TERRORI I DREJTËSISË NË MAL TË ZI -
TË LIROHEN TË KATËRMBËDHJETËT TUZIT
Nga: Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Ballkanin e Liga Qytetare Shqiptaro
Nga arrestimi i katërmbëdhjetë shqiptarëve, tre prej të cilëve qytetarë amerikanë, kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Ata u arrestuan nëpër shtretërit e tyre të gjumit në Tuz në orët e hershme të mëngjesit të shtatorit të vitit 2006, nga një ekip forcave speciale (SWAT) i maskuar dhe i armatosur deri në dhembë që po realizonte operacionin e koduar me emrin “Fluturimi i shqiponjës”. Të nesërmen, dita kur në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, qeveria bëri një deklaratë për shtypin, në të cilën theksonte se këta burra ishin arrestuar sepse ishin pjesë e një grupi të organizuar terrorist për përmbysjen e shtetit. Por, me këtë rast nuk u ofrua asnjë provë, përveç disa fotografive të një depoje të fshehtë armësh, që të gjitha armë të Luftës së Dytë Botërore, fotografi këto që u nxorën me pompë në ballinat e medies malazeze. Në kohën kur u arrestuan, tre shqiptaro-amerikanët, Kolë Dedvukaj, Rrok Dedvukaj dhe Sokol Ivanaj, kishin shkuar të bënin pushimin e tyre vjetor në Malin e Zi. Kola dhe Rroku, dy nga të burgosurit që i njoh personalisht, janë punonjës që në pension kanë dalë nga linja prodhuese e “Chrysler”-it nga periferia e Detroidit. Rroku është pensionuar për shkak të problemeve me kurrizin dhe ky ishte udhëtimi i tij i parë në Mal të Zi gjatë njëzet viteve të fundit. Një natë para se të arrestoheshin, këta tre qytetarë amerikanë, së bashku me pjesën më të madhe të grupit të katërmbëdhjetave, kishin marrë pjesë në një tubim politik paqësor në Tuz në mbështetje të politikanit shqiptarë që menjëherë të nesërmen, kur ata tashmë gjendeshin prapa grilave, u zgjodh anëtar i parlamentit të Malit të Zi
Derisa nuk u nxorën para gjykatës së lartë në Podgoricë, katërmbëdhjetë të arrestuarit shqiptarë nuk e dinin as më të voglën arsye përse ishin arrestuar e poshtëruar dhe ishin rrahur për orë të tëra me radhë, përse i kishin detyruar me forcë të rrinin në gjunjë dhe përse i kishin kërcënuar me armë dhe me elektricitet dhe i kishin lënë pa ngrënë e pa pi për tri ditë me radhë. Mjafton të përmend në këtë rast se gjendja shëndetësore e Kolë Dedvukajt është përkeqësuar aq shumë sa që jeta e tij tashmë është në rrezik
“Amnesty International” dhe “Helsinki International” ndërhynë, duke i sfiduar autoritetet malazeze për të hetuar përdorimin e torturës kundër këtyre 14 të arrestuarve.
Të nxitur nga Lidhje Qytetare Shqiptaro-Amerikane, anëtarë të Kongresit amerikan, më saktë, kongresisti Tom Lantos, tani kryetar i Komitetit të Kongresit për çështje të jashtme, kongresistja Ileana Ros-Lehtinen, republikani i rangut të lartë anëtar i lartë i këtij komiteti, Dana Rorabaher (Rohrabacher) dhe senatori Xhozef Baiden, tani kryetar i Komitetit të Senatit për marrëdhënie me jashtë, i bënë thirrje qeverisë së Malit të Zi që ose të dëshmojë me prova aktivitetin kriminal dhe të hap procedurën penale kundër katërmbëdhjetë të arrestuarve me kohë, ose t’i lirojë ata menjëherë. Por, deri më tani, letrat e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Viktima të torturës dhe të nxjerrjes së “provave” në mënyrë ilegale
Siç është konfirmuar në raportin e “Amnesty Interanational” të tetorit të vitit 2006, një raport që mban titullin “Mali i Zi – shteti më i ri anëtar i OKB-së duhet të ndalojë torturën dhe duhet të ndërmarrë masa për sjelljen e policëve para drejtësisë”, torturimi i katërmbëdhjetë shqiptarëve, nga dita e arrestimit më 9 shtator në Tuz derisa janë transferuar në burgun federal në Podgoricë më 12 shtator, është një model që përputhet plotësisht dhe dokumentohet me gjetjet e cekura të një raporti të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, të botuar në muajin maj të po atij viti, vitit 2006, kushtuar shtetit të atëhershëm, Serbi dhe Mal i Zi. Sokol Ivanaj ka deklaruar se torturimi që i kishin bërë atij ishte aq i rëndë dhe i ashpër sa që ishte detyruar të pranonte gjëra të paqena, pra ishte detyruar të bënte deklaratë të rreme. Më 15 marsin që sapo e lamë pas, avokatët mbrojtës të shqiptarëve të arrestuar, e njoftuan “Amnesty International”-in se hetimet për përdorimin e torturës kundër katërmbëdhjetë shqiptarëve të burgosur nuk janë bërë ende edhe gjashtë muaj pas ngritjes në emër të tyre të aktakuzave penale pranë Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Po ashtu, deri tani, ndaj policëve pjesëmarrës në këto shkelje të rënda nuk është ndërmarrë asnjë masë disiplinore.
