top of page
Writer's pictureAACL

ALB - The Unfinished Business of Albanian Rights in Montenegro

Çështja e Papërfunduar e Të Drejtave Të Shqiptarëve Në Mal Të Zi


Pavarësia e Malit të Zi do t’i faktorizojë shqiptarët atje dhe nuk do t’i trajtojë më si qytetarë të dorës së dytë


Nga Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Ballkanin


Ossining, New York, 17 Maj 2006 – Më 21 maj 2006, rreth 480 mijë shtetas të Malit të zi me të drejtë vote, do të vendosin për ndarjen nga Serbia. Ata mbajnë referendumin e tyre kombëtar për pavarësinë. Mali i Zi, njëra ndër tetë njësitë juridike që përbënin ish-Jugosllavinë, ka ndjerë në lëkurën e tij ndaljen e progresit nga vendimi i Bashkimit Evropian i vitit 2003, vendim i cili i imponoi këtij vendi mbetjen e mëtejme në shtetin artificial të quajtur “Serbia dhe Mali i Zi”. Premieri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviqi, u pajtua atëbotë pa as më të voglën dëshirë ta pranonte unionin e ri shtetëror, i cili ç’është e drejta ka qenë në agoni që nga fillimi, pasi që marrëveshja parashihte kushtin që referendumi për pavarësi do të mbahej pas tre vjetësh. Rezultati i këtij referendumi nuk mund të parashihet me saktësi. Ndërmjetësuesit e BE-së kanë vënë një prag të lartë kushtëzimi, duke përcaktuar minimumin e pjesëmarrjes 50 për qind të elektoratit dhe 55 për qind të votës pro për t’u njohur pavarësia. Për këtë arsye, zyrtarët në Serbi dhe në Mal të Zi po ndërmarrin masa të jashtëzakonshme për ta kthyer rrjedhën e ngjarjeve në dobinë e tyre, duke përfshirë heqjen e shpenzimeve të transportit për pjesëtarët e diasporës që duan ta hedhin votën e tyre ditën e diel. Por, ajo që mund të parashihet me saktësi është se vota për pavarësi nuk do ta ndryshojë jetën e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo nuk do të ndodhë gjithë derisa shqiptarët të mos e paraqesin rastin e tyre para Brukselit dhe Uashingtonit dhe derisa të mos kërkojnë që t’i jepet fund statusit të tyre të dorës së dytë në Mal të Zi. Këtë nuk po e them si sugjerim që shqiptarët duhet ta bojkotojnë referendumin. Bashkimi Evropian, veçanërisht shefi i BE-së për politikë të jashtme, Havier Solana, e krijoi unionin Serbi e Mal i Zi në kuadër të përpjekjeve për ta shtyrë për më vonë marrjen e vendimit për statusin final të Kosovës, në mos për ta bllokuar tërësisht rrugën e saj drejt pavarësisë.


Përkrah votës për ndarje nga Serbia, shqiptarët në Mal të Zi do të duhej që po ashtu të kërkojnë barazi.


Veprimet e BE-së janë ndikuar nga nostalgjia e pavend për Jugosllavinë e Titos dhe nga besimi i gabuar se pavarësia e Kosovës do të çojë në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Për të qenë akoma më keq kjo ka ngjarë në kohën kur angazhimi i vetëm imperialist në Ballkan gjatë njëzet vjetëve të fundit ka qenë angazhimi dhe kërkesa këmbëngulëse për “Serbinë e Madhe”. Duke e ditur faktin se pavarësinë e Kosovës e mbështesin të gjithë shqiptarët dhe faktin se dhënia fund e shpërbërjes së plotë të ish-Jugosllavisë është mënyra e vetme për të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën Juglindore, unë besoj se shqiptarët duhet ta mbështesin pavarësinë e Malit të Zi. Duke e pohuar këtë gjë, nuk mendoj se shqiptarët duhet të votojnë për pavarësinë e Malit të Zi pa insistuar po ashtu që çështja e papërfunduar e Malit të Zi nuk është ndarja nga Serbia por njohja e të drejtave të barabarta për shqiptarët që përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë së vendit dhe të cilët jetojnë në tokat e tyre për mijëra vjet me radhë, tokë kjo që është aneksuar nga Mali i Zi me ndihmën e të ashtuquajturave Fuqi të Mëdha në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Përkrah votës për ndarje nga Serbia, shqiptarët në Mal të Zi do të duhej që po ashtu të kërkojnë barazi.


