top of page
Writer's pictureHon. Joseph DioGuardi

ALB - The Albanian Question Lingers

CESHTJA SHQIPTARE ENDE E PAZGJIDHUR


Nga Hon. Joseph J. DioGuardi


(Vërejtje—Ky artikull është bazuar në ligjërimin e autorit (i cili ishte ligjërimi kryesor i konferences) në Washington, DC, më 14 Korrik në konferencën mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan, e cila ishte organizuar nga divizioni për intelegjencë të jashtme të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Agjencisë Qëndrore të Intelegjencës (CIA)).


* * * *


Ju falëmderit për mundësinë që të flas për sfidat politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Ballkan sot dhe si këto sfida, nëse nuk trajtohen, mund të ndikojnë negativisht në paqën dhe stabilitetin e Evropës Juglindore. Gruaja ime, që është eksperte e Ceshtjeve të Ballkanit, Shirley Cloyes, është me ne sot. Ne sapo jemi kthyer nga një udhëtim fakt-mbledhës në Kosovë, dhe Shirley do t’i dorëzojë një raport, të titulluar “Kosova në mëshirë të fatit” udhëheqësve të politikës së jashtme të Kongresit dhe Senatit këtë javë.


Bashkimi nuk është përgjigja


Së pari, më lejoni të them se ku unë qendroj (dhe ku gjithmonë kam qëndruar) në lidhje me bashkimin politik të trojeve shqiptare, që do të kërkonte ndryshimin e kufijëve ekzistues. Kjo është cështje që duket se provokon ndjenjën e frikës tek ekspertët e politikës së jashtme të preokupuar me paqën dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan. (Eshtë cështje që gjithashtu përdoret nga kundërshtarët tradicional të popullit shqiptar dhe të muslimanëve në përgjithësi për të nxitur flakën e racizmit dhe urrejtjes etnike.)


Prandaj, unë nuk përkrah domosdoshmërisht bashkimin e shqiptarëve dhe kurrë nuk e kam propozuar këtë si zgjidhje për shtatë milionë shqiptarët që jetojnë pranë njëri tjetrit në Evropën Juglindore. (Këtë nuk e përkrahë as ndonjë nga anëtarët e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që është një lobi vullnetar që kisha themeluar më 1989.) Në fakt, unë nuk kam vërejtur ndonjëherë përkrahje të madhe a të qartë në komunitetin shqiptar sa i përket bashkimit politik të trojeve shqiptare, vecanërisht jo gjatë njëzet viteve të fundit që kur kisha lënë Kongresin. Mirëpo, sigurisht që ka grupe të vogla që herë pas herë flasin për këtë, por këto grupe kanë pak apo aspak përkrahje në Ballkan apo në diasporën shqiptare.


Cka sa i përket bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?


Martesa më e mundëshme, nga një pikëpamje logjike (pasi që janë dy shtete sovrane) do të ishte në mes Kosovës dhe Shqipërisë, si lidhje kryesore e procesit të bashkimit shqiptar. Mirëpo, nuk kam vërejtur ndonjë lëvizje apo mendim të elites politike e as të popullit shqiptar atje që do të fillonte këtë proces. Në fakt, unë besoj se e kundërta është e vërtetë, sepse shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë kaluar nëpër një eksperiencë të ndryshme historike e politike që nga ngritja nga hiri i Perandorisë Otomane më 1912. Efekti tmerrues i diktaturës Staliniste Komuniste të Hoxhës mbi shqiptarët e Shqipërisë kishte për bazë edhe izolimin e plotë të tyre nga shqiptarët e Kosovës dhe krijoi një ambient krejtësisht të ndryshëm kulturor, shpirtëror, dhe ekonomik.


