top of page
Writer's pictureShirley Cloyes DioGuardi

ALB - Kosova’s Last Chance

SHANSI I FUNDIT I KOSOVËS


Komuniteti Ndërkombëtar është buzë krijimit të një rrëmuje të frikshme që nuk do të rregullohet kurrë. Fjalët pavarësi e “kontrolluar” apo pavarësi “e kushtëzuar” janë të padëgjuara. Ekziston vetëm pavarësia e plotë dhe Kosova e meriton atë, e meriton këtë pavarësi dhe atë e meriton që tani. Krijimi i Kosovës si shtet sovran është rruga e vetme për progresin ekonomik, shoqëror dhe politik të Kosovës dhe për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën juglindore. Ka ardhur koha që lidershipi i Kosovës të ngul këmbë për këtë çështje si kurrë deri më tani, sepse ky është shansi i fundit i Kosovës.


Nga: Shirley Cloyes DioGuardi


Ossining, Nju-Jork – Vendimi i Kombeve të Bashkuara për shtyrjen e vendimit për statusin final të Kosovës deri pas zgjedhjeve të Serbisë më 21 janar nuk duhet ta ketë befasuar asnjë shqiptar.


Ky veprim nuk ishte veçse përpjekja e fundit nga ana e Perëndimit për ta qetësuar Serbinë. Qetësimi i Serbisë ka qenë qëllimi kryesor i qasjes së gabuar të politikës së jashtme të komunitetit ndërkombëtar në konfliktin e Ballkanit që pas fushatës bombarduese të NATO-s, që i dha fund marshimit gjenocidal të Millosheviqit në Evropën juglindore, këtu e shtatë vjet më parë.


Kombet e Bashkuara, Grupi i Kontaktit dhe Bashkimi Evropian e patën shansin ta shfrytëzonin rastin në fund të tetorit, kur Beogradi imponoi një referendum kushtetues për ta bërë Kosovën “pjesë integrale dhe të patjetërsueshme” të Serbisë, për të insistuar që Beogradi të ndahej përfundimisht nga e kaluara e tij e tmerrshme.


Perëndimi kishte mundësinë të ngulte këmbë që Serbia ta çmontonte sistemin e Milosheviqit, të ekstradonte kriminelët serbë të luftës Ratko Mladiq dhe Karaxhiq në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës dhe të njihte realitetin e ri në Kosovë. Në vend që t’i bënte këto veprime, Perëndimi, menjëherë pas referendumit u gjunjëzua para koalicionit pushtetor të Serbisë të udhëhequr nga Vojisllav Koshtunica dhe Boris Tadiqi.


Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord që ta shtynin zgjidhjen e statusit final të Kosovës me arsyetimin se kjo do të mund t’i sillte në pushtet radikalët dhe socialistët, kur ajo çfarë në të vërtetë do të bëjë kjo shtyrje është minimi i forcave reale demokratike në Serbi. Kështu dy milionë shqiptarëve të Kosovës që po presin lirinë që nga viti 1989 kur Sllobodan Millosheviqi invadoi Kosovën, iu kërkua të prisnin edhe një herë.


Në mars të vitit 2005 kur Ramush Haradinaj u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe kur u detyrua të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, shqiptarët duhet ta kenë vënë re se balanca e pasluftës kishte shkuar në dobi të Beogradit. Çfarëdo dyshimi që mund të ketë ekzistuar për këtë pohim u bë i qartë në nëntor të vitit 2006.


Kur premieri Agim Çeku javën e kaluar theksoi me të drejtë se Kosova mbase do të detyrohet ta shpallë pavarësinë e saj, atij iu tërhoq vërejtja nga zyrtarët perëndimorë, prej të cilëve edhe u kritikua se po merrte dhe shprehte qëndrim që “do ta diskreditojë Kosovën” në sytë e komunitetit ndërkombëtar.