Mali i Zi ia doli t’i detyronte shqiptarët të iknin nga tokat e tyre pa shkrepur asnjë fishek, por falë praktikave antinjerëzore siç janë, fjala vjen, mohimi i shërbimeve themelore të jetesës


Ka ardhur koha që për Malin e Zi të thuhet e vërteta në shtypin dhe parlamentet e mbarë botës. Shqiptarët rëndom nuk e dinë faktin se shumica e zyrtarëve në Bashkimin Evropian dhe në ShBA dinë shumë pak për Malin e Zi sepse ky vend edhe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk është shndërruar asnjëherë në “pikë të nxehtë“.


Deri para pak kohësh, shqetësimet e Perëndimit për Malin e Zi janë përqendruar kryesisht në mbajtjen e tij bashkë me Serbinë me çfarëdo çmimi dhe parandalimin e shpërthimit të krimit të organizuar dhe trafikimit të njeriut nga blloku lindor në Evropën Perëndimore.


Veç kësaj, për arsye se Milo Gjukanoviqi në vitin 1997 i shkëputi lidhjet me ish-diktatorin serb, Slobodan Milosheviq dhe mbajti anën e Perëndimit gjatë luftës së NATO-s në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa nxituan ta proklamonin Malin e Zi vend demokratik, megjithëse kjo gjë është më shumë iluzion se realitet.


Shumica e zyrtarëve perëndimorë nuk e dinë se popullsia shqiptare në Mal të Zi është vetëm gjysma e popullsisë që ishte në fund të Luftës së Dytë Botërore.


Dhe ky realitet është krijuar vetëm për shkak të angazhimit të përqendruar për përzënien e shqiptarëve nga toka e tyre dhe ripopullimi i atyre viseve me malazezë të përkatësisë sllave, grupi më i madh etnik i këtij vendi. Fillimisht, kjo dukuri kishte marrë trajtën e spastrimit etnik dhe dëbimit, veçanërisht në fund të luftërave ballkanike 1912-1913-4. Më pas, ajo u shfaq në formë të një projektimi të kujdesshëm demografik. Kështu, Mali i Zi ia doli t’i detyronte shqiptarët të iknin nga tokat e tyre pa shkrepur asnjë fishek, por falë praktikave antinjerëzore siç janë, fjala vjen, mohimi i shërbimeve themelore të jetesës, si mungesa e ujit të pijshëm, e rrymës, e telefonit, pastaj mungesa shumë e theksuar e shkollimit, papunësia, mospjesëmarrja në jetën politike, konfiskimi i mijëra hektarëve tokë në pronësi të shqiptarëve, dhënia e dokumenteve të shumta ilegale për inkurajimin imigrimit jashtë vendit, persekutimi dhe burgosja e disidentëve dhe akordimi i lehtësirave dhe përfitimeve të shumta për ata shqiptarë që tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga gjuha dhe historia e tyre. Mali i Zi ka paguar lobe dhe ekspertë të ndryshëm perëndimorë për Evropën Juglindore për ta fshehur e maskuar këtë realitet dhe për vite të tëra me radhë ka themeluar një sistem të elaboruar agjentësh sekretë në Ballkan dhe në diasporë për t’i forcuar dhe imponuar politikat e tij antishqiptare.


Milo Gjukanoviqi, njeriu që ka mundur të ngelë në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve e di shumë mirë se vota e shqiptarëve shihet si votë vendimtare për suksesin e fushatës proindipendentiste


