Zhveshja e miteve
Shkruan: Shirly Klojs Diogardi (Zeri, 9 prill)
Në një intervistë në “Washington Post”, një ditë pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, ish-shefi i policisë së Beogradit, Marko Nikoviq, kishte vlerësuar se”askund në botë nuk ka një simbiozë ndërmjet kriminelëve, shërbimit të sigurimit dhe aparatit qeveritar siç është në Jugosllavi”. Ai po ashtu ka thënë se “kur demokratët erdhën në pushtet (Serbi) pas revolucionit të tetorit, ata e bënë një gabim shumë të madh: Ata e pranuan përkrahjen e grupeve kriminale dhe të policëve të korruptuar, të cilët deri në atë kohë ishin të lidhur me Milosheviqin.”
Derisa Qeveria e SHBA-ve i duartrokiste Serbisë së rrethuar nga grupet kriminale menjëherë pas vrasjes së Gjingjiqit, do të duhej të shikonte me vëmendje të madhe vlerësimin e Marko Nikoviqit për Serbinë si një vend ku bota e krimit operon ngushtë me kriminelët e luftës, me njësinë speciale të policisë dhe me zyrtarë qeveritarë. Pastaj, nëse ajo dëshiron të arrijë një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, Qeveria amerikane duhet të shikojë me vëmendje të madhe në rolin e Perëndimit në dështimin për ta çmontuar sistemin e Milosheviqit kur ky e kthente në mit realitetin e Serbisë së pasluftës. Gjingjiq ishte vrarë qëllimisht për shkak se ai ishte në prag të kapjes së grupit të ashtuquajtur “Klani i Zemunit” dhe rrjetit tjetër kriminal dhe dorëzimit të tyre në gjyq. Ai është vrarë edhe për shkak se kishte imituar një aleancë me krimin e organizuar në përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti Milosheviqin në tetor të vitit 2000 dhe më pas për ta dërguar atë në Tribunalin e Hagës. Gjingjiq ia kishte borxh ngritjen në pushtet botës së krimit për ç’gjë ka fakte të bollshme se ai kishte përfituar nga kjo lidhje. Kur ai përfundimisht vendosi që ta shkatërrojë pikëmbështetjen e krimit të organizuar në qeverinë e tij për shkak të presionit të Perëndimit ai e paguajti çmimin përfundimtar.
Sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauell, më 2 prill shkoi nga Turqia në Beograd për një takim jozyrtar me presidentin Svetozar Maroviq dhe kryeministrin Zoran Zhivkoviq “për të treguar përkrahjen tonë derisa ata po kalojnë nëpër këtë kohë të vështirë dhe për t’ua bërë me dije se ne jemi me ta”. Natyrisht se ai i ishte referuar vdekjes së Zoran Gjingjiqit pas së cilës Beogradi kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe pastaj kishte arrestuar 3,000 qytetarë serbë në ndjekje të atentatorëve të tij në përpjekje për ta shuar rrjetin e krimit që kishte çuar në eliminimin e tij. Përderisa shfaqja e përkrahjes së Kolin Pauellit ndaj një populli në kohë krize është me vend, në anë tjetër ka diçka shqetësuese rreth shprehjes së tij të afrimit me Serbinë, e cila u demaskua si një shtet i kontrolluar nga kriminaliteti, një shtet që ende është në grahmat e ultranacionalizmit, ksenofobisë dhe racizmit që kishte çuar në okupimin e Kosovës për një dekadë të tërë dhe për të nisur katër luftëra agresive dhe gjenocidale në Ballkan që si pasojë pati shuarjen e 350,000 jetë njerëzish dhe 4 milionë refugjatë. Pa u çuditur fare, Millorad Lukoviq – Legia, kreu i bandës kriminale të Zemunit, të cilit i është dhënë hapësirë e lirë në Serbinë e pasluftës për të kontrabanduar, vjedhur, rrëmbyer dhe për të vrarë, ishte edhe ish-komandant i njësisë speciale të policisë “Beretat e kuqe” që i ka kryer krimet më të rënda kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës.
