top of page
Writer's pictureAACL

ALB - Letter to Javier Solana

Letter to Javier Solana – Shqip


Shkëlqesisë së tij

Z. Javier Solana

Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Evropian

Përfaqësues i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurimit

Bruksel


I nderuar Shkëlqesi,


Ngjarjet e fundit në Ballkan, konkretisht në Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë (RIJM), që po ndiqen me shqetësim jo vetëm nga opinioni shqiptar, na imponojnë ne, dy ish diplomatëve shqiptarë që kemi punuar me çështjet ballkanike, t`Ju drejtohemi Juve, duke shprehur pikëpamjen tonë rreth krizës e gjendjes se shqiptarëve në Ballkan.


Kemi bindjen se ngjarjet e tanishme në Ballkan janë produkt i politikave të ndjekura deri sot nga Evropa ndaj çështjes shqiptare, që është thelbi i problemit ballkanik. Është gjithashtu përshtypja jonë se në projektet për ardhmërinë e Ballkanit për fat të keq shqiptarët janë paragjykuar përsëri e konceptuar si pjesë përbërëse dhe mbushëse e shteteve të tjerë ballkanikë. Për këtë arsye, vendimmarrësit evropianë sot kanë mbajtur qendrim tejet kritik dhe i shikojnë shtrëmbër përpjekjet e shqiptarëve për barazi dhe liri. Për pasojë, ata etiketohen me emërtime të ndryshme që nuk i shërbejnë zgjidhjes reale të çështjes, duke i detyruar të reagojnë në mënyrë radikale dhe pastaj duke i quajtur elementë turbullues të Ballkanit.


Për afro 80 vjet Kosova u la nën administrimin e Serbisë, e cila dëshmoi se ishte kundër zhvillimit dhe prosperitetit të shqiptarëve. Politika e saj dritëshkurtër nga pozitat e nacionalizmit agresiv çoi në ngjarjet në të cilat ju Shkëlqesi luajtët rol konstruktiv dhe të përgëzueshem.


Shqiptarët kanë provuar pothuajse të njëjtën situatë në Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë, megjithëse ata e pranuan shtetin maqedon si të tyren me shpresë se fati i tyre do të përmirësohej. Gjatë ekzistencës së shtetit maqedon, shqiptarët kanë dhënë prova se kanë qenë faktor kyç për stabilitetin e tij. Qëndrimi i tyre si dhe i shtetit shqiptar kanë qenë në kundërshtim me qëndrimin e fqinjëve të tjerë ndaj këtij vendi. Edhe sot, sipas deklaratave të tyre të qarta, të ashtuquajturit radikalë dhe terroristë, si edhe të moderuarit duan që shqiptarët të jenë të barabartë me pjesën tjetër të popullsisë; ata nuk synojnë ta shpërbëjnë shtetin maqedon. Konflikti i tanishëm nuk është luftë civile në gjirin e shqiptarëve apo midis shqioptarëve dhe maqedonëve. Ai është luftë e armatosur dhe njëkohësisht politike midis kryengritësve dhe subjekteve politike shqiptare nga njëra anë dhe qeverisë maqedone nga ana tjetër.


Sot u kërkohet shqiptarëve që në rrugë paqësore e me mjete politike të përpiqen të realizojnë të drejtat e tyre megjithëse dihet botërisht se ata kanë më se 10 vjet që po bëjnë të njëjtën gjë por pa sukses. Numri i tyre real falsifikohet për t’i mbajtur të nënshtruar, ndërsa qarqet zyrtare evropiane pranojnë çka shpall me të madhe qeveria maqedone si të vërtetë. Shqiptarët kërkojnë të ruajne vlerat e tyre kulturore, në fakt u imponohet gjuha sllave. Kanë kërkuar një unversitet që të financohet nga shteti kurse qeveria dhe, për të ardhur keq, edhe Evropa u imponojnë një universitet privat. Qëndrimet anti-shqiptare të qeverive maqedone kanë penetruar edhe në radhët e njerëzve të thjeshtë. Popullsia e indoktrinuar maqedone, duke pasur edhe inkurajim indirekt zyrtar, del në rrugë për të protestuar kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhen shqipe, akt i paprecedent ky racizmi në historinë bashkëkohëse. Shqiptarët duan të kenë të drejta të barabarta me maqedonët. Ata duan që vendi të deklarohet shtet i dy popujve shtetformues meqë përbëjnë rreth 40 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit. Edhe Komisioni Parlamentar Maqedon për Marrëdhënie me Jashtë e pranon gjendjen e vajtueshme të shqiptarëve në RIJM. Sipas raportit që Komisioni shpalli në maj 2000, fuqia punëtore në këtë shtet është 84.5% maqedone dhe 9.4% shqiptare, kurse në polici dhe ushtri shqiptarët përbëjnë 3.1% të nëpunësve, ndërsa maqedonët 93.9%. Në universitetet e Shkupit (Skopje) dhe të Manastirit (Bitola), shqiptarët përbëjnë 1.5-2% të të gjithë studentëve.


