• AACL

ALB - Greece’s Stand on National Minorities

Qendrimi Greqisë Ndaj Pakicave Kombëtare


nga Eqerem Mete**


Nga fillimi i vitit 2001, sipas agjencisë Rojter, Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri “një komision për të diskutuar rreth një marreveshjeje bashkëpunimi.” Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së jashtme greke i deklaroi kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij kohët e fundit në Shqipëri se “legjislacioni për pakicat duhet të rishikohet “në qoftë se Tirana dëshiron t’i afrohet Bashkimit Evropian,” kurse kyeministri shqiptar paska shprehur bindjen se “Shqipëria do të përpilojë një legjislacion të avancuar, nje nga më të përparuarit në Evropën Juglindore.”


Nisma e BE-së për t’iu mësuar autoriteteve shqiptare se si të sillen me të ashtuquajturën pakicë greke, që numëron rreth 30 – 40 mijë frymë, ultimatumi i të dërguarit të kryeministrit grek, si dhe deklarata e kryeministrit shqiptar të krijojnë përshtypjen se në legjislacionin shqiptar për pakicat kombëtare paska të meta serioze. Për të sqaruar këtë çështje, për të parë se ku janë dhe për hir të argumenteve, autoritetet përkatëse shqiptare e kanë obligim të studiojnë ligjet dhe praktikat e vendeve të tjera, natyrisht edhe të Greqisë, madje edhe të vendeve, që mbahen si më të përparuarit në këtë drejtim.


A ka legjislacion më të avancuar dhe praktikë kaq absurde në vendet e tjera sesa çka vërehet në vendin tonë për të ashtuquajturat pakica kombëtare? Në vend që nxënësi ta kërkojë e të vejë atje ku është shkolla, në Shqipëri shkolla (greke) i ndjek nga mbrapa nxënësit e diasporës greke, kudo ata ndodhen edhe kur ky numër bie në kundërshtim flagrant me ligjin.


Nga ana e tyre, autoritetet greke nuk e kanë marrë mundimin deri më sot të lejojnë zyrtarisht hapjen edhe të një shkollë të vetme fillore për fëmijët e qindra mijë emigrantëve shqiptarë. Greqisë as nuk i shkon ndërmend të ndërmarrë një veprim të tillë zyrtar, që do të kishte sadopak nuancën e njohjes së të drejtave të një elementi nacional që nuk është e nuk e quan veten grek. Në mentalitetin grek, një hap i tillë do të ishte precedent i rrezikshëm që do të minonte teoritë rreth të ashtuquajturit homogjenitet të shtetit grek dhe do t’u shtonte oreksin pakicave nacionale për arsimim në gjuhët e veta kombëtare. Ky hap do të rriste edhe presionin nga brenda e jashtë ndaj Greqisë. Ai do të bënte gjithashtu të shkonin kot mundimet e autoriteteve greke gjatë shumë dekadave për të asimiluar shqiptarët e vjetër, qoftë autoktonë apo të vajtur gjatë shekujve, në Greqi. Përpjekjet për t’i çkombëtarizuar emigrantët e rinj shqiptarë nëpërmjet shkollimit në greqisht dhe me ndihmën e kishës ortodokse greke duke u ndërruar fenë, si dhe diktati i autoriteteve greke, duke shfrytëzuar praninë e tyre në Greqi, ndaj shtetit shqiptar, do të bëheshin gjithmonë e më të paefektshëm.

Një politikë e tillë e brendshme e shtetit grek ndikon fuqishëm edhe politikën e tij të jashtme ndaj fqinjëve pavarësisht nga mballomat e garniturat evopiane që e shoqërojnë atë. Ndaj Shqipërisë, në vend të reciprocitet të paktën për hir të qëndrimit të qeverisë së sotme shqiptare, Greqia e ka rritur intensitetin dhe diapazonin e presionit.


Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Për të shmangur një akuzë të tillë, por edhe për ta mbajtur situatën në tension, tani për tani, qeveria greke ua ka lenë të ashtuquajturëve qarqe ultranacionaliste detyrën për të ngritur hapur kërkesa territoriale, kurse në cilësinë si qeveri po këto kërkesa ajo i kamuflon me parullën për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të normave demokratike.


Në takime zyrtare të nivelit të lartë midis të dyja palëve, pala greke i bën palës shqiptare kërkesa ultimatum, që flasin për imponim të raporteve pronar-vasal. Në parlamentin grek bëhen debate lidhur me “rritjen e nacionalizmit shqiptar, zgjerimin e rolit destabilizues të grupeve të armatosura shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë jugore” pavarësisht se lufta e shqiptarëve kunder nacionalizmit agresiv serb u mbështet dhe mbështetet, natyrisht me përjashtim të grekëve, nga gjithë bota demokratike. Një gjë është më se e qartë në këtë kontekst. Sa më afër i afrohet zgjidhjes çështja e Kosovës, aq më shumë irritohen autoritetet greke dhe aq më shumë i mëshojnë paralelizmit absurd që ata bëjnë me këtë çështje.


Eurodeputetët grekë, të Demokracisë së Re dhe të PASOK-ut, kërkojnë që Shqipërisë t’i ndërpritet ndihma makrofinanciare dhe ajo të përjashtohet nga tratativat për fillimin e bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjes së asosacionit e stabilitetit. Edhe ministri i Jashtëm Xhorxh Papandreu ka hipur në skenë për të atakuar Shqipërinë. Ai i shkruan Komisionerit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë Kris Patten duke e bërë problem “mungesën e të drejtave të ‘pakicës greke.’”


Edhe pse midis të dy vendeve është nënshkruar Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit, Ligji i Gjendjes së Luftës me Shqipërinë ende nuk është hequr nga Greqia në një kohë kur me Italinë ajo e ka abroguar një ligj të tillë pavarësisht se ishte Italia fashiste ajo që kreu agresion ndaj saj në vitin 1940 dhe jo Shqipëria. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi janë bllokuar nën pretekstin e këtij ligji absurd, kurse për pasuritë e popullsisë shqiptrare që u masakrua dhe u detyrua me forcën e armëve të largohej nga Çamëria, jepen argumente nga më absurdet për të mos ua kthyer ato pronarëve të ligjshëm.


Duke parë një politikë e veprimtari të tillë greke kundër Shqipërisë, kushdo mund të nxjerrë konkluzionin se Greqia akoma jeton në të kaluarën. Që të jetojë në të tashmen, asaj i duhet të zbatojë proverbin e vjetër, që thotë se “të njohësh të tjerët është dituri, të njohësh vetveten do të thotë të pastrosh mendjen.” Pikërisht këtë të fundit nuk kanë bërë fqinjët tanë.


Megjithatë, pikërisht në këtë sfond aktiviteti politik nga ana e Greqisë kundër Shqipërisë, qeveria e sotme shqiptare marrëdhëniet me fqinjën jugore i trajton në kuadrin e “partneritetit strategjik midis dy partive, dy qeverive e dy vendeve” me shpresë se rruga për Evropë do të shkojë nga Athina ashtu si dikur rruga për Moskë shkonte nga Beogradi.


Me përjashtim të atyre që ia kanë lidhur këmbët e duart vetes, zor se ka nga ata të cilët kanë mend në kokë e sy në ballë, që nuk kuptojnë e nuk shikojnë se ku e ka hallin pala greke.

Po të kthehemi përsëri në temën e fillimit, atë të pakicave kombëtare, do të thosha se kushdo do të bëhej kurreshtar të mësonte se çfarë thonë vetë personalitetet greke për këtë çështje. Materiali i mëposhtëm, i bazuar në burime nga Greqia dhe Komuniteti Evropian, i botuar me shkurtime në gazetën Illyria (Nju Jork, SHBA) mund të hedhë pak dritë mbi përvojën e shtetit helen në këtë drejtim.


x

x x


Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit grek dhe drejtuesve të partive në vigjilje të 25 vjetorit të rivendosjes së demokracisë në Greqi më solli ndërmend një raport mbi shqiptarët e Greqisë, përpiluar nga një grup hulumtues të Komunitetit Evropian në vitin 1987.