Po të mos ishin udhëtimet e kongresistëve Tom Lantos e Dana Rorabaher në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tuz dhe në Plavë e Guci, udhëtime që ata i bënë me Lidhjen Qytetare Amerikano-Shqiptare në verën e vitit 2003 dhe 2005, dhe po të mos ishte seanca dëgjimore e Kongresit me temën “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi” që u mbajt në tetor të vitit 2003, halli dhe mjerimi i shqiptarëve do të kishte vazhduar të mbetej jashtë vëmendjes së politikës së jashtme të Perëndimit. Por me gjithë këtë aktivitet të theksuar, qeveria malazeze, me ndihmën e disa surrogateve amerikanë në Uashington dhe të kolaboracionistëve shqiptarë, e ka luftuar me çdo mjet angazhimin dhe përpjekjet që ka bërë LQSHA për ta nxjerrë në shesh të vërtetën për jetën e shqiptarëve në Mal të Zi . Vjeshtën që shkoi, qeveria e Gjukanoviqit miratoi projektligjin për Kryeqytetin, një ligj ky që e vë rajonin e Tuzit me shumicë shqiptare brenda dhe nën kontrollin e plotë të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricës, me gjithë kundërshtimin e fuqishëm të kongresistit Tom Lantos ndaj miratimit të këtij ligji dhe apelit të tij që Tuzit t’i kthehet statusi i komunës që dikur i ishte marrë me forcë. Është për të të ardhur keq që Ferhat Dinosha, lideri i Unionit Demokratik të shqiptarëve në Mal të Zi dhe njëri nga dy përfaqësuesit e vetëm shqiptarë në parlamentin malazez, e hodhi votën vendimtare që u pamundësoi shqiptarëve të Tuzit t’i gëzojnë të drejtat e njëjta të vetëqeverisjes që i gëzojnë 21 komunat ekzistuese në Mal të Zi. Miratimi i ligjit për kryeqytetin para referendumit ishte ironi e dhembshme, sepse nga shumë vëzhgues dhe analistë, vota e shqiptarëve shihet si votë vendimtare për suksesin e fushatës proindipendentiste. Dhe është më se e qartë se Milo Gjukanoviqi, njeriu që ka mundur të ngelë në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve vetëm falë votës shqiptare, këtë të vërtetë e di më mirë se kushdo tjetër.


Duke punuar me agjentë të ndryshëm udhëtimi me përkatësi shqiptare dhe duke i shfrytëzuar listat e krijuara me ndihmën e agjentëve të tyre sllavë e shqiptarë në ShBA, qeveria e Gjukanoviqit u ka paguar mijëra shqiptaro-amerikanëve që ende mbahen për qytetarë të Malit të Zi, shpenzimet për udhëtim me qëllim që të hedhin votën e tyre pro pavarësisë. Dhe këtë e ka bërë megjithëse gjatë tërë kësaj koha ka refuzuar që këtyre shqiptarëve t’ua njohë të drejtat më elementare civile dhe njerëzore.


Mali i Zi i pavarur përbën një përparësi të madhe për shqiptarët


(Duhet theksuar këtu se ndërkohë që Gjukanoviqi dëshiron që referendumi të dalë me sukses, mbi vete po merr një rrezik të jashtëzakonshëm duke i tjetërsuar shqiptarët në vend që ata t’i fuqizonte e mobilizonte për votën e pavarësisë). Marrja e pavarësisë nga Serbia, për shqiptarët përbën një përparësi të madhe, për faktin se me këtë hap, Mali i Zi do të vendoset nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe vendi do të detyrohet t’i zbatojë rregullat dhe rendin e kësaj bashkësie. Kjo gjë do të hapë shtigje deri tani të pashkelura për rikthimin e statusit komunal për Tuzin dhe shqyrtimin në përmasa të plota të të drejtave të njeriut aq shumë të shkelura nga Mali i Zi ndaj shqiptarëve. Por, qasja në instrumentet e BE-së do të kërkojë edhe tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj realitetit të ngjashëm me aparteidin të cilin e jetojnë aq shumë shqiptarë të Malit të Zi. Kjo pahetueshmëri e vuajtjes shqiptare në Mal të Zi, javëve të fundit është lënë në harresë edhe më të madh nga pothuajse mungesa e plotë e zërave shqiptarë në shtypin perëndimor, i cili i është kushtuar i tëri luftës midis forcave pro dhe kundër pavarësisë në Mal të Zi, luftë kjo që po i paraprin referendumit të ditës së diel. Fitoi apo jo referendumi, e ardhmja e Malit të Zi varet nga dëgjimi përfundimtar i zërit të shqiptarëve./(Përktheu: Musli Bazhdaraj; Përg.për botim: Elida Buçpapaj)

Recent Posts

See All

コメント


bottom of page