Në anën tjetër, besoj se ideja e bashkimit apo “Shqipëria e Madhe” është një mjet që përdoret nga lobi serb dhe përkrahësit e pakët të tyre në qendra si Washingtoni dhe Brukseli për të hequr vëmendjen tonë nga nevoja për demokratizimin e Serbisë dhe integrimin e saj në Evropë. Diktatori tani më i vdekur, Slobodan Millosheviq, përdori këtë koncept për të frikësuar Evropën me “shqiptarët muslimanë” dhe për të margjinalizuar tutje popullin shqiptar të Kosovës, gjerësa po ndjekte planin e tij për “Serbinë e Madhe”, gjë të cilën edhe e realizoi deridiku me krijimin e Republikës Serbe (Srbska). (Pasardhësit e Millosheviqit edhe tani po e vazhdojnë “ëndërrën” e perandorisë serbe duke zgjeruar Serbinë në Mitrovicë në pjesën veriore të Kosovës, përmes ndarjes de facto të Kosovës kundrejtë vullnetit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.) Në fund, nuk kam asnjë dyshim se cfarëdo ndryshimi kufijsh sot në Evropë do të na dërgonte në jostabilitet politik shkatërrues duke ofruar mundësi për bashkimin edhe të hungarezëve që jetojnë në Hungari dhe Serbi (Vojvodinë), Romani, dhe Sllovaki, apo edhe të kurdëve që gjithashtu janë të ndarë, por jetojnë pranë njëri tjetrit në Turqi, Irak, dhe Iran.


Kontroll nga Shumica me të Drejta për Pakicat – Zgjidhja e Vetme


Pra, cila është zgjidhja për popullin shqiptar? Në Kosovë, është kontrolli në duar të shimicës me të drejta për pakicat dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Kosova ka 92 përqind shumicë shqiptare. Meriton të jetë e pavarur. Kufijt e saj nuk kanë ndryshuar që nga dezintegrimi i Jugosllavisë—vetëm se statusi i tyre tani ka ndryshuar, nga kufijë provincial/republikan në kufij shtetëror. Kufijtë e Kosovës nuk duhet ndryshuar tani për të kënaqur Serbinë dhe Rusinë. (Mandej, Rusia duhet kundërshtuar shpesh dhe zëshëm nga BE dhe Shtetet e Bashkuara për përzierje në politikën e brendëshme dhe të jashtme evropiane.) Tutje, të drejtat e plota të pakicave për shqiptarët ne Mal të Zi, Luginë e Preshevës, Greqi, dhe Maqedoni duhet të respektohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për të parandaluar jostablitet të ardhshëm në tokat shqiptare pranë Kosovës dhe Shqipërisë. (Eshtë ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, për gjerësa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot.)


Greqia dhe Turqia duhet të njohin dhe pranojnë ekzistencën e pakicave të mëdha shqiptare në këto vende dhe të mbrojnë të drejtat gjuhësore, kulturore, dhe ekonomike të shqiptarëve që jetojnë atje si qytetarë dhe si banorë të përkohshëm. Greqia, mandej, duhet të zgjidhë plagën e pashëruar të popullsisë Came që ishte shpërngulur dhunshëm nga Greqia Veriore gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. (Camëria është bërë problemi palestinez i Evropës që kërkon zgjidhje përmes riatdhesimit apo kompenzimit të pronave came sipas një plani të pranuar për të dyja palët.) Në fund, Maqedonia e dominuar nga sllavët duhet t’i implementojë të gjitha obligimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit dhe të ndalojë menjëherë manipulimin e partive politike shqiptare atje, duke ngritur tensionet në mes tyre—tensione këto që në ditët e fundit u kthyen edhe në dhunë.