Nuk është e drejtë të anashkalohen dobësitë kushtetuese të ketij shteti apo madje të reklamohen ato si arritje demokratike. Kushtetuta e re maqedone nuk realizoi çka shpresonin shqiptarët. Kushtetuta e regjimit të mëparshëm komunist ishte një hap para saj për sa i përket përkufizimit të RIJM. Ajo e përcaktonte republikën si shtet i maqedonëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera kombëtare, kurse preambula e kushtetutës së sotme e përcakton RIJM si shtet të maqedonëve, duke interpretuar në mënyrë spekulative termin “maqedon” sikur ai u referohet maqedonëve dhe shqiptarëve së bashku dhe pakicave kombëtare. Nuk mund të ketë shtetas të barabartë në një vend ku një pjesë e popullsisë diskriminohet në institucionet politike, organet shtetërore, në organet lokale të qeverisjes, në shkencë, kulturë dhe media. Mohimi i të drejtave bazë i bën shqiptarët të lenë vendin, që flet për një farë spastrimi etnik megjithëse askush nuk e ka quajtur të tillë, i kryer në mënyrë shume të rafinuar. Kjo praktikë të kujton fushatat greke dhe serbe të spastrimit etnik të shqiptarëve. Koalicionet që krijohen me parti shqiptare, marifet për të mbuluar këtë realitet, nuk mund të kompensojnë mungesat kushtetuese për sa u përket të drejtave të popullsisë shqiptare. Anëtarët shqiptarë të kabinetit qeveritar nuk luajnë ndonjë rol dhe mendimi i tyre injorohet. Ngjarjet e fundit e provuan më së miri këtë fakt.


RIJM, që u krijua thjesht si entitet artificial politik, mbart dobësi inherente. Pra, nuk janë fajtorë shqiptarët që kjo krijesë nuk është e qëndrueshme. Për ekzistencën e saj ajo u detyrohet faktorit ndërkombëtar, qëndrimit të shqiptarëve dhe koniunkturave rajonale.


Pse ky vesh i shurdhër ndaj shqiptarëve nga pushtetmbajtësit e vendeve ku ata jetojnë dhe nga fuqitë evropiane? A nuk kanë mbi 80 vjet dhe sidomos këto 50 vitet e fundit shqiptarët e Çamërisë, krahinë shqiptare në veri-perëndim të shtetit të sotëm grek, që kërkojnë të drejtat e tyre legjitime dhe askush nuk i përfill? Ju mund të mos keni dëgjuar për një problem të tillë shqiptar në Greqi. Është mëse e natyrshme sepse në Evropë arrin vetëm zëri i Greqisë. Greqia kreu gjenocid, spastrim të përgjakshëm etnik të shqiptarëve, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Rreth 150 mijë njerëz kërkojnë të kthehen në vatrat e tyre në Greqi. Ata kërkojnë të drejtat e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.


