top of page

ALB - Religion and Propaganda in Kosova

Reagim ndaj shkrimit të Cliff Kincaid & Sherrie Gossett nga grupi “Accuracy in Media”


Religjioni dhe propaganda në Kosovë


Nga: Shirley Cloyes DioGuardi,

Këshilltare për çështje të Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane.


1 janar 2005, Ossining, Nju-Jork – Më 17 dhjetor Cliff Kincaid dhe Sherrie Gossett nga grupi “Accuracy in Media” (AIM) botuan artikullin “Ju kujtohet Kosova?”, “Kryengritja antiserbe, antikrishtere në Kosovë” si një nga “historitë më pak të raportuara dhe të varrosura” të vitit 2004. Në të vërtetë ky ishte një nga shkrimet më të pasakta të vitit të kaluar. Megjithëse misioni i grupit të tyre AIM është të “mbajnë qendrime të drejta në çështje të rëndësishme”, është e qartë se sikurse edhe shumë OJQ (NGO) të tjera amerikane dhe zyrtarë qeveritarë, kanë rënë pre e propagandës që buron nga qeveria e Serbisë, e cila ka shpërdorur religjionin për arritjen e përfitimeve politike në Perëndim.


Shumica e amerikanëve nuk e di se konflikti religjioz asnjëherë nuk ka qenë faktor në Kosovë dhe se shqiptarët janë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë sekularë, të cilët kanë jetuar krah për krah në harmoni gjatë shekujve. Ata shpesh martohen dhe rregullisht marrin pjesë në shërbimet fetare të njëri-tjetrit. Javën e kaluar, shqiptarët myslimanë në Kosovë shkuan në kishë për të festuar krishtlindjet me vëllezërit dhe motrat e tyre katolikë.


Në Shqipëri ata festojnë me miqtë e tyre të krishterë, që në shumicë janë ortodoks. Shqiptarët krenohen për tolerancën e tyre fetare. Ata janë shqiptarë, së pari dhe njerëz të fesë, së dyti.


Shqiptarët nuk janë burim i një ideali islamik, por i një ideali shqiptar, që është multireligjioz dhe demokratik.


Shumica e Amerikanëve nuk e di se në Serbi nuk ekziston ndarje midis kishës dhe shtetit


Ndërkohë, shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë se nuk ekziston një ndarje ndërmjet kishës dhe shtetit në Serbi. Kisha ortodokse serbe punon intensivisht me Kongresin e Unitetit Serb, lobin e Beogradit në Kapitoll Hill. Që nga ardhja në pushtet e diktatorit serb (tani i akuzuar për kriminel të luftës) Slobodan Milosheviç më 1989 dhe më aktivisht qëkur NATO i dha fund marshit gjenocidial të Milosheviçit përgjatë Ballkanit më 1999, kisha ortodokse serbe ka punuar në mënyrë aktive me Beogradin për të keqinterpretuar shqiptarët si një forcë kërcënuese myslimane potenciale në zemër të Evropës.


Qëllimi i portretizimit të tyre për shqiptarët si “terroristë“ myslimanë është të parandalohet lufta legjitime për të drejta njerëzore të shqiptarëve të Kosovës, vetëvendosje dhe të arrihet përvetësimi i tokës, duke e kthyer Kosovën nën dominimin serb apo duke e aneksuar pjesën e pasur me minerale të veriut, që tani është nën proktetoratin e OKB-së. Ky ishte qëllimi i Milosheviçit që më 1989, kur mori pushtetin me anë të nxitjes së racizmit antishqiptar dhe pushtimit ilegal të Kosovës për një dekadë. Ky ishte qëllimi i Milosheviçit dhe i paramilitarëve të tij, kur dhunuan, plaçkitën dhe vranë gjatë rrugës së tyre nëpër Kosovë më 1998-1999, më shumë se 10.000 njerëz, dëbuan nga shtëpitë e tyre afër një milion Shqiptarë të Kosovës dhe dogjën e rrënuan qëllimisht për tokë qindra xhami dhe tempuj fetar islamikë që ishin prona të Shqiptarëve.