Antërasi në Bashkimin Evropian për Kosovën dhe Shqipërinë


Në Shqipëri, qeveria ende është e dobët dhe joefektive. Kundërshtia e mëse dy dekadave tani në mes partisë Demokratike dhe asaj Socialiste e ka lënë vendin të zhytet në korrupsion dhe të destabilizohet nga skandalet e ndryshme, më i fundit ndër ta që kishte të bënte me shitjen e armëve kineze tek ushtria amerikane ne Afganistan, që ka rezultuar edhe në involvimin e ambasadës tonë atje. Për shumë vite problemet e Shqipërisë janë injoruar për gjerësa ajo rrinte e qetë kundrejtë statusit të Kosovës. Koha ka ardhur që të insistohet për standarde shumë më të larta politike, juridike, dhe ekonomike atje dhe të involvohemi në transformimin e drejtë të asaj shoqërie, që sikur edhe ajo e Kosovës, janë kryekëput pro-amerikane. Gjerësa kjo të mos ndodhë, Shqipëria nuk do të jetë më afër futjes në BE se sa që ishte para dhjetë viteve, gjë që do të conte drejtë korrupsionit më të madh, stagnimit politik, dhe jostabilitetit politik.

Pranohen apo jo Shqipëria dhe Kosova në BE (dhe cdo përpjekje duhet bërë që pranimi i tyre në BE të ndodhë dhe të ndodhë shpejtë), përgjigja nuk është vetëm sundimi i ligjit, gjë që do të linte shqiptarët brenda kufijëve të vet, edhe pse atje atëherë do të kapeshin kontrabandistët dhe trafikantët që shfrytëzojnë këto vende. Zgjidhja e vetme dhe e vërtetë do të ishte sigurimi i zhvillimit ekonomik për këto vende nën përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së, integrimi, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe qytetarit. Shqiptarëve duhet tu jepen lehtësime të mëdha për marrjen e vizave perëndimore (sic iu janë ofruar serbëve) për udhëtime dhe punësime sezonale nëpër Evropë. Kapitali njerëzor i Kosovës, për shembull, paraqet ndoshta edhe potencialin e saj më të mirë për eksport, pasi që ajo ka një popullatë shumë të re, shumë të zellëshme, dhe kreative, nga të cilët mëse 500,000 janë të papunë dhe shumë të tjerë të nënpunësuar. Shqiptarët flasin anglishtë dhe gjuhë të tjera, merren suksesshëm me biznes në mes veti dhe me bashkafaristë evropianë, dhe kanë një vullnet dhe dëshirë të madhe për demokraci.


Përfundim


Zgjidhja që do të parandalonte një përgjigje të dhunëshme kundrejtë kushteve në territoret shqiptare nuk është bashkimi. Perëndimi, në krye me SHBA-të, duhet të sigurojnë kontrollin e Kosovës mbi të gjithë territorin e saj duke parandaluar kështu ndarjen e veriut dhe duhet të investojnë në arsim, infrastrukture, zhvillim ekonomik, dhe në të drejtat njerëzore për të gjithë shqiptarët në Ballkan. SHBA-të harxhuan mëse një miliard dollarë gjatë udhëheqjes së luftës së NATO-s kundër Serbisë më 1999. SHBA-të po ashtu karxhuan edhe një pjesë të madhe të kapitalit politik gjatë udhëheqjes së procesit për të arritur deri tek pavarësia e Kosovës në Shkurt 2008. Prandaj, do të ishte budallallëk që ky investim kaq i madh të lihej duke ia lënë kështu në dorë fatin e të ardhmës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan vetëm Bashkimit Evropian, që gjithëherë ka qenë i ndarë sa i përket “cështjes shqiptare.” Nëse SHBA-të nuk udhëheqin edhe tani duke e konfrontuar Rusinë, Serbinë, dhe Greqinë, në Ballkan, neve do të detyrohemi ta pastrojmë edhe një problem ballkanik në të ardhmen, sic na është dashur të bëjmë gjithëherë në të kaluarën. Dhe, sidoqoftë, një tërheqje e tillë e SHBA-ve nuk do të ishte mënyra më e mirë për t’i trajtuar miqtë tanë të vetëm dhe të vërtetë atje—popullin shqiptar.


25 Korrik 2008


Ish-Kongresisti Joe DioGuardi është kryetar themelues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page