MBIJETESA HEBRAIKE DHE ETIKA E “BESËS” – RRËFIM I PANJOHUR PËR HOLOKAUSTIN NË SHQIPËRI
Published in Albanian with permission by the American Jewish Congress -Ky artikull është botuar tek e Përmuajshmja e Kongresit Hebraik Amerikan
Në veprën e tij Shpëtimi në Shqipëri (Rescue in Albania), Harvey Sarner, shkruan se në Kanun nuk ekziston koncepti modern i Perëndimit për “të huajin”. Në të ekziston vetëm koncepti i “mysafirit”. Prandaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nuk kishte hebrenj “të huaj” por vetëm hebrenj “mysafirë“, që duhej të strehoheshin dhe të mbroheshin, qoftë edhe me koston e jetës.
Nga: Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e LQSHA
Ka shumë pak njerëz që kanë njohuri për historikun e gjatë të tolerancës fetare shqiptare dhe rezistencën e tyre ndaj shtypjes. Këta njerëz nuk kanë njohurinë më të vogël se gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjithë hebrenjtë që jetonin në Shqipëri dhe ata që kishin arritur të shkelnin dhe të kërkonin strehë në këtë tokë i shpëtuan zhdukjes nga Holokausti. Këto informata u ndrydhën e shtypën nga regjimi komunist – stalinist i Enver Hoxhës, i cili e sundoi Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Kur hebraikët evropianë filluan të iknin nga vendet e tyre në drejtim të Shqipërisë, me qëllim që t’i shpëtonin asaj që po shpalosej para syve të tyre në Evropën Perëndimore në fillim të viteve të tridhjeta, në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj. (Të dhënat arkeologjike dokumentojnë praninë e hebrenjve në tokat shqiptare që nga epoka e sundimit romak). Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin afër 2000 hebrenj, i vetmi vend që mund të pohojë me të drejtë se brenda kufijve të tij tij i kishin shpëtuar Holokaustit të gjithë hebrenjtë.
Njëri ndër dëshmitarët mosekzistimit të antisemitizmit në Shqipëri ishte Herman Bernshtajn, edhe vetë hebre, i cili ishte ambasador i ShBA-ve në Shqipëri nga viti 1930 deri në vitin 1933. Në letrën e tij Bernshtajn shkruante se: “Në Shqipëri nuk gjen dot as edhe një gjurmë të vetme të çfarëdo diskriminimi kundër hebrenjve, për arsye se Shqipëria është njëri ndër vendet e rralla në Evropën e ditëve të sotme ku nuk ekzistojnë paragjykimi dhe hasmëria fetare, megjithëse shqiptarët vetë janë të ndarë në tri fe …” – botuar në “The Jewish Daily Bulletin“, Nju-Jork, vëllimi XI, nr. 2821, 17 prill 1934. Njëri ndër faktorët që ndikuan në këtë argument të mrekullueshëm ishte fakti se shqiptarët ishin të izoluar nga antisemitizmi i institucionalizuar shekullor i Evropës Perëndimore. Mirëpo, arsyeja kryesore pse shqiptarët i mbrojtën dhe i shpëtuan hebrenjtë ishte historia e tyre e tolerancës fetare e mbështetur në Kanun dhe në kodin e tij bazë të “Besës”. Mehmet Hysref Frashërit, pasardhës i njërës prej familjeve më me ndikim në historinë politike të Shqipërisë, i cili i shpëtoi hebrenjtë nga Holokausti nazist, thotë se “Shqiptarët nuk ishin të befasuar; ata kanë menduar dhe mendojnë se shpëtimi i hebrenjve ishte veprim normal”. Deklaratës së tij i bën jehonë Beqir Qoqja, plaku nëntëdhjetetrevjeçar, i cili edhe sot e kësaj dite jeton në po atë shtëpi në të cilën familja e tij e kishte strehuar Avraham Elisaf-in (Avraham Gani), nga viti 1943 deri në vitin 1944. “Gjithë jetën kam qenë mysliman i përkushtuar”, – i ka deklaruar Qoqja një fotoreporteri të arteve të bukura në një intervistë në vitin 2004. “Nuk bëmë asgjë të veçantë; hebrenjtë i kemi vëllezër e motra”.
