrrimit në një Breg të Gazës, kësaj rradhe mu në zemër të Evropës.” “Nuk do të ketë punë pa paqe dhe stabilitet,” ka thenë ai, “por nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Kosovë pa pavarësi.” Në Janar 2003, Hyde iu bashkangjitë Kongresmenit Tom Lantos, anëtarit numër një Demokrat në këtë Komitet, duke bashkësponsoruar (nënshkruar) Rezolutën 28 të Kongresit, e cila thërret Shtetet e Bashkuara që të deklarojnë pavarësinë për Kosovën tash. Më pak se një vit e gjysëm më vonë, deprivimi, që është mbajtur nën kontrollë falë zemërgjerësisë së Shqiptarëve në diasporë, ka filluar të rritet dhe dhuna ka shpërthyer. Sidoqoftë, Departamenti i Shtetit të SHBA-ve vazhdon të insistojë se Kosova duhet t’i arrijë standardet pothuajse të paarritëshme para se statusi i saj do të mund të zgjidhet.


Edhe sa vuajtje dhe humbje jetësh duhet të durojë Kosova para se komuniteti ndërkombëtar të kuptojë dhe politikat e tij të gabuara gjenden mu në zemër të problemit? Si pasojë e dhunës tragjike pas mbytjes në lum të tre fëmijëve Shqiptarë në Kosovën veriore muajin e kaluar, NATO, OKB, Uashingtoni, dhe Brukseli kanë dërguar përforcime për mëse 18,000 trupat e NATO-s që veç gjenden në vend, në këtë protektorat të OKB-së me mëse dy million banorë. Por, opcioni ushtarak është vetëm një zgjidhje e përkohëshme. Ai nuk do të zgjidhë problemi thelbësor, që është dështimi i komunitetit ndërkombëtar në njohjen e pavarësisë së Kosovës—pesë vite pasi NATO i dha fund lufës gjenocidiale të ish-diktatorit Serb Slobodan Millosheviq kundër shumicës Shqiptare të Kosovës. Vonimi i pacaktuar i statusit final të Kosovës e ka sjellur atë në qosh përsëri.


NATO ka pasqyruar në mënyrë të gabueshme kaosin që kaploi Kosovën nga 17 deri më 19 Mars, duke lënë 19 të vdekur dhe shumë të lënduar, si një akt “të orkestruar” nga Shqiptarët për të “spastruar etnikisht” minoritetin Serb të Kosovës. Parasëgjithash, Shqiptarët e Kosovës dënojnë dhunën dhe nuk janë ata që u zhytën në përleshjet e shkaktuara pas demostratave paqësore. Dëshprimi dhe hidhërimi Shqiptar si duket u shfrytëzua nga një grup i vogël kriminelësh dhe ekstremistësh politkë nga të dy komunitetet sikur ai Serb ashtu edhe ai Shqiptar. Mirëpo, pjesa kryesore e dhunës që ndodhi nuk ishte as e orkestruar e as në lidhje me ndonjë trazirë ndëretnike. Ishte një shpërthim spontan i hidhërimit dhe frustrimit nga ana e Shqiptarëve të stresuar që kanë humbur besimin në qëllimet e komunitetit ndërkombëtar, filluar nga Serbët në qytetin ilegalisht të ndarë të Mitrovicës ku Shqiptarët janë përditë të provokuar nga aktivitetet destabilizuese të Beogradit atje. Gjerësa NATO, qeveria e SHBA-ve, dhe Bashkimi Evropian nuk e kuptojnë këtë realitet, ata do të kenë më shumë afinitet në përsëritjen e politikave të jashtëme të dështuara në të kaluarën.