Më në fund, qeveria malazeze veproi në po këtë mënyrë edhe më 7 dhjetor, kur pas tre muaj paraburgimi, ngriti padinë formale kundër grupit në tërësi për “planifikim të krimeve të terrorizmit dhe kryengritje kundër shtetit” duke u mbështetur mbi prova të nxjerra në rrugë ilegale që në asnjë mënyrë nuk e provojnë akuzën. Sipas avokatëve të Kolë dhe Rrok Dedvukaj, aktakuza prej tridhjetë faqesh përmban, fjala vjen, vetëm pakë paragrafë në të cilët përmenden klientët e tyre. Këta paragrafë bazohen në një ditar të konfiskuar nga një i burgosur tjetër gjatë një operacioni bastisë pa urdhërarrest dhe pa praninë e dëshmitarëve, në një deklaratë të nxjerrë nën torturën policore nga një i burgosur tjetër dhe mbi dy biseda kafenesh të përgjuara nga informatë të sigurimit malazez në Shkodër dhe Tiranë, Shqipëri.
Për më tepër, Rrok Dedvukaj del në këtë aktakuzë si njeri i përkushtuar për paqen dhe kundër dhunës dhe Kolë Dedvukaj përmendet vetëm si njëri ndër personat e pranishëm në Shkodër që nuk është përzier fare në diskutim lidhur me nevojën potenciale për nisjen e një lufte të armatosur për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Thënë troç, këta persona po trajtohen si pjesë e një grupi të organizuar që ka përgatitur sulme terroriste, ndërkohë që nuk jepet as edhe një përshkrim i vetëm qoftë edhe i një fjalë të tyre personale, e lere më i ndonjë aksioni që do të justifikonte qoftë edhe dyshimin mbi ta lidhur me atë që u vihet barrë me pa të drejtë. Dhe, ashtu siç theksuan nëntë avokatët që përfaqësojnë katërmbëdhjetë të burgosurit e Tuzit në një dokument më 12 tetor 2006 “nuk ekziston as edhe një indikacion se këta persona kanë kryer vepra penale të llojit që u ngarkohen”. Kjo gjë ngre shqetësime serioze për arsyet e arrestimit të tyre dhe për prolongimin e mbajtjes së tyre në burg.
Të arrestuarve u është mohuar e drejta për gjykim të menjëhershëm dhe të drejtë
Tre muaj me radhë të arrestuarit u mbajtën në burgun e Spuzhit pa u akuzuar për asfarë vepre penale. Megjithatë, ata pa të drejtë dhe rregullisht vazhduan të quheshin “terroristë” nga shtypi malazez, duke e shkelur kështu supozimin për pafajësinë së tyre.
Kur më në fund qeveria, në dhjetor ngriti akuzat kundër këtyre personave, drejtësia e kësaj qeverie pohoi me bujë se këta njerëz “ishin duke përgatitur në mënyrë kolektive nxitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër shtetit” me qëllim që nëpërmjet saj “të krijonin një territor rajonal brenda Malit të Zi të banuar nga populli shqiptar me një status special dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të Malit të Zi”. Firma juridike Preleviq, që përfaqëson Kolë dhe Rrok Dedvukajn ashtu si edhe disa të burgosur të tjerë të këtij grupi, ka theksuar se, përkundrazi “nuk ekziston asnjë provë që flet për rënien e tyre ndesh me ligjin dhe se përdorimi i torturës tronditëse dhe burgosja e këtyre katërmbëdhjetë personave është akt i dhunës së motivuar mbi baza etnike kundër shqiptarëve dhe se mendësia e qeverisë malazeze duhet të ndryshohet me patjetër”. Disa liderë politikë shqiptarë të Malit të Zi i kanë deklaruar shtypit se arrestimet kanë arritur shkallën e një provokimi politik, sepse shumica e të arrestuarve janë njerëz që i kanë mbështetur politikanët shqiptarë në Tuz gjatë tërë kohës së angazhimit të tyre për rikthimin e statusit komunal të Tuzit, dhe jo partinë në pushtet, që atëherë drejtohej nga premieri Milo Gjukanoviq.