“Shqiptarët besën e kanë për mikun e jo për ta shitur“
Duke i shpëtuar hebrenjtë, shqiptarët, myslimanë e të krishterë, jo vetëm që rrezikuan jetën e tyre, por deri tani nuk ka dalë as edhe një rast i vetëm që të dëshmojë se ata kanë marrë ndonjë kompensim nga të shpëtuarit. Kur Avraham Gani ofroi ta kompensonte Beqir Qoqjen për atë që kishte bërë familja e tij, Qoqja nuk pranoi dhe i tha atij se “Shqiptarët besën e kanë për mikun e jo për ta shitur“, pra jo për të shkëmbyer me para.
Megjithëse Kanuni përmban vistër rregullash, që sipas publikimeve të ndryshme, shpeshherë duken të rënda dhe për kohën tonë arkaike me që lejojnë gjakmarrjen, ai është kryesisht përmbledhje e ligjeve të zakonshme shqiptare, të cilat mbulojnë dhe rregullojnë të gjitha aspektet e jetës brenda familjes, katundit dhe fisit me anëtarët e fiseve të tjera dhe me të huajin, qoftë ky edhe nga skaji i botës. Kanuni ka qenë themel i shoqërisë shqiptare për shekuj me radhë dhe siç shkruan profesori Leonard Foks (Fox) në parathënien madhështore të përkthimit të Kanunit në gjuhën angleze në vitin 1989, ai është një “shprehje dhe reflektim i karakterit shqiptar” – (Leonard Fox, Introduction to The Code of Leke Dukagjini, translated by Fox from the Albanian text collected and arranged by Shtjefen Gjecov (New York: Gjonlekaj Publishing Company, 1989), p. XIX).
Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mysafirit
Besa, e cila ndërlidh nderin personal dhe respektin e barazinë me të tjerët, në mënyrë të pandashme dhe komplekse, është themel i Kanunit. Besa ka domethënie të shumëfishtë, duke filluar nga feja, mirëbesimi paqësor, armëpushimi dhe fjala e nderit deri te premtimi i shenjtë dhe obligimi për ta mbajtur premtimin dhe për të ofruar mikpritje dhe mbrojtje. Ajo parasheh mbrojtjen e mikun në mënyrë të palëkundur dhe të pakompromis, nëse lipset edhe me kusht vetësakrifikimi. Kështu, fjala vjen, kapitulli i tetëmbëdhjetë i Kanunit, që i kushtohet “nderit shoqëror” hapet me parimin se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mysafirit”. Më pas kapitulli thekson se “Mysafirin e lodhur duhet pranuar dhe rrethuar me nder. Atij i lahen këmbët. Çdo mysafiri duhet t’i shtrohet sofra në shtëpinë mikpritëse”. Pas hyrjes në shtëpi, mysafiri “duhet ta dorëzojë armën e tij në shenjë respekti për mikpritjen dhe mbrojtjen, sepse pasi i është thënë “mirëserdhe” ai nuk ka përse të frikësohet, sepse e di që ti je i gatshëm ta mbrosh atë nga të gjitha rreziqet. Kanuni “kërkon që mysafiri të përcillet deri larg truallit që të mos jetë viktimë e ndonjë vepre të shëmtuar dhe të ligë”. “Në qoftë se dikush mysafirin tënd e tall, e vë në lojë apo e shanë, ti je i obliguar ta mbrosh nderin e tij edhe nëse të rrezikohet jeta”.
Në Kanun nuk ekziston koncepti modern i Perëndimit për “të huajin”. Në të ekziston vetëm koncepti i “mysafirit” – (Harvey Sarner, Shpëtimi në Shqipëri – Rescue in Albania. Faqe 63). Prandaj, në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kishte hebrenj “të huaj” por vetëm “mysafirë“ hebrenj, që duhej të strehoheshin dhe të mbroheshin, qoftë edhe me jetë.
Historia e Ali Aliut nga Puka
Historia e Ali Aliut, pronar i një shitoreje mallrash të përziera në Pukë, e ilustron në mënyrë dramatike shkallën, në të cilën shkuan shqiptarët për t’i shpëtuar hebrenjtë.