I nënshkruar nga tre deputetë turq të pakicës turke, shtatë organizata turke dhe tri organizata maqedone per minoritetet përfshirë edhe Grupin grek të Helsinkit për Monitorizimin dhe të Drejtat e Pakicave në Greqi, Apeli thekson se republika e Greqisë ka një dobesi të theksuar: Ajo nuk njeh praninë e pakicave kombëtare në territorin e vet.


Nënshkruesit i bëjnë thirrje shtetit grek që të njohë ekzistencën e pakicave maqedone dhe turke, të ratifikojë Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës pa kushte për zbatimin e saj dhe të zbatojë parimet e Konventës si dhe të dokumenteve përkatëse të OSBE-së me qëllim ndërprerjen e gjithë formave të diskriminimit apo persekutimit të pjesemarrësëve të këtyre pakicave dhe respektimin e të drejtave të tyre.


Eshtë e vërtetë se autoritetet greke, që gjithmonë kanë luajtur rolin e strucit, si dhe publiku grek, i cili është indoktrinuar si duhet dekada me radhë, refuzojnë në mënyrë kategorike të njohin praninë e pakicave kombëtare në territorin grek. Parimi te cilit grekët gjithmonë i janë përmbajtur është se kushdo që jeton në Greqi është grek. Gjithë ata që nuk janë grekë duhet të largohen. Ky është mentaliteti mbizotërues në Greqi, anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Nuk u shkon ndër mend grekëve se në qoftë se vendet fqinjë do të kishin zbatuar të njëjtin parim, tashmë nuk do të kishte më grekë jashtë kufijve të shtetit grek.


Të citojmë shkurtimisht përgjigjet e disa autoriteteve greke ndaj Apelit sipas burimeve greke.

Kryetari i parlamentit Apostolos Kaklamanis: “Në Greqi nuk ka as pakicë turke, as maqedone. Ekziston vetëm një pakicë fetare myslimane. Çdo sajesë, sidomos në këtë moment, u shërben qëllimeve të tjera dhe me të do të merremi në mënyrën e duhur.”

Ministri për Shtypin Dimitris Reppas: “Sajesat antihistorike dhe jorealiste do të dështojnë.”

Ministri i Jashtëm grek Xhorxh Papandreu: “Greqia, që ndodhet në një rajon të vështirë, ndjek një politikë shëmbullore në drejtim të pakicave.”


Kurse ish ministri i Maqedonisë dhe Thrakës Stelios Papathemelis deklaroi: “Me duhet t’ua them në gjuhën e tyre ‘Ai sihtir’ [P...!].” Udhëheqësi i KKE i shtoi një version tjetër motivit të Apelit. Ai theksoi: “Besojmë se publikimii një deklarate të tillë ka më pak lidhje me përvjetorin e rivendosjes së demokracisë sesa me dialogun që po zhvillohet midis Greqisë dhe Turqisë. Ajo i krijon mundësinë Amerikës të imponojë kushtet e veta për dialog. Ata që guxuan të ndërmarrin një veprim të tillë mund të gjenden jo vetëm në Greqi.”


Gazeta Eleftherotypia botoi një artikull shkruar nga profesor Nikolas Stavru, grekoamerikan në lidhje me Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë mbrapa peripecive ballkanike. Stavru shkruan se mbrapa Apelit fshihen Ankaraja dhe padronët e vet në Uashington me mbështetjen e “industrisë” së të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara dhe filialet e saj në Greqi. Kjo deklaratë, e cila ua hedh fajin Shteteve të Bashkuara i ngjan deklarimit të kryetarit të parlamentit Kaklamanis rreth sulmeve ajrore të NATO-s kundër Sërbisë. “Sulmet e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara e kthejnë Evropën në kohën e Luftës së Ftohtë,” deklamoi ai. “Duhet t’i japim fund qënies sonë pre e një fuqie [SHBA] e cila nuk do që Evropa të qëndrojë me këmbët e veta.”