Më 9 prill 2007, këta katërmbëdhjetë burra do t’i kenë rrafshuar shtatë muaj burg, ndërkohë që janë hedhur poshtë të gjitha apelet për lirimin e tyre me garanci dhe kaucion. Për të qenë edhe më skandaloze, në rastin e amerikanëve kaucioni garant është mohuar me arsyetimin se ekziston rreziku që ata të udhëtojnë për në ShBA si qytetarë amerikanë që janë, megjithëse autoritetet i kanë konfiskuar dhe i mbajnë pasaportat e tyre. Deri tani nuk është caktuar asnjë datë gjykimi. Gjykata e Lartë në Podgoricë jo vetëm që nuk ia ka dalë të caktojë datën e gjykimit në afatin prej dy muajsh nga data e ngritjes së aktakuzës, një veprim ky që përbën shkelje të ligjeve të vetë këtij vendi, por ka njoftuar se këtë datë nuk do ta caktojë derisa Austria të mos e sjellë vendimin përfundimtar nëse do ta ekstradojë apo jo Dodë Lucajn, një tjetër shqiptar etnik të përmendur në këtë rast, që aktualisht po mbahet i paraburgosur në Vjenë. Po që se Austria i zbaton procedurat e saj ligjore, vendimin duhet ta marrë deri kah mesi i prillit, kur duhet të vendosë për apelin e Lucajt për bllokimin e ekstradimit të tij. Por edhe në qoftë se ky vend nuk e merr këtë vendim deri në atë kohë, atëherë barra e provave rendon mbi qeverinë malazeze për të justifikuar mbajtjen e vazhdueshme në paraburgim të katërmbëdhjetë shqiptarëve nga Tuzi.
Dhe sapo të nxjerrë para gjykate ky rast, hapi i parë për t’u siguruar se procedura do të jetë e drejtë është që procesi në tërësi të incizohet në mënyrë elektronike dhe të mbahet njëkohësisht në gjuhën shqipe dhe malazeze, një çështje kjo, të cilën ambasada amerikane e ka diskutuar me qeverinë malazeze në muajin shkurt. Për arsye se qeveri deri tani ka dështuar tepër shumë në përmbushjen e obligimeve të saj ndërkombëtare lidhur me këtë rast, dyshohet me të drejtë se kapacitetet e saj për të kryer gjykim të drejtë nuk janë në nivelin e duhur.
Prapa arrestimit dhe paraburgimit të gjatë të katërmbëdhjetë shqiptarëve në Tuzi qëndron politika
Në një letër dërguar ambasadës amerikane në Podgoricë më 28 nëntor 2006, Firma juridike (avokatura) Preleviq theksonte se është e bindur se klientët e tyre “po abuzohen nga autoritetet malazeze në mënyrë të paramenduar, me qëllim që ‘të dëshmojnë’ një konspiracion, gjoja me përmasa ndërkombëtare, në mënyrë që kështu t’i arrijnë qëllimet e tyre”. Konspiracioni të cilit i referohen ata është një fiksion i pastër i shpikur e trilluar nga disa forca në radhët e qeverisë së Malit të Zi dhe një pjese të të bashkësisë ndërkombëtare dhe ky konspiracion do të duhej të na mbushte mendjen se ekziston një grup militant i shqiptarëve që shtrihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Kosovë e në Mal të Zi dhe që është një grup, i cili, gjoja, merret me përgatitje të akteve të dhunshme në Evropën Juglindore.