Dhe ky është edhe qëllimi i Beogradit sot, i cili ende nuk e ka çmontuar sistemin e Milosheviçit në periudhën e pasluftës. Në “Ju kujtohet Kosova?“ Kincaid dhe Gosset e cilësojnë luftën në Kosovë si “një luftë civile që mori dymijë jetë“. Kur në fakt, lufta e Kosovës ishte pjesë e përpjekjeve njëdekadëshe të ushtrisë së Milosheviçit dhe forcave paramilitare për shfarosjen dhe largimin e josllavëve nga Ballkani (përfshirë këtu shqiptarët e krishterë dhe myslimanë) në misionin e tyre për një „Serbi të Madhe“.


Kincaid dhe Gossett nuk citojnë asnjë burim shqiptar


Për shkak të lobimit aktiv nga Beogradi, shumë zyrtarë në Uashnington dhe Bruksel, së bashku me shtypin perëndimor që marrin urdhrat e tyre nga burime zyrtare, kanë keqparaqitur konfliktin serbo-shqiptar si një konflikt religjioz, që në të vërtetë është një konflikt politik dhe ekonomik. Shumica e 535 anëtarëve të Kongresit Amerikan janë të krishterë, duke i bërë ata posaçërisht të ndjeshëm ndaj paraqitjes së Serbisë se religjioni është burim i problemeve të Kosovës. Kur u shkatërruan apo dëmtuan 30 kishat dhe manastiret gjatë trazirave që shpërthyen në mars të 2004-tës, lobi serb gjeti një burim potent për të avancuar agjendën e vet politike.


Trazirat nuk kishin të bëjnë asgjë me religjionin, por me politikat e vendosura të OKB-së që kanë prodhuar varfëri të shkallës së pahijshme dhe të pashpresë. Megjithëse nuk ekziston asnjë justifikim për dhunën e marsit, që la 11 shqiptarë dhe 8 serbë të vdekur ( e jo “dhjetëra njerëz, siç kanë njoftuar Kinacid dhe Gossett dhe shumica e mediave perëndimore), një kuptim më i zgjeruar i situates që çoi në atë ngjarje është esencial. Përkundër qëndrimeve të komunitetit ndërkombëtar, shpërthimi i dhunës nuk ishte i orkestruar (megjithëse u shfrytëzua nga një grup i vogël kriminelësh dhe ekstremistësh politikë si nga shqiptarët ashtu edhe nga komuniteti serb). Ishte një shpërthim spontan i zemërimit të mbledhur të shqiptarëve të Kosovës, 70 për qind e të cilëve janë të papunë nga popullata me 70 për qind nën moshën 30-vjeçare. Ata kanë humbuar shpresën në të ardhmen dhe besimin në OKB-në, që ka ngadalësuar progresin politik, ekonomik dhe social të Kosovës, duke e mbajtur në një gjendje të paqartë juridike.


Kincaid dhe Gossett nuk e dine se Shqiptarët janë kombi më pro-Amerikan në Ballkan


Po të kishin shfrytëzuar burime të tjera Kincaid dhe Gossett (ata nuk citojnë asnjë burim shqiptar), ata do të kishin mësuar se shqiptarët janë grupi etnik më pro-amerikan, pro-perëndimor, pro-demokratik në Ballkan. Shqiptarët admirojnë amerikanët, sepse presidenti Woodrow Wilson, përkundër makinacioneve politike evroperëndimore, e njohu më 1918 Shqipërinë si shtet (megjithëse të coptuar) dhe për shkak se qeveria e ShBA-ve i shpëtoi kosovarët nga gjenocidi dhe duart e Milosheviçit më 1999. Më 11 shtator 2001, kur serbët, grekët, maqedonasit dhe rusët vallëzonin të gëzuar në rrugë për tragjedinë tonë, shqiptarët ndezën qirinj para misionit të ShBA-ve dhe vendosën pllakate nëpër të gjithë Kosovën me fjalët “Ne ju duam“. Mbi të gjitha, po të kishin marrë Kincaid dhe Gossett burime të tjera, do të kishin mësuar se kisha ortodokse serbe në mënyrë aktive ka përkrahur përpjekjet e regjimit të Milosheviçit për shfarosjen e shqiptarëve dhe tempujve fetarë islamikë më 1998-1999.


Barra e dështimit bie mbi Kincaid dhe Gossett për të shpjeguar lidhjen e UÇK-së dhe al-Kaidës


Në fund, gjatë luftës në Kosovë, kisha ortodokse serbe dhe qeveria u munduan ta paraqesin ushtrinë çlirimtare të Kosovës (UÇK-në) si një organizatë “terroriste“ të lidhur me forcat fundamentaliste në Lindje të Mesme. Pasluftës, ata provuan ta lidhin UÇK-në me al-Kaidën.