Çka tërheq në veçanti vëmendjen është ngjashmëria e madhe e reagimeve të autoriteteve dhe përfqësuesve të partive politike ndaj Apelit dhe deklaratrave që përmban raporti për shqiptarët e Greqisë. Përfundimi që mund të nxirret nga përmbajtja e Apelit është se politika e pushtetarëve grekë sot për të njëjtën çështje është e njëjtë me atë të vitit 1987, kur u përpilua raporti i sipërpërmendur, përmbledhja e të cilit vijon.


Raport rreth Shqiptarëve të Greqisë


nga Komisioni i Komunitetit Evropian


Nje grup hulumtues i Komunitetit Evropian vizitoi Greqinë nga 4 deri 10 tetor 1987 për të kryer një studim rreth pranisë së elementit shqiptar dhe ruajtjes së prejardhjes etnike e gjuhës.


Udhëtimi u organizua nga Buroja Evropiane për Studimin e Gjuhëve pak të përdorura, nën mbikqyrjen e Komisionit të Komunitetit Evropian.


Përbërja e Grupit:


Antonio Belushi Itali

Ricardo Alvares Spanjë

E. Angel Francë

Kolom Anget Spanjë

Havier Boski Spanjë

Onom Falkona Hollandë

Volfgang Jeniges Belgjikë

Robert Marti Francë

Stefan Moal Francë

Kol O’Cinseala Irlandë

Joseph San Sokasao Spanjë


Objekti i udhëtimit: Hulumtime në 300 komunitete shqiptare në Greqi.


Synimi: Tu mundësohet përfaqësuesve evropianë gjatë vizitës së tyre të bien në kontakt me popullin shqiptar në Greqi, ku aktualisht flet gjuhën shqipe, e cila nuk mësohet në shkollat greke.


Për të vlerësuar reagimin e partive dhe institucioneve të ndryshme ndaj çështjes së mbrojtjes s’ pakicave linguistike që ekzistojnë në Greqi, të cilat aktualisht nuk njihen madje edhe nën kriterin minimal siç është rasti i shqiptarëeve e i të tjerëve.


Pikëpamjet e partive kryesore:


Partia “Demokracia e Re”:


Biseduam me Mihal Papakonstantinu, Efstakios Paguhos, Nikola Martis, Joanis Vulfefis dhe Kaeti Papannastision. Vijojnë disa nga përgjgjet e tyre:


“Problemi i gjuhës shqipe ne Greqi nuk ekziston. Po të hedhim probleme gjuhësh në tavolinë, do të krijonim probleme shumë të mëdha për shtetin grek.


Në qoftë se gjuha shqipe flitet, ajo flitet vetëm në familje. Nuk mund të jepet opinion i plotë për këtë çështje.


Kurrë nuk ka pasur vend për shqiptarët në problemet tona. Misioni juaj është shumë delikat. Mos i komplikoni punët.


Kujdes! Çështjet e pakicave do të çojnë në luftë në Evropë. Nuk mund tëju ndohmojmë në asnjë mënyrë në këto momente. Gjithashtu, nuk duam të krijojmë përshtypjen se ka prani shqiptare në Greqi. Ky problem për ne nuk ekziston.”


Partia “PASOK”:


Pyetjet iu bënë Dr. Jorgos Sklavunas dhe Manolis Azimakis.


Përgjigjet e tyre:


“Nuk e konsiderojmë të domosdoshme që shqiptarët dhe pakicat e tjera të mësojnë gjuhët e tyre amtare sepse gjuha që ata flasin nuk është gjuhë.


Nuk ka tokë shqiptare ne Greqi. Ka vetëm territore greke ku mund të flitet edhe shqip.


Kushdo që nuk e flet gjuhën tonë, nuk i përket racës dhe vendit tonë.