2 – Shirly Klojs Diogardi (Zeri, 9 prill)
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për pushtetin e kriminelëve të luftës dhe krimit të organizuar në Serbinë e pasluftës për shkak të këmbënguljes që nga rënia e Milosheviqit se Serbia ishte një demokraci e re që duhej të pranohej shpejt në bashkësinë e popujve, me qasje të plotë në institucionet ndërkombëtare financiare dhe organizmave qeveritar. Me nostalgjinë e pakontrolluar për Jugosllavinë e Titos dhe pikëpamjet e rreme për përparësitë ekonomike në Serbi, Uashingtoni dhe Brukseli e kanë mbajtur të fshehur për katër vitet e kaluara faktin se Serbia ishte më afër një shteti gangsterësh se demokracisë. Ata e kanë fshehur këtë realitet deri në pikën kur e kthenin kokën në anën tjetër kur serbët vallëzonin nëpër rrugë pas sulmeve terroriste të 11 shatorit në SHBA. Ata bënë lëshim pas lëshimi pa marrë parasysh refuzimin e Beogradit për t’i dorëzuar kriminelët serbë të luftës në Tribunalin e Hagës, posaçërisht komandantët e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq. Uashingtoni dhe Brukseli kanë ndenjur duarkryq kur Beogradi punonte në destabilizimin e Kosovës dhe Bosnjës, për ndarjen e paligjshme të veriut të Kosovës dhe për t’i paraqitur në mënyrë të shtrembërt shqiptarët në shtypin ndërkombëtar si burim i dhunës në Ballkan. Edhe përkundër dy raporteve të mëdha televizive, njëri në televizionin ABC kurse tjetri në CBS, ku është vënë në dukje shitja ilegale e armëve të Serbisë në Irak, e cila kishte filluar në kohën e Milosheviqit dhe ishte shkallëzuar nën qeverisjen e Gjingjiqit kanë kapërcyer pa u kontrolluar.
“SHBA-të duhet ta marrin një pjesë të fajit mbi supe për mënyrën se si kanë marshuar dorë për dore shteti dhe krimi i organizuar në këtë vend”, ka thënë Zoran Kusovac, ananlist për Ballkanin, në “Jane’s Defense Weekly”, më 30 mars të këtij viti në emisionin “60 minuta” të quajtur “Kush po i shet armë Irakut.” Sipas Kusovacit, SHBA-të, së bashku me vende të tjera perëndimore, “kanë lejuar ndryshime sipërfaqësore” në Serbi. Kjo është ajo që pohimin e sekretarit Pauell e bën shqetësues, siç është edhe thirrja e drejtuar gabimisht nga disa qarqe me rastin e vrasjes së Gjingjiqit se SHBA-të duhet ta zbehin presionin ndaj Serbisë për dorëzimin e kriminelëve të luftës dhe për të bërë reforma demokratike në shkëmbim të ndihmës ndërkombëtare. Siç kishte thënë, në mënyrë shumë korrekte, senatori Xhozef Bajden, në një fjalim në Çikago, më 15 shtator të vitit 2002 se “Serbia si forca kryesore lëvizëse për luftërat e çmendura gjenocidale të viteve të 90-ta duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për të përfituar ndihmën e SHBA-ve, si dhe kërkimi i faljes nga Serbia për Kosovën dhe Bosnjën. Sikurse gjermanët e kohës së nazizmit, ka shpjeguar Bajden, është me rëndësi që serbët të zhveshen nga mitologjia se ata janë viktimat e një mitologjie e cila u ka mundësuar atyre që t’i justifikojnë aktet e agresionit ndaj të tjerëve.
Nëse ne me të vërtetë jemi “me Serbinë”, atëherë SHBA-të duhet të bashkohen me popullin e saj në çmontimin e miteve për të kaluarën e Serbisë dhe të sjellë reforma të reja në mënyrë që gjeneratat e reja të serbëve të mos e përsërisin historinë dhe që më në fund ky vend të bëhet pjesë integrale e një Evrope demokratike. Nuk do jetë e mjaftueshme kapja e mbeturinave kriminale të kohës pas rënies së Milosheviqit.
Përderisa Serbia të mos i kundërvihet historisë së vet raciste dhe gjenocidale kundër popujve josllavë, nuk do të arrihet paqja dhe stabiliteti në Ballkan dhe as në Evropë.
Comments