• AACL

ALB - Statement by Congressman Tom Lantos, Chairman of the House International Relations Committee

TOM LANTOSI PËRSHËNDET CEREMONINË E YAD VASHEM-it

E enjte, 8 nëntor 2007

Zonja kryetare,

Dëshiroj që kolegëve të mi të Kongresit t’ua tërheq për pak çaste vëmendjen për ceremoninë e mbajtur më 1 nëntor në “Yad Vashem” – Autoriteti Përkujtimor i martirëve dhe heronjve të Holokaustit në Jerusalem.

Kjo ceremoni, e cila u organizua në shenjë respekti për rolin unik të shqiptarëve për shpëtimin e të gjithë atyre hebrenjve që ose jetonin në Shqipëri ose arritën aty për të kërkuar strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore, shënonte kështu hapjen e aktivitetit “Besa: Një kod i Nderit/Shqiptarët që i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokustit”. Kjo ekspozitë e fotografit amerikano-hebraik, Norman Gershman dokumenton heroizmin e shpëtimtarëve dhe të familjeve të tyre, gjashtëdhjetë e pesë për qind e të cilëve ishin familje myslimane, që shpëtuan mbi 2000 hebrenj nga kthetrat e Holokaustit nazist.

Ka shumë pak njerëz që e dinë se të gjithë hebrenjtë që jetuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore apo që kërkuan atje strehim, u shpëtuan nga vdekja e sigurt nga kthetrat e Holokaustit.

Në fillim të viteve të tridhjeta në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj, ndërsa pas luftës atje kishte gati 2000 hebrenj që kishin shpëtuar pa therë në këmbë, duke e shndërruar kështu Shqipërinë në vendin e vetëm në botë që mund të pohojë me të drejtë se Holokaustit brenda kufijve të tij i kishin shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ishin gjendur atje në rrethana të ndryshme.

Kur fashistët italianë e pushtuan Shqipërinë në vitin 1939, për t’u pasuar nga nazistët gjermanë në vitin 1943, popullsia shqiptare i fshehu hebrenjtë dhe jo vetëm popullsia por edhe Qeveria Shqiptare e kohës. Zyrtarët e kësaj qeverie nuk pranuan të përmbushnin urdhrat e tyre për ofrimin e lisave me emrat e hebrenjve që jetonin në Shqipëri.

Ndërkohë që në fillim shumë shqiptarë i strehuan hebrenjtë kokë më vete, pa kërkesën as organizimin e kujtdo qoftë, me shtimin e rrezikut , operacionet e shpëtimit u bënë më të koordinuara dhe “Këshillat Nacional Çlirimtarë“ të vendbanimeve ku strehoheshin hebrenjtë, filluan t’i lëviznin ata nga njëri në vendin tjetër, ose me pasaporta të rreme, ose të maskuar si fshatarë shqiptarë. Por një ndihmën vendimtare për sigurimin e kalimit të sigurt të hebrenjve për në Shqipëri e shanë edhe shqiptarët e Kosovë, të Maqedonisë e të Malit të Zi, atëbotë pjesë e ish-Jugosllavisë. Dhe zonja kryetare, shqiptarët jo vetëm se nuk i njihnin shekujt e tërë të anti-semitizmit të institucionalizuar, por ata bashkë me këtë tipar kanë edhe një histori të tërë të tolerancës fetare që mbështetet në Kanun (Një grumbull ligjesh zakonore të zhvilluara në shekullin e 15 dhe të trashëguar nga njëri në brezin tjetër).

Përkujtimi dhe nderimi i kodit moral të Besës në ekspozitën e fotografive në Yad Vashem vë në spikamë premtimin e shenjtë të shqiptarëve për mbajtjen e fjalës së dhënë si dhe për të ofruar mikpritjen dhe mbrojtjen. Me që, brenda Kanunit, nuk ekziston koncepti perëndimor “i huaj” , shqiptarët nuk i shihnin hebrenjtë si “të huaj” por si “miq”, që duheshin mbrojtur qoftë edhe me vënien e kokës së tyre në rrezik.

E vërteta për shqiptarët që u kishin ofruar hebrenjve strehë të sigurt në kohën kur ata ishin ndjekur gjatë Holokaustit, u mbajt e mbyllur nga Enver Hoxha, i cili e kontrolloi vendin për pesë dekada me radhë.

Por, në kohën kur ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe unë u bëmë zyrtarët e parë amerikanë që po shkelnim tokën e Shqipërisë brenda 45 viteve, gjatë vizitës tonë në vitin 1990, lideri pasardhës i Enver Hoxhës, Ramiz Alia na tregoi një arkiv të paparë deri në atë kohë me letra, fotografi e me artikuj të prerë gazetash që flisnin për shqiptarët që kishin shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kongresisti Joe DioGuardi e dërgoi këtë material në Izrael, ku u verifikua nga Yad Vashem-i. Pastaj, në vitin 1995, në bashkëpunim me ish-kongresistin Ben Gilman dhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, Shqipëria iu shtua seksionit “Të ndershmit midis Kombeve” të Muzeut Memorial të ShBA-ve për Holokaustin.

Ekspozita e Yad Vashemit u organizua me ndihmën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit Njerëzit e çiltër, nga Fondi komunal Hebraik, nga Departamenti për Arsim i Shtetit të Nju-Jorkut, nga fondacioni i familjes McBride dhe nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan.

Ekspozita do të qëndroje hapur dy muaj në Yad Vashem, prej nga më pas do të marrë rrugë për në muzetë dhe qendrat e ndryshme përkujtimore të Holokaustit në mbarë botën.

Më 27 janar, ditën ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit, ekspozita do të hapet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Zonja kryetare, si një i mbijetuar nga vdekja e sigurt, po ashtu falë mirësisë së të huajve, popullit shqiptar i jam pafundësisht mirënjohës për guximin, sakrificën dhe fisnikërinë e treguar duke e rrezikuar edhe jetën e tyre për të fshehur e mbrojtur aq shumë hebrenj gjatë njërës ndër orët më të errëta të historisë së kësaj bote.

Më vjen mirë po ashtu dhe ndjehem i lehtësuar nga fakti se kjo ekspozitë po i jep Shqipërisë më në fund mirënjohjen që ajo e meriton për punën tepër të rëndësishme që qytetarët e saj e kishin bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Falënderoj shumë edhe ish-kolegun dhe mikun Joe DioGuardi dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro –Amerikane për punën dhe përpjekjet e tyre për bërjen publike të kësaj informate.

Zonja kryetare, përshëndes edhe formalisht hapjen e këtij aktiviteti përkujtimor jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe i ftoj të gjithë kolegët e mi ta vizitojnë atë kudo që u jepet mundësia.

(Nga anglishtja: Musli Bazhdaraj Për.për botim Elida BUÇPAPAJ)

Recent Posts

See All

ALB - It’s Time to End the Appeasement of Serbia

T’i jepet fund politikës së përkëledhjes ndaj Serbisë Nga Shirley Cloyes DioGuardi dhe Roland Gjoni Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vërtetoi ligjshmërinë e deklaratës së pavarë

ALB - The Unfolding Crisis In The Presheva Valley

SHPALOSJA E KRIZES NE LUGINEN E PRESHEVES Nga Shirley Cloyes DioGuardi Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës (në jug të Serbisë) u mbolodhën më 28 Janar në qytetin e Preshevës për të kërkuar lirimi

© 2020 Albanian American Civic League

Email: jjd@aacl.com   Tel: 914-762-5530