Ministria e Kultures


Mbasi dëgjoi pyetjet, Doc. Athina Sipirianti u përgjigh:


Për të zgjidhur një problem duhet gjithmonë të ngrihet një komision. Ne nuk kemi mundësi të merremi me problemin që ngreni ju. Përvoja tuaj do të nda duhet për çka do të bëjmë në të ardhmen. Vizita juaj është një stimul i madh për ne.


Departamenti Pedagogjik


Përgjigja e Dr. Trinnidafilotis ishte shumë e ftohtë:


Nuk ka mësim të shqipes. Kjo që thoni ju është më shumë problem politik sesa kulturor. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.


Komisioni i revistës së pavarur Anti u përgjigj:


“Kufijtë midis shteteve nuk janë të drejta. Ky interesim për minoritetet në Greqi mund të fshehë interesa dominimi nga shtete të tjerë. Pakicat linguistike, pra, pakica shqiptare, nuk ka fare të drejta. Në Greqi ka vetem grekë.”


Deklaratat e mësipërme dhe Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit dhe drejtuesve të partive greke janë provë e qartë e pranisë së shqiptarëve, turqëve dhe sllavëve maqedonë në Greqi, të cilët vazhdojnë të flasin gjuhët e tyre amtare. Sipas studimeve të kryera nga dijetarë, ne Greqi ndodhen rreth 700 fshatra shqiptare, kombësinë shqiptare të të cilëve grekët e mohojnë. Eshtë fakt i njohur se gjithë pjesëmarrësit e pakicave kombëtare në Greqi i janë nënshtruar një asimilimi intensiv dhe të organizuar, të cilin grekët, ndërsa mohojnë kombësinë e tyre të ndryshme, e justifikojnë duke iu referruar fesë së tyre ortodokse, sikur feja të ishte kriteri për të përcaktuar kombësinë. Megjithatë, pretendimeve absurde të autoriteteve greke iu janë kundërvënë edhe vetë grekët. Në një studim për të njëjtën çështje, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe zëvendës president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Kristos Rozakis e pranon karakterin etnik të pakicave në Greqi.


Për sa i përket politikës së brendshme greke ndaj pakicave kombëtare, është për të ardhur keq të konstatosh që një anëtare e Bashkimit Evropian siç është Greqia nuk ka mundur të bëhet model për vendet e tjera ballkanike në kuadrin e çështjes së pakicave kombëtare, që shembulli i saj në këtë fushë i shtohet imazhit tashmë të njollosur të Ballkanit për shkak të politikës së Sërbisë, që megjithëse anëtare e NATO-s, pavarësisht nga “përpjekjet” e qeverisë për të mbajtur një të ashtuquajtur ekuilibër, Greqia iu kundërvu sulmeve ajrore të NATOs kundër Sërbisë nën pretekstin fallco të lidhjeve tradicionale historike dhe fetare me Serbët dhe heshtazi mbështeti politikën e Milosheviçit për spastrimin etnik të Kosovës prej shqiptarëve.


Në këtë fushatë solidariteti me Milosheviçin kur filluan bombardimet ajrore të NATO-s, kryepeshkopi i Athinës Kristodulos nxitoi të mbështesë patriarkun e Moskës Aleksi, kreu i Kishës Ortodokse Ruse duke bërë thirrje për të përkrahur Serbinë.


Eshtë gjithashtu për të ardhur keq se asgjë nuk ka ndryshuar deri sot në politikën nacionaliste dhe teokratike të Greqisë që nga periudha 1944-1945 kur grekët ishin të parët në Evropën Juglindore mbas Luftës së Dytë Botërore që kryen vrasje masive në Çamëri, rajon i banuar nga shqiptarë, në veri-perëndim të shtetit të sotëm grek, dhe që e spastruan atë etnikisht nga shqiptarët, që nuk kishin fenë e grekëve.


Eshtë e logjikshme që vëllezërit e tyre të fesë, Serbët, të përfitonin natyrshëm nga përvoja greke e viteve 1944-1945 në spastrimin etnik të shqiptarëve dhe ta përdornin atë në shkallë të gjerë kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.