Cila është zgjidhja që Evropa u ofron këtyre njerëzve që vuajnë dhe që shteti grek i ka poshtëruar duke i quajtur “kolaboracionistë dhe kriminelë? Ata nuk mund të shohin shtëpitë e tyre edhe si turistë sepse shteti grek “demokratik,” anëtar i Bashkimit Evropian, nuk i lejon të futen në Greqi. Mos vallë heshtja për kërkesat e tyre të drejta u imponon atyre radikalizimin si rrugëdalje? Në qoftë se ndonjë ditë këta njerëz të mjeruar, të poshtëruar dhe të ofenduar, këto qënie njerëzore që injorohen dhe janë braktisur në fatin e tyre tragjik nga komuniteti ndërkombëtar, ngrihen për të fituar të drejtat e tyre dhe luftojnë si pjesëtarë të UÇÇ-së [Ushtria Çlirimtare e Çamërisë] kundër një anëtareje të BE-së dhe NATO-s, cilat do të ishin epitetet që do t’u ngjiste atyre komuniteti ndërkombëtar? Sigurisht, termat për t’i cilësuar ata do të ishin po aq denigruese sa edhe ato që përdoren për shqiptarët në Kosovën Lindore dhe në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë. Çka na shqetëson janë pasojat e këtij qëndrimi dhe neglizhenca ndaj çështjes, megjithëse na duket e pabesueshme se Evropa e sotme, që nuk është më Evropa e së kaluarës, që i shpërndau shqiptarët në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, do të bëjë sehir duke pritur që gota të mbushet e të derdhet.


Pse heshtet për kapriçiot nacionaliste greke apo për mohimin që ajo i bën ekzistencës së pakicave kombëtare, për tolerancën e autoriteteve greke ndaj terrorizmit apo për çështje të tjera të brendshme në Greqi? Pse i duron Evropa demokratike leksionet greke për demokracinë dhe zgjidhjen paqësore të krizave? Trajtimi grek i pakicës kombëtare turke, mohimi i pranisë së popullsisë së lashtë shqiptare dhe i popullsisë maqedone atje janë prova të qarta se si Greqia i ka zgjidhur problemet e saj të brendshme. Çuditërisht, Evropa nuk i sheh fakte të tillë, të qartë dhe të thjeshtë, që kanë të bëjnë me një nga anëtaret e saj.


Rruga që u kërkohet shqiptarëve të ndjekin dëshmon se realizimi i të drejtave të tyre është shtyrë në kalendat greke. Ata sot në Ballkan gjenden në mes të korrenteve të vjetra evro-ballkanike, që veprojnë me gjithë forcat kundër tyre. Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e të tjerëve ndaj shqiptarëve.


Është për të ardhur keq që diplomacia ruse ende lejohet të përzihet në punët e Ballkanit ndërkohë që organizmat euro-atlantike politike dhe ushtarake mund të përballojnë dhe zgjidhin krizat jo vetëm ne Ballkan. Si mund të pajtohet Evropa dhe bota tjetër e qytetëruar me deklaratat raciste dhe diskriminuese ndaj një populli të tërë të ministrit të Jashtëm rus? Sipas tij, “kudo ku shqiptarët janë shumicë lulëzon ekstremizmi dhe krimi i organizuar.” Sipas pikëpamjes së tij, shqiptarët të rinë atje ku janë siç kanë qenë deri sot, të ndarë, të copëtuar, të dobët e pa të drejta në shtetet sllave sepse vetëm kështu forcohet ndikimi rus në Ballkan. Një element i fortë shqiptar i thotë Ndal fundamentalizmit fetar orodoks, si dhe racizmit e ndikimit mbytës sllavist, që ka krijuar aq probleme dhe u ka shkaktuar aq tragjedi popujve të rajonit tonë dhe qytetërimit në përgjithësi.