Në vitin 1943, një automobil gjerman që po bartëte nëntëmbëdhjetë të burgosur shqiptarë drejt një pune të rëndë e të detyrueshme dhe një hebre, kishte ndaluar para shitores së Aliut. Duke shfrytëzuar ndalimin, Aliu, që gjermanishten e kishte folur në mënyrë të mrekullueshme, i kishte ftuar nazistët të hynin në shitoren e tij, u kishte ofruar atyre të hanin dhe i kishte qerasur me verë, derisa ishin bërë tapë. Ndërsa po pinin, Aliu kishte arritur t’ua mbushte mendjen nazistëve se ishte e udhës që edhe të burgosurve t’u jepte diçka për të ngrënë. Me këtë rast, të burgosurit të ri hebre i kishte dhënë një flegër pjepri. Brenda saj, Aliu kishte fshehur një pusullë, nëpërmjet të cilës e udhëzonte të ikte në mal dhe ta priste atë në një vend të caktuar. Por, në nisje, gjermanët e kishin hetuar mungesën e hebreut të kapur prej tyre dhe kishin shpërthyer në zemërim deri në xhindosje.
Aliun e kishin tërhequr zvarrë në sheshin e katundit dhe e kishin lidhur për muri. Më pas gjermanët i kishin drejtuar atij tytën në zverk katër herë, por ai prapë se prapë nuk e kishte nxjerrë fshehtësinë. Më në fund, gjermanët kishin hequr dorë nga kërkimi i hebreut të ikur, por më pas ishin kthyer sërish dhe kishin kërcënuar se po që se Aliu nuk e tregonte të vërtetën do ta digjnin tërë katundin. Megjithatë Aliu nuk ishte ligështuar për asnjë çast dhe më vonë gjermanët ishin larguar nga Puka përgjithmonë.
Aliu kishte shkuar dhe e kishte gjetur të hebreun e ikur, që mbante emrin Yasha Bayuhovio dhe e kishte mbajtur atë të fshehur në shtëpinë e tij dy vjet, deri kur lufta kishte marrë fund. Sot ai është dentist dhe jeton në Meksikë (marrë nga kujtimet e Enverit, djalit të Aliut, dhënë Norman Gersham në Tiranë në maj të vitit 2004).
Kanuni – pjesa qendrore e mbijetesës shqiptare
Shqiptarët njihen gjerësisht si banorët më të vjetër të Evropës Juglindore. Ata janë pasardhës të ilirëve, bërthamës së popullsisë parahelenike që shtrihej nga Greqia deri në Itali. Ilirët i rezistuan asimilimit gjatë gjashtë shekujve të sundimit romak mbi Ilirinë, i ruajtën normat e tyre kanunore e ligjore dhe e ruajtën kulturën dhe gjuhën e tyre, që të dy këto veçori që dallojnë dukshëm nga kultura dhe gjuha e fqinjëve të tyre në Evropën Juglindore. Ilirët e sotëm janë shqiptarët, që përdorin alfabetin latin, ndërsa fqinjët e tyre janë sllavët të cilët përdorin alfabetin cirilik. Shqiptarët janë myslimanë, katolikë dhe të krishterë ortodoks që kanë jetuar përkrah njëri-tjetrit në harmoni për shekuj të tërë me radhë. Kanuni ka qenë themeli qendror i mbijetesës shqiptare të gjendur përballë okupimit dhe gjenocidit shekullor. Si i tillë, Kanuni është formë e mbamendjes kolektive, e identitetit kulturor dhe e rezistencës. Besohet se disa nga traditat që përshkruan Kanuni burojnë që nga lashtësia. Ato ishin bartur në rrugë gojore nga brezi në brez, me të dhëna e shtesa nga autorë të ndryshëm. Së fundi, teksti i Kanunit (për të cilin ne në anglishte e përdorim fjalën “Canon”) i