Mënyra si reagojnë grekët ndaj çështjes së pakicave kombëtare flet për një tendencë të fortë nacionaliste, të sëmurë, e ngritur në nivelin e politikës shtetërore dhe që bie ndesh me tendencën e përgjithshme në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1951 në Greqi pakicat etnike në vend përbënin 2.6 deri 3.8 të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Si edhe në rastin e jogrekëve të tjerë, edhe numri i shqiptarëve ishte mjaft i zvogëluar në regjistrim. Sipas burimeve të tjera, në atë kohë të paktën kanë qenë 350, 000 shqiptarë. Folës sllavë në Greqi sot numërohen deri në 300 mijë megjithëse shumica e tyre u detyrua të largohej gjatë dhe mbas luftës së dytë botërore e luftës civile. Megjithëse fakti mbetet, edhe këto të dhëna të zvogëluara tej mase janë mohuar nga autoritetet greke sa herë që dikush iu është referuar. Vetë dy fakte, që janë prova të padiskutueshme të mungesës së tolerancës greke ndaj pakicave kombëtare: Pak vite më parë, Anastasia Karakasidou, e diplomuar në Universitetin e Harvardit, iu bënë kërcënime për ta vrarë së pari nga komuniteti grek në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë në Greqi për shkak se ajo kishte folur për praninë e një komuniteti maqedon slllavofolës në Greqi në librin e vet “Fusha me Grurë, Kodra me Shkurre…” Pothuajse në të njëjtën kohë, Kristo Sideropulos, drejtues i “Lëvizjes së të Drejtave të Njeriut në Maqedoni” u hodh në gjyq me akuzën se “kishte përhapur të dhëna jo të vërteta që mund të sillnim shqetësime në marrëdhëniet e Greqisë me jashtë.” Faji i tij ishte një deklaratë që ai kishte bërë për maqedonasit që shteti, i cili u mohonte ekzistencën, u krijonte pengesa në ushtrimin e gjuhës dhe kulturës së tyre.


Megjithëse nuk mund të mohohet fakti se Greqia është anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, sjellja e saj, në të kaluarën dhe sot, që shumë pak ka të bëjë me vlerat perëndimore, po ndihmon gjithmonë e më shumë njerëz të kuptojnë se ky vend është shumë larg nga anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian për sa u përket mentalitetit, kulturës, si dhe tolerancës fetare dhe nacionale. Greqia dallohet nga vendet e tjera anëtare të BE-së edhe për sa i përket legjislacionit të brendshëm. Për shembull, shtetësia, kombësia dhe feja ngatërrohen me qëllim në Greqi. Kushtetuta greke e ndalon proselitizmin. Ka dispozita, sidomos Neni 20 i Ligjit për Shtetësinë në Greqi, sipas të cilit imponohen sanksione, denime me burg dhe mohim të shtetësisë greke ndaj pjesemarrësve të pakicave fetare, që akuzohen për pjesëmarrje në të ashtuquajtura veprimtari kundër helenizmit. Pavarësisht nga fakti se Neni 19 të i Ligjit për Shtetësinë Greke është abroguar si rezultat i presionit ndërkombëtar, në bazë të të cilit qeveria kishte të drejtë tu hiqte shtetësinë greke personave të quajtur alogjenë [banorë vendas me origjinë jogreke], Greqia nuk e ka bërë heqjen e Nenit prapaveprues për t’ua kthyer shtetësinë personave që me pa të drejtë e kanë humbur atë.