Sinqeritetit të fakteve në terrenin e Ballkanit i ka skaduar vlera që prej kohësh. Po që se komuniteti ndërkombëtar nuk i sqaron planet për Kosovën në vitin 2007, atëherë kosovarët duhet ta bëjnë e ta thonë të vërtetën në mënyrë të fuqishme dhe para syve të të gjithë botës.


Mestitull/CILAT JANË TË VËRTETAT PËR KOSOVËN?


Disa prej këtyre të vërtetave janë:


1. Me vendimin e komunitetit ndërkombëtar për të mos e mbajtur fjalën dhe premtimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës deri në fund të vitit 2006, Serbia ka fituar një terren të rëndësishëm në kuadër të fushatës së saj për shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës në pafundësi dhe me këtë ajo është shpërblyer majm për mosbashkëpunimin dhe intansigjencën e saj. Spektri i fitores së zgjedhjeve nga partitë ultrnacionaliste është hile e pastër dhe një e vërtetë që realisht e ka përçarë Grupin e Kontaktit.


2 Pavarësisht kohës kur statusi final do të vihet në rendin e ditës apo hidhet mbi tryezë, pakoja për zgjidhjen e çështjes që i dërguari Marti Ahtisari planifikon të paraqesë para Prishtinës dhe Beogradit është një recetë e saktë për vazhdimin e jostabilitetit dhe ringjalljen e konfliktit. Pavarësia e Kosovës nuk do të njihet. Kosova nuk do të ketë ministri të jashtme dhe ushtri dhe “Zyra Ndërkombëtare Civile” do ta kontrollojë pjesën më të madhe të jetës politike.


3. Mbi të gjitha, plani i Ahtisarit do t’i mundësojë Beogradit të marrë atë që në të vërtetë e ka dashur dhe kërkuar që par fillimit të negociatave: “Një Kosovë me më shumë se autonomi e më pak se pavarësi” nëpërmjet planit për decentralizim që do t’i mundësojë Beogradit ta ruajë kontrollin mbi shumicën serbe në veri. Komuniteti Ndërkombëtar nuk do ta bëjë as lëvizjen më të vogël për t’i mundësuar Prishtinës të krijojë çfarëdo lloj qeverisje të mirëfilltë në Mitrovicë. Megjithëse nuk do të ketë ndarje formale, ndarja “de facto” aktuale e Mitrovicës me strukturat paralele të financuara nga Beogradi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.


4. Për pavarësinë e saj dhe për anëtarësinë në institucionet e ndryshme ndërkombëtare, Kosova do të detyrohet të lobojë nga njëri në vendin tjetër, nga njëra në organizatën tjetër, siç janë edhe vetë Kombet e Bashkuara. Dhe sa herë që do të qajë apo thërrasë qoftë edhe një serb i vetëm në kërkim të të drejtave të tij, Kosova do të akuzohet për mosveprim në përputhje me standardet evropiane dhe mbështetja për pavarësinë e saj do të zbehet.


5. Po që se Bashkimi Evropian dhe administrata e presidentit Bush nuk e ndërrojnë kursin e tyre aktual, Kosova do të shndërrohet në një Bosnje të Dytë, do të shndërrohet në një shtet të dështuar, të varur nga ndihmat dhe me një prani të pafund ndërkombëtare.


Komuniteti Ndërkombëtar është buzë krijimit të një rrëmuje të frikshme që nuk do të rregullohet kurrë. Fjalët pavarësi e “kontrolluar” apo pavarësi “e kushtëzuar” janë të padëgjuara. Ekziston vetëm pavarësia e plotë dhe Kosova e meriton atë, e meriton këtë pavarësi dhe atë e meriton që tani. Krijimi i Kosovës si shtet sovran është rruga e vetme për progresin ekonomik, shoqëror dhe politik të Kosovës dhe për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën juglindore. Ka ardhur koha që lidershipi i Kosovës të ngul këmbë për këtë çështje si kurrë deri më tani, sepse ky është shansi i fundit i Kosovës.


(Përktheu: Musli Bazhdaraj Përg.për botim Elida BUÇPAPAJ)

Recent Posts

See All

Σχόλια


bottom of page