Në frontin politik, askund më mirë nuk shihet dështimi I politikës së jashtme perëndimore se sa në regjionin e Mitrovicës, ku fëmijët Shqiptarë gjetën vdekjen në ujrat e lumit Ibër, që tani ndanë shumicën Serbe në veri dhe atë Shqiptare në jug. Para luftës, Mitrovica ka qenë një qytet i pandarë shumetnik me shumicë Shqiptare. Që nga përfundimi i sulmeve ajrore të NATO-s në Qershor 1999, është bërë e pamundur për Shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre ne veri, si dhe për Serbët të kthehen në jug. Në shkelje të vet Rezolutës 1244 të OKB-së, komuniteti ndërkombëtar ka heshtur para ndarjes ilegale por de facto të Mitrovicës. Edhe pse publikisht është shprehur kundër krijimit të strukturave paralele Serbe në veri, në realitet komuniteti ndërkombëtar vetëm se ka shikuar gjerësa këto struktura janë krijuar me insistimin dhe ndihmën e Beogradit.

Duke ditur se ka humbur të drejtën për të qeverisur Kosovën, Beogradi është angazhuar aktivisht për të destabilizuar atë që nga përfundimi i luftës në mënyrë që të avokojë në favor të argumentit për ndarjen e Kosovës si zgjidhja e vetme ndaj konfliktit Serbo-Shqiptar. Duke pretenduar të jetë i preokupuar me Serbët e Kosovës, politika destabilizuese e Beogradit ka patur një ndikim të madh në dhunën e muajit të kaluar. Në përvjetorin e pestë të bombardimit të NATO-s kundër Serbisë më 24 Mars 1999, Beogradi shpreson të bindë komunitetin ndërkombëtar njëherë e përgjithmonë se “terrorizmi” Shqiptar është problemi dhe se ndarja është zgjidhja. Gjerësa insistohet që Kosova të mbetet nën kontroll të Serbisë, marrja e një pjese të territorit gjithëmonë ka qenë edhe fund i lojës për Serbinë.


Nëse Serbia ka sukses të realizimin e qëllimeve të saja, kjo do të ndodhë vetëm nëse Uashingtoni dhe Brukseli janë mashktruar gjatë këtyre katër viteve dhe kanë harruar se Serbia, ajo që nën Millosheviqin ka bërë katër luftra agresive në Ballkan duke lënë mëse 300,000 të vdekur dhe mëse 4 milionë të zhvendosur, ende është e pareformuar. Në Serbi, krimi i organizuar vepron kokë më kokë me kriminelët e luftës, policinë speciale, dhe establishmentin politik. Edhepse ky realitet më në fund u demaskua vitin e kaluar me faktin se Beogradi i kishte shitur armë Irakut gjatë kohës kur ndaj Irakut kishte embargo të armëve, dhe që ai ishte i përzier në atentatin vdekjeprurës ndaj atëherë-Kryeministrit Serb Zoran Gjingjiq, Perëndimi ka dështuar të përdorë këto fakte për të shkatërruar totalisht sistemin e Millosheviqit.


Gjerësa dhuna e muajit së kaluar në Kosovë duhet dënuar, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë shumë i qartë në lidhje me burimin e saj. Të akuzuarit e liderëve vendor Shqiptarë, siç bëri Bashkimi Evropian, kur komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar t’ju jape atyre pushtet të vërtetë për të qeverisur Kosovën dhe në mënyrë të madhe i ka përjashtuar ata nga procesi vendimmarrës, nuk do të parandalojë Kosovën për t’u futur në një spirale të daljes nga kontrolli përsëri. Vetëm pavarësia e Kosovës do të vendoste atë dhe gjithë rajonin në rrugën drejtë një paqe të drejtë dhe afatgjatë. Është lehtë për komunitetin ndërkombëtar të harrojë se Shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur për mëse një decade nën pushtimin Serb, dhe kanë pësuar më në fund luftën që la mëse 10,000 Shqiptarë të vdekur dhe afër një milion të deportuar. Ka ardhur koha për t’i çliruar Shqiptarët nga frika se mund të kthehen përsëri nën dominimin Serb; për t’i çliruar Serbët, që nuk kanë qenë të kyçur në krimet e viteve 1998-1999 dhe duan të kthehen për të jetuar në Kosovë, nga presionet e Beogradit; për t’i ndihmuar Serbisë të ndahet nga e kaluara e saj raciste dhe imperialiste; dhe për të ruajtur Perëndimin nga dështimi në paqe, gjë që vështirë do ta përballonte.

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page