atribuohet Lekë Dukagjinit, princit shqiptar që jetoi në shekullin e pesëmbëdhjetë (1410 deri në vitin 1481). I arsimuar dhe edukuar në vendlindjen e tij, Shkodër të Shqipërisë dhe në Venedik të Italisë, Dukagjini më pas shndërrohet në lider të rezistencës shqiptare kundër turqve otomanë, të cilët e pushtuan gadishullin ballkanik në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë. Dukagjini ishte bashkëkohës dhe bashkatdhetarë e shok i armëve i Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroi kombëtar i shqiptarëve dhe figura qendrore e shekullit të pesëmbëdhjetë që luftoi kundër otomanëve 25 vjet rresht dhe ua pamundësoi atyre ta pushtonin Evropën. Megjithëse Dukagjini vazhdoi të luftonte kundër dominimit otoman edhe një dekadë pas vdekjes së natyrshme të Skënderbeut në janar të vitit 1468, ai shquhet për kodifikimin e ligjeve e të rregullave, që më pas do të merrnin njiheshin si Kanun. Linguisti i ndjerë shqiptar, Martin Camaj, ka theksuar se “forma natyrore e këtij ligji të pashkruar ngelet e ngulitur në shpirtin dhe mbamendjen e një populli të lashtë me tradita përherë në kontakt dhe në konflikt dhe ligjet e të tjerëve që vinin si pushtues”. “Rregullat e Kanunit”, thoshte ai, “qenë të paprekshme. Ato kishin përparësi mbi të gjitha ligjet tjera”. – (Martin Camaj, Foreword to The Code of Leke Dukagjini, op. cit., p. xv. Parathënie Kanunit të Lekë Dukagjinit). Këto rregulla janë ilustruar në mënyrë dramatike gjatë 500 vjetëve të rezistencës që shqiptarët i bënë okupimit turk, nga shekulli i pesëmbëdhjetë deri në fillim të shekullit të njëzet. Sipas asaj që shkruan Leonard Foks (Fox) në parathënien e botimit anglisht të Kanunit të Lekë Dukagjinit, faqe 17, Syrja Pupovci në parathënien e tij bërë ribotimit të Kanunit në në vitin 1972, shkruan se ruajtja e Kanunit “ishte njëri ndër elementët më të rëndësishëm që e ndihmuan popullin shqiptar ta ruante individualitetin e tij nën pushtimin e gjatë turk”. Kur otomanët i pushtuan tokat shqiptare, shoqëria shqiptare kishte një sistem të përcaktuar mirë të organizimit klanor dhe të gjithë shqiptarët ishin të krishterë, katolikë dhe ortodoksë. Otomanët vendosën që t’i shkatërronin këto klane nëpërmjet konvertimit të detyruar në islam dhe pranimit të detyruar të ligjeve islamike. Megjithëse konvertimi masiv në islam ndodhi në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur zyrtarët otomanë rënduan popullsinë jomyslimane me taksa e të dhjeta të shumta, otomanët nuk ia dolën kurrë ta shkatërronin as sistemin klanor shqiptar, as fuqinë e Kanunit. Konvertimi në islam u bë vetëm sa për sy e faqe. Martesat e përziera midis myslimanëve dhe të krishterëve janë veprim i rëndomtë edhe sot e kësaj dite dhe religjioni pothuajse asnjëherë nuk është bazë konflikti, kjo për arsye se ai për identitetin shqiptar, individual dhe kolektiv qoftë, është dytësor. Sipas Kanunit, “nuk ka dallim midis këtij apo atij burri. Shpirti për shpirtin, të gjithë janë të barabartë para Zotit”.