Në realitet qeveria e ShBA-ve asnjëherë nuk e ka cilësuar UÇK-në si një organizatë terroriste, dëshmi që është qartësuar publikisht në seancën dëgjimore të komitetit për çështje ndërkombëtare të Kongresit më 12 mars, 1998 dhe është konfirmuar nga CIA më 1999. Përpjekja për të lidhur kosovarët me Osama bin Ladenin ka dështuar, sepse është shumë absurde. (Barra e dëshmimit bie mbi Kincaid dhe Gossett për të shpjeguar lidhjen e UÇK-së dhe al-Kaidës dhe si kanë shpikur një kosovar me emrin Muhamed al-Zavahiri, për të cilin thuhet se ka lidhje me Bin Ladenin!)


Duke luajtur në kartën religjioze i mundësohet Beogradit të nxisë harresën historike të përpjekjeve për zhdukjen e myslimanëve të Bosnjes dhe kosovarëve në vitet 1990-ta.


I mundësohet Beogradit të krijojë një barazi të rrejshme ndërmjet kriminelëve dhe viktimave të luftave të Milosheviçit në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Po ashtu, kjo i mundëson Beogradit të largojë vëmendjen ndërkombëtare nga realitetet e zymta të Serbisë së pasluftës, në të cilën anëtarët e elitës në pushtet, kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar bashkëveprojnë.


Në periudhën e pasluftës, Beogradi është kapur duke i shitur armë Sadam Huseinit në Irak, në kundërshtim me embargon. Po ashtu, dihet se Beogradi ka transportuar trupat e shqiptarëve me autofrigoriferë për në Serbi në fund të luftës për të fshehur përmasat e masakrave në Kosovë.


Në fund të “Ju kujtohet Kosova?”, Kincaid dhe Gosset i kthehen temës së kryeministrit të ri të zgjedhur të Kosovës. Pa e përmendur emrin e tij, ata thonë se ai është akuzuar nga Serbia për “dhunim fëmijësh, tortura, vrasje të shumta, rrëmbime dhe terrorizëm” dhe se ballafaqohet me një “aktakuzë të mundshme nga vetë OKB-ja”. Në realitet,Beogradi ka pasur një fushatë të denigrimit ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-figurave tjera të UÇK-së.


Në këtë rast, hetuesit e Tribunali ndërkombëtar për krime të luftës kanë konkluduar se nuk ka bazë për akuzimin e Haradinajt me krime të luftës. Më e rëndësishmja, arsyeja kryesore e sulmit të Beogradit në Haradinajn nuk është se ai ishte një gjeneral i UÇK-së, por sepse ai është ndoshta i vetmi politikan shqiptar i Kosovës, i cili gëzon respektin dhe besimin e serbëve të Kosovës dhe faktorëve të ndryshëm politikë kosovarë.


Prandaj, ai është një kërcënim metodologjinë e vazhdueshme të Beogradit për të manipuluar serbët e Kosovës me qëllim destabilizimin e rajonit për përfitime politike të Serbisë. Andaj shkrimi për zgjedhjen e Ramush Haradinajt kryeministër i Kosovës ndoshta është shkrimi më i pasaktë i vitit, një storie që shpresojmë se analistët e AIM do të jenë të gatshëm ta rishikojnë. /(Përgatiti për botim Elida Buçpapaj)


BOX


CIA ka konfirmuar që më 1999 UÇK-ja nuk ka qenë organizatë terroriste


Në realitet qeveria e ShBA-ve asnjëherë nuk e ka cilësuar UÇK-në si një organizatë terroriste, dëshmi që është qartësuar publikisht në seancën dëgjimore të komitetit për çështje ndërkombëtare të Kongresit më 12 mars, 1998 dhe është konfirmuar nga CIA më 1999. Përpjekja për të lidhur kosovarët me Osama bin Ladenin ka dështuar, sepse është shumë absurde. (Barra e dëshmimit bie mbi Kincaid dhe Gossett për të shpjeguar lidhjen e UÇK-së dhe al-Kaidës dhe si kanë shpikur një kosovar me emrin Muhamed al-Zavahiri, për të cilin thuhet se ka lidhje me Bin Ladenin!)

Recent Posts

See All
bottom of page