Gazeta britanike Financial Times citon Takis Michas, specialist për çështjet sociale në gazeten e Athinës Eleftherotypia, të ketë thënë se “Greqia përfaqëson një shoqëri të mbyllur në vetvete. Vlerat e ortodoksisë e përforcojnë këtë mentalitet. Ortodoksia e shikon Perëndimin si rrezik, si vend ku kurdisen komplote kundër saj,” mentalitet i grekëve dhe serbëve ky, i cili e ka origjinën në sizmën e hershme midis kristianizmit perëndimor dhe lindor. Kurse historiani britanik Norman Davies shkruan në librin e tij “Evropa, nje Histori”: Që nga koha e kryqëzatave, ortodoksia e ka konsideruar Perëndimin si burim i një shtypjeje më të keqe se ajo e të pafeve.” Ky mentalitet shfaqet edhe ne radhet e klerikëve greke në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas shtypit amerikan, kryepeshkopi Spiridon, kreu i Kishës Ortodokse greke në Shtetet e Bashkuara është akuzuar se është përpjekur që frekuentimin e kishës tua ndalojë ortodoksëve që ndjehen më shumë amerikanë se grekë. Spiridon, i pari udhëheqës i lindur në SHBA i kishës ortodokse greke, deklaron se veprimtaria e tij synon të mbrojë traditat bizantine të kishës, duke provuar kështu se është një nga grekët qe kujtojnë se akoma jetojnë në perandorinë bizantine. Jeane Karthner i gazetës Liberacion shkruan: “Para pak vitesh, grekët ishin në armiqësi me shqiptarët, maqedonët dhe bullgarët. Ata janë armiq të përhershëm të turqëve, kurse tani janë bërë armiq të amerikanëve, britanikëve, francezëve, gjermanëve dhe pjesës tjetër të botës.” “Perëndimi është plot me armiq”, është cituar të ketë thënë presidenti i Greqisë, Kostis Stefanopolus. Analistët theksojnë se këto deklarata të kujtojnë “një gjendje të brendshme emotive, që ende ka rrenjë të thella në Ballkanin Lindor, dhe se nyja e përbashkët është tradita fetare. Kjo nyje e çimenton aleancën me Serbinë…” Ky mentalitet që ka çuar në fanatizëm nacionalist dhe fetar i ka shtyrë gjithashtu analistët të nxjerrin konkluzionin e logjikshëm se prania greke në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe organizata të tjera është anomali dhe paradoks. Greqia vazhdon të jetë jetë partner i vështirë, bile edhe sot e kësaj dite është delja e zezë në Bashkimin Evropian, që herë pas here i nxjerr probleme të sajuara Evropës për shkak të qëndrimit të saj kapriçioz ndaj fqinjëve. Ky konkluzion nuk është diçka që i takon së kaluarës, apo fillimit të viteve 1990, siç thotë një tjetër grek, Lukas Cukalis, i Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës.


Pra, është e gabuar, të paktën për të ardhmen e afërt, ta konsiderosh Greqinë si urë që do të lidhë vendet fqinj me Evropën. Kjo anëtare e Bashkimit Evropian që e konsideron çdo kritikë ndaj mënyrës se si ajo i trajton çështjet e saj të brendshme, sidomos çështjen e pakicave kombëtare, si veprim armiqësor të frymëzuar nga Perëndimi për të destabilizuar vendin, nuk mund ta luajë një rol të tillë pa përmirësuar imazhin e vet ende në nivel të ulët në krahasim me standartet evropiane, dhe pa hequr dorë nga mbjellja e farrës së intolerancës fetare dhe kombëtare.


Greqia duhet të mësojë si të sillet në shtëpinë e vet dhe jo ta kërkojë fajtorin jashtë.


——————-


* Artikulli është botuar në gazetën shqiptare “Albania” në dhjetor 2000


** Shkruesi i këtij artikulli ka qenë drejtor politik për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet 1992-1996

Recent Posts

See All

ALB - It’s Time to End the Appeasement of Serbia

T’i jepet fund politikës së përkëledhjes ndaj Serbisë Nga Shirley Cloyes DioGuardi dhe Roland Gjoni Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vërtetoi ligjshmërinë e deklaratës së pavarë

ALB - The Unfolding Crisis In The Presheva Valley

SHPALOSJA E KRIZES NE LUGINEN E PRESHEVES Nga Shirley Cloyes DioGuardi Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës (në jug të Serbisë) u mbolodhën më 28 Janar në qytetin e Preshevës për të kërkuar lirimi

© 2020 Albanian American Civic League

Email: jjd@aacl.com   Tel: 914-762-5530