Prifti françeskan, Shtjefen Gjeçovi
Njeriu që do ta kodifikonte Kanunin përfundimisht në formë të shkruar ishte prifti françeskan i lindur në Kosovë në vitin 1874, Shtjefen Gjeçovi. Gjeçovi ishte një shqiptar i zjarrtë që kishte marrë pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 kundër turqve, e cila filloi pasi që më parë një grup liderësh shqiptarë e shpallën pavarësinë e Shqipërisë në Prizren (që sot gjendet në Kosovë)
Në vitin 1918, shteti shqiptar u njoh dhe u krijua vetëm falë ndërhyrjes së presidentit Amerikan Vudro Vilson
Me këtë kryengritje shqiptarët e hoqën qafe pushtimin 500 vjeçar të Turqisë, por prapa shpine u erdhi pushtimi sllav, që solli në skenë luftën ballkanike të vitit 1912-13, në të cilën u vranë apo vdiqën në forma të tjera, një gjysmë milioni shqiptar për t’u ndjekur më pas nga shpërthimi i një racizmi, asimilimi të detyruar, përzënie e dëbimi, okupimi e gjenocidi të paparë në duart e regjimeve armiqësore sllave, që vende-vende, në forma të ndryshme vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Kjo çështje është objekt tjetër studimi dhe duhet ndarë nga ajo të cilës i kushtohet ky shkrim. Ajo që vlen të theksohet është fakti se pas luftërave ballkanike, shqiptarët u ndanë padrejtësisht dhe artificialisht. Me miratimin e të ashtuquajturave Fuqive të Mëdha, (Austro-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia), Serbia aneksoi gjysmën e tokave shqiptare, duke përfshirë Kosovën dhe pjesë të tjera të tokave shqiptare iu dhanë Malit të Zi dhe Greqisë. Dhe në vitin 1918, shteti shqiptar u njoh dhe u krijua vetëm falë ndërhyrjes së presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vudro Vilson. Në vitin 1939, kur forcat fashiste të Musolinit hynë dhe e pushtuan Shqipërinë, vendi që nga viti 1925 ishte monarki. Në vitin 1943, italianët u pasuan nga nazistët gjermanë, të cilët qëndruan këtu derisa nuk u mposhtën nga forcat aleate pas më shumë se një viti. Apostol Kotani, autoriteti kryesor i historikut të hebrenjve në Shqipëri dhe bashkëkryesues i Shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael së bashku me Dr. Petrit Zorbën, thotë se në fillim, shqiptarët i strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë me vetiniciative dhe në mënyrë të pakoordinuar. Më vonë, nën sundimin gjerman, gjendja u përkeqësua dhe rreziku u shtua , prandaj operacionet e shpëtimit morën formë më të organizuar dhe në qytete dhe katunde ku ishin strehuar hebrenjtë, filluan t’i largonin ata nga njëri në vendin tjetër, qoftë me pasaporta të rreme qoftë duke i maskuar që të dukeshin si katundarë shqiptarë. Zyrtarët qeveritarë shqiptarë miratuan pak rregulla anti-hebraike, por vetëm sa për të qetësuar për sy e faqe italianët dhe gjermanët. Sepse ata kurrë nuk i zbatuan këto rregulla, as edhe një herë të vetme. Kur gjermanët u kërkuan liderëve shqiptarë të përpilonin listën me emrat e hebrenjve që jetonin në Shqipëri në vitin 1943, ata refuzuan – (Apostol Kotani, “Vepra heroizmi – Acts of Heroism,” Illyria, #369 New York, NY, 1997) Siç ka vënë re filantropi amerikano-hebre, Harvey Sarner, në librin e tij “Shpëtimi në Shqipëri – Rescue to Albania”, rëndësinë e Shqipërisë si strehë të shenjtë e dëshmon fakti se Holokaustit arritën t’i shpëtonin vetëm 10 për qind e 70 mijë hebrenjve që jetonin në territorin fqinj të Jugosllavisë. Dhe kjo pjesë e tyre arriti të shpëtonte vetëm falë shqiptarëve të shumtë që jetonin jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë e që ashtu si të tjerët ishin nën sundimin nazifashist si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ata i strehuan hebrenjtë, i pajisën me dokumente të rreme dhe u siguruan transport të sigurt për në Shqipëri.
Kush e fshehu dhe e keqinterpretoi historinë, kulturën dhe realitetin shqiptar?
Gjatë pesëdhjetë viteve të pasluftës së Dytë Botërore deri në rënien e Murit të Berlinit, historia, kultura dhe realiteti i shqiptarëve ose u fshehën ose u keqinterpretuan në mënyrë drastike nga shtypësit e tyre. Në Shqipëri, diktatori komunist, Enver Hoxha , për 46 vjet me radhë ia imponoi vendit të tij njërin ndër regjimet më të centralizuara, më represive dhe më totalitare që kishte njohur bota ndonjëherë në gjithë historinë e saj. Qeveria e Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, vrau apo burgosi qindra mijëra shqiptarë. Ndërkohë, nën sundimin e Titos, shqiptarët që jetonin jashtë kufijve të Shqipërisë, në territorin që dikur njihej si Jugosllavi, iu nënshtruan një shtypjeje të egër antishqiptare.
Ku i gjen sot hebrenjtë që jetonin në Shqipëri?