Shkëlqesi,


Kur shikon lajmet në ekranet televizive kushdo mund të konstatojë se përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë gjenden territore të banuara nga shqiptarë. Cili popull ndodhet në të njëjtën situatë si shqiptarët në Ballkan? Fqinjët e shqiptarëve janë shqiptarë, njerëz që flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtën kulturë dhe gjak. Të ndarë, trojet ku ata jetojnë janë Shqipëria autentike. Të bashkuar, këto troje nuk do të përbënin Shqipërinë e Madhe sepse brenda kufijve të saj nuk do të kishte territore që u përkasin popujve të tjerë. Megjithatë, orientimi proevropian i shqiptarëve është mëse i qartë. Synimi i tyre për t’u futur në Evropë hedh poshtë tezën sllave se ata janë nacionalistë ekstremistë. Lufta e armatosur dhe politike e shqiptarëve drejtohet kundër nacionalizmit agresiv sllav, qe gjakosi kaq shumë njerëz në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit. Deklaratat për shqiptarë të moderuar dhe ekstrmistë kanë si qëllim të errësojnë këtë orientim të shqiptarëve; ato nuk flasin për qëndrim serioz. Ato e keqësojnë situatën dhe fshehin të vërtetën, atë që shqiptarët kanë kërkuar dhe kërkojnë, hapësirë demokratike ku të gëzojnë të drejta legjitime si komb në familjen evropiane. Ata nuk duan të margjinalizohen si deri sot.


Shkëlqesi, na lejoni të bëjmë disa sugjerime për krizën në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë:

  1. Eshtë e nevojshme të merren masa urgjente preventivuese ndaj influencave dhe ndërhyrjeve ruse, serbe, bullgare dhe greke, që mund të bëhen shkak për konflikt më të gjerë. Ato nuk mund të jutifikohen mbasi shteti maqedon nuk rrezikohet nga jashtë. Konflikti është i brendshëm.

  2. Ndjehet gjithmonë e më shumë nevoja për një angazhim më të madh të Bashkimit Evropian. Ngjarjet treguan se gjendja nuk do të kishte arritur në këtë pikë në qoftë se do të ishin marrë masa parandaluese dhe t’u ishte bërë presion në kohën e duhur qeverive maqedone në mënyrë që ato të trajtonin seriozisht shqetësimet e shqiptarëve, shkaku i situatës që po jetojmë aktualisht. Forcat e NATO-s në kufi dhe ushtria maqedone, e cila po mundohet të shtypë një lëvizje me bazë brenda vendit, po merren vetëm me pasojat. Janë humbur rreth dhjetë vjet duke zbukuruar regjimin hibrid maqedon.

  3. Kriza duhet të zgjidhet me dialog dypalësh, shqiptaro-maqedon, nën kujdesin tuaj pa i ndarë shqiptarët në pjesë të moderuar e ekstremistë. Shqiptarët janë kundër bisedimeve sa për sy e faqe. Për të pasur sukses, ato duhet të organizohen seriozisht. Ato nuk duhet të përdoren si perde tymi për të mashtruar shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare. I ashtuquajturi reagim i popullsisë maqedonëve është pretekst i maskuar keq.

  4. Sipas shembullit të raportit të OKB-së, përpiluar nga juristë të njohur, për çështjen e Kosovës, të cilët konkludojnë se Kosovës i takon pavarësia dhe të qënit shtet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, BE dhe organizma të tjera të bëjnë diagnostikimin e çështjes shqiptare në tërësi, në Kosovë, në Kosovën Lindore, Maqedoni, në Mal të Zi, dhe Greqi dhe të parashtrojnë zgjidhjet e duhura, të cilat qeveritë e vendeve përkatëse e kanë për detyrë t’i zbatojnë. Në qoftë se kemi nxjerrë mësime nga historia, fshehja e problemeve dhe favorizimi i një pale kundër një tjetre çojnë në radikalizëm dhe në dhunë, që askush nuk e dëshiron.

Duke përfituar nga rasti, na lejoni Shkëlqesi të shprehim konsideratën tonë më të lartë për Ju personalisht dhe organizmin që ju përfaqësoni.


Sinqerisht,


Eqerem Mete (ish Drejtor i Drejtorisë për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme në MPJ të Shqipërisë në vitet 1992-1996) [e-mail: eqerem@gis.net

Petrit Kasemi (ish diplomat në Drejtorinë e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme në MPJ të Shqipërisë në vitet 1992-1996) [e-mail: petrit.kasemi@chello.at SIZE="3">]

Boston, MA, SHBA

Graz, Austri

Recent Posts

See All

Komentar


bottom of page