Në të vërtetë, siç e ka potencuar në mënyrë shumë të qartë një diplomat i Perëndimit, arrestimi dhe mbajtja në burg e katërmbëdhjetë shqiptarëve nga Tuzi është një përpjekje “për të thyer hallkën lidhëse midis diasporës shqiptaro-amerikane dhe komuniteteve shqiptare në Mal të Zi. Fuqia në rritje e kësaj lidhjeje erdhi në shprehje në angazhimin e banorëve të rajonit me shumicë shqiptare të Malësisë për t’i rikthyer Tuzit statusin e komunës, status ky që është hequr me forcë nga qeveria malazeze në vitin 1957. Tash për tash nuk është e qartë se cilat pjesë të qeverisë malazeze mund të kenë pasur dhe kanë ende gisht në gjithë këtë zhvillim. Disa spekulojnë se përgjegjës për gjithë këtë janë zyrtarë me lidhje të fuqishme me Serbinë dhe sipas tyre kjo është bërë me qëllim që të minohen të gjitha përpjekjet dhe mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës duke u veshur kështu shqiptarëve cilësimin e një forcë të dhunshme në zemër të Evropës. (Ndërkohë, popullsia shqiptare, me gjithë represionin dhe shtypjen e pandërprerë, e ka një histori të tërë të veprimtarisë jo të dhunshme në Mal të Zi dhe vota shqiptare në referendumin e muajit maj të vitit 2006 e solli balansin në dobi të pavarësisë së kërkuar gjatë të Malit të Zi nga Serbia).
Qarqe të tjera spekulojnë se në këtë rast kanë gisht disa politikanë shqiptarë që mbajnë lidhje me partinë malazeze sllave në pushtet, me shpresë se kështu do të arrijnë të shuajnë atë që ata e përjetojnë si një kërcënim për pushtetin e tyre politik që buron pikërisht nga Tuzi. Koha e arrestimit të katërmbëdhjetë shqiptarëve nga Tuzi, vetëm pakë orë para se të mbaheshin zgjedhjet, të cilat do të sillnin në Parlament kandidatin që do të duhej të përfaqësonte interesat dhe aspiratat e Tuzit, nuk ka kaluar pa u vënë re. Megjithatë, disa të tjerë besojnë se qeveria e Malit të Zi u fut në këtë operacion nga komuniteti ndërkombëtar i organeve të drejtësisë në kuadër të “luftës” së tij “kundër terrorit”, por që operacioni shkoi huq dhe doli gabim për arsye se një shqiptar që ende vazhdon të jetë në liri dhe që është i përzier në këtë aferë, është informatori apo agjent i që ka ndihmuar në farkëtimin e tërë këtij rasti.
Sa më gjatë që do të mbetet në burg katërmbëdhjeta e Tuzit pa u nxjerrë para gjykate, aq më shumë pyetje dhe pikëpyetje do të ngrihen për arsyen e vërtetë të burgosjes së tyre. Sjellja e këtij rasti në dritën e drejtësisë ndërkombëtare kërkon një hetim të thellë të këtij rasti dhe një sqarim të tërë politikave që kanë qëndruar e po qëndrojnë prapa burgosjes së tyre.
Implikimet për Malin e Zi dhe për Perëndimin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian duhet t’i shqetësojë statusi i tërë këtij rasti, dhe jo vetën në lidhje me të burgosurit e tij, të cilët janë arrestuar në rrugë krejt joligjore dhe janë torturuar e janë mbajtur të mbyllur muaj me radhë, por edhe në aspektin se çfarë nënkupton ky rast për të ardhmen e shtetit të ri të pavarur, i cili është pranuar në Kombet e Bashkuara dhe po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian si shtet demokratik, shumëetnik, multikulturor dhe multifetar. Për një Mal të Zi demokratik, përkrahja e iluzionit, në vend të realitetit do të jetë shërbimi më i keq për vendin dhe për tërë rajonin dhe në aspektin afatgjatë, një veprim i tillë do të minojë synimin e Bashkimit Evropian për ta integruar Ballkanin. Si vend demokratik, Mali i Zi e ka përgjegjësinë të zbatojë sundimin e ligjit dhe t’i mbrojë liritë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e tij, dhe veçanërisht t’i mbrojë këto të drejta të popullsisë së numërt etnike shqiptare si dhe të drejtat e minoriteteve të tjera. Në mesin e këtyre të drejtave bëjnë pjesë edhe trajtimi i të burgosurve në mënyrë humane dhe mbajtja e tyre si të pafajshëm deri në momentin kur nuk është provuar fajësia e tyre duke mos harrua po ashtu se në rast paraburgimi, qytetarët ose duhet të lirohen ose duhet t’u bëhet gjyq në vendin dhe kohën e paraparë me ligj. Në rastin e katërmbëdhjetët arrestuarve në Tuz, mbrojtja e këtyre të drejtave themelore është shkelur në mënyrën më skandaloze. (Përktheu: Musli Bazhdaraj – Për. Për botim: Elida Buçpapaj)
April 1, 2007
New York
Shirley Cloyes DioGuardi
Balkan Affairs Adviser, AACL
Comments