Shumica e hebrenjve nga Shqipëria imigruan në Izrael. Kjo u arrit falë përpjekjeve dhe angazhimit të guximshëm të Josef Jakoelit dhe bijës së tij, Felicita, pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Josefin, që kishte lindur në komunitetin historik të hebrenjve në Vlorë, komunitet që daton nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë dhe motrën e tij i kishte shpëtuar shqiptari me fe myslimane, Shyqyri Myrto.
Kush e ndihmoi daljen në dritë të përmasave të angazhimit dhe të sakrificës shqiptare?
Por, mbase ne kurrë nuk do të arrinim t’i mësonim përmasat e angazhimit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, po të mos ishte udhëtimi që në vitin 1990 e bënë në Shqipëri, kongresisti Tom Lantos, edhe vetë i mbijetuar i Holokaustit në Hungari dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi. Ata qenë zyrtarët e parë amerikanë që po shkelnin tokën e Shqipërisë brenda pesëdhjetë viteve të fundit. Në përpjekje për t’i hyrë në zemër kongresistit Tom Lantos, diktatori Ramiz Alia, ia prezantoi atij një arkiv të paparë më parë me letra, fotografi dhe pjesë të këputura gazetash që flisnin për shqiptarët që ndihmuan e shpëtuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas, DioGuardi i dërgoi këto dosje në Izrael, ku ato u vërtetuan nga Jad Vashemi (Yad Vashem). Në vitin 1995, me ndihmën e kongresistit Lantos dhe të ish-kongresistit Ben Gilman, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan punoi me Muzeun Memorial Amerikan të Holokaustit në Uashington DC, për ta bashkëngjitur Shqipërinë, më parë e pa vënë re në sektorin e Muzeut, “Në mesin e Kombeve të Nderuara– Righteous among Nations”. Sot, në shtetin shqiptar jetojnë rreth 3.5 milionë shqiptarë dhe rreth tre milionë të tjerë jetojnë përkrah kufijve të tij në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës (Serbi jugore) dhe në Çamëri (Greqia veriore), ndërkohë që rreth tetë milionë të tjerë jetojnë në diasporë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, në Evropën Perëndimore, në Turqi dhe Australi, pasi që më parë ishin detyruar t’i iknin terrorizmit sllav të sponsorizuar nga shteti dhe më pas po këtij terrorizmi veç kësaj radhe me ngjyrën e komunizmit, që pllakosi tokat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Shqiptarët i mbijetuan shekujt e gjatë të shtypjes dhe sundimit të të huajve falë respektit që kishin për vlerat dhe etikën e fuqishme të Kanunit
Megjithëse në epokën e pasluftës u burgosën, u torturuan dhe u vranë miliona shqiptarë, përpjekjet komuniste dhe sllave për t’ia ndrydhur dhe shkatërruar qenien shqiptare traditat, zakonet dhe normat thelbësore të Kanunit, dështuan. Ajo që u ka mundësuar shqiptarëve që në vazhdimësi ta mbronin veten pas një fati të dhembshëm të përcaktuar nga pushtuesit dhe sundimtarët e tyre, është vlera dhe respektimi i etikës së fuqishme të Kanunit. Këto vlera dhe kjo etikë janë pikërisht ajo që i bëri shqiptarët të merrnin një rol të paparë për shpëtimin e hebrenjve nga Holokausti. Kjo ilustron fuqishëm ndërlidhjen intime midis besës dhe tolerancës fetare që e kanë karakterizuar Shqipërinë e shqiptarët ndër shekuj. Në shekullin 21, shqiptarët duhet të fillojnë t’i shërojnë dhe tejkalojnë pasojat destruktive psiko-shoqërore të shkaktuara nga okupimi qindvjeçar dhe nga racizmi dhe gjenocidi. Njëkohësisht, historia e tyre nuk është vetëm histori e shtypjes, por ashtu siç na dëshmon sjellja e tyre e guximshme gjatë Holokaustit, ajo është edhe histori e rezistencës ndaj shtypjes, histori e tolerancës fetare dhe histori e përkushtimit për drejtësinë.
(Përktheu: Musli Bazhdaraj Përg.për botim Elida Buçpapaj)
Comentarios