top of page

ALB - Delegation With Congressman Dana Rohrabacher To Albania, Montenegro, And Kosova

Çështja Shqiptare në Kongresin e SHBA


LIDHJA QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE DHE KONGRESISTI DANA ROHRABACHER NË MISION FAKTMBLEDHËS NË SHQIPËRI, MAL TË ZI DHE KOSOVË


Nga: Shirley Cloyes DioGuardi


Nga 21 deri më 27 gusht, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane bëri në një mision faktmbledhës në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Kosovë së bashku me kongresistin Dona Rorabacher dhe bashkëshorten e tij, Rhonda.


Në pozitën e tij të re si kryetar i Nënkomitetit për Mbikëqyrje të Hetimeve, që vepron në kuadër të komitetit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, kongresisti Rorabacher shprehu dëshirën për thellimin e mëtejmë të njohurive lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe kulturore me të cilat përballen shqiptarët në Ballkan. Si bashkësponsor i rezolutës së Kongresit 24, ai deshi të mblidhte prova në mënyrë që mbi këtë bazë ta vlerësonte mundësinë e përshpejtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ShBA-të.


Në këtë mision, Rorabacher u shoqërua nga presidenti i Lidhejs Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, nga këshilltarja e Lidhjes për Çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi dhe nga anëtarët e bordit të Lidhjes Gjergj Dedvukaj, Haki Dervishi, Adem Dukaj, Myslim Kuka, Gazmend Lita, Marash Nuculaj, Ahmet Zeka dhe Kol Zagreda. Në Shqipëri, grupi vizitoi dhe mbajti takime në Tiranë, Krujë, Durrës dhe Shkodër, pastaj në Ulqin dhe Tuz të Malit të Zi dhe Prishtinë, Gjakovë, Meje e Prizren në Kosovë. Më poshtë po japim disa nga aktivitetet kryesore të këtij udhëtimi.


SHQIPËRIA: Takimi me ambasadoren e ShBA-ve Marcie Ries


Duke e vlerësuar rëndësinë e vizitës së kongresistit Rorabacher, ambasadorja e ShBA-ve në Shqipëri, Marcie Ries, e ndërpreu pushimin e saj në Sarandë, ku po qëndronte me bashkëshortin e saj, për ta mbajtur një mëngjes pune me kongresistin Rorabacher dhe me bordin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Tiranë.


Ambasadorja Ries vuri në spikamë “marrëdhëniet e posaçme të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara”, për shkak të rolit të ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson në krijimin e shtetit sovran të Shqipërisë në takimet pas Luftës së Parë Botërore dhe po kështu edhe për sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë në krye me ShBA-të për mbrojtjen e Kosovës në vitin 1999. “Shqiptarët i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mishërimin e asaj që kërkojnë dhe duan për veten e tyre”, – tha zonja Ries. Kjo është arsyeja kryesore që e shtyn atë të mendojë se “ne duhet t’i kundërvihemi qasjes evropiane tradicionalisht negative në Ballkan në mënyrë që Shqipëria të shihet me sy pozitiv”.


Ambasadorja Ries përmendi faktin se pas Moldavisë, Shqipëria renditet e dyta për shkallën e varfërisë në Evropë, një realitet që ndërlidhet me të kaluarën e saj komuniste nga e cila doli katërmbëdhjetë vjet më parë, një regjim i ashpër ky që e vinte atë diku në mes të Koresë së Veriut dhe Gjermanisë Lindore për shkallën e represionit dhe paranojës”. Ajo pranoi faktin se mungesën e vendeve reale të punës në Shqipëri e kompenson paksa “ekonomia gri” dhe dërgimi i parave nga shqiptarët që punojnë e veprojnë në Amerikë, në Evropën Perëndimore dhe në Greqi. Pastaj, ambasadorja theksoi potencialin ekonomik që ka Shqipëria me popullsinë saj numerike dhe të fuqishme të moshës së re me shkallë të kënaqshme të edukimit dhe potencialet e fuqishme të rritës në fushën e turizmit, të bujqësisë dhe të hidro- energjetikës.


Në frontin politik, ambasadorja Ries tha se megjithëse zgjedhjet e 3 gushtit nuk ishin të përkryera, ato ishin “hap vendimtar para”. Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve ka shpënë në „rishikimin e faktit se kush jemi dhe kah po shkojmë”, duke cituar kështu “platformën antikorrupsion” të kryetarit të Partisë Demokratike, premier i ardhshëm vendit, Sali Berisha në një shoqëri ku mitosja dhe korrupsioni ekziston në të gjitha nivelet.


Ajo është e interesuar “për çuarjen e Shqipërisë përpara” dhe me këtë rast afirmoi zotimin dhe përkushtimin e Amerikës për luftimin e ashpër të krimit, zhdukjen nga rrënjët të trafikimit, instalimin e besimit në sundimin e ligjit, krijimin e një sistemi të pavarur gjyqësor dhe krijimin e një sistemi të besueshëm dhe të qëndrueshëm bankar si dhe të vendeve reale të punës në Shqipëri. Ambasadorja Ries përmendi me admirim përkrahjen që Shqipëria i ka dhënë Amerikës në luftën kundër terrorit dhe dërgimin e 150 trupave të saj në Irak. Ajo tha se shpresonte shumë që qeveria amerikane do ta vazhdonte interesimin e saj për Ballkanin dhe mbështetjen për hyrjen e Shqipërisë në rrjedhat për anëtarësim në BE dhe në NATO.


Takimi me kryeministrin e ardhshëm, Sali Berisha


Takimi ynë me Dr. Sali Berishën në hotelin “Tirana Internacional” u mbajt pas mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve në katër zona elektorale. Megjithëse kur u takuam ne numërimi i votave në këto zona nuk qe kryer ende, Berisha e kishte të sigurt postin e kryeministrit të Shqipërisë nga fillimi i shtatorit. Berisha e hapi diskutimin e tij me Lidhjen Qytetare duke folur për planet e tij për qasjen ndaj pjesëtarëve të diasporës shqiptare pasi që “ju mund ta mbroni, ta ruani e shpëtoni identitetin kombëtar kudo që jeni”, tha ai dhe shtoi se e drejta e qytetarëve shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë për të votuar, të paktën në zgjedhjet kombëtare, do të njihet e garantohet së shpejti dhe veç kësaj, do të hyjë në jetë heqja taksës për tri vjet për të gjithë imigrantët shqiptarë dhe pjesëtarët tjerë të diasporës shqiptare që investojnë në Shqipëri si dhe foli për hapjen e shkollave verore për fëmijët e tyre. Pjesa dërrmuese e prezantimit që bëri me këtë rast përqendrohej në domosdoshmërinë e çrrënjosjes së korrupsionit, i cili, tha ai, nga viti 1996 ka shënuar ngritje prej 400 për qind dhe po kështu përmendi nevojën e domosdoshme për krijimin e vendeve të punës në Shqipëri (mungesa e të cilave për çdo vit detyron 100.000 burra e gra shqiptare të ikin nga Shqipëria). Si faktor pozitiv ai përmendi shtimin e ndërgjegjësimit dhe kundërshtimin në rritje ndaj korrupsionit që tani ka arritur shkallën 80 për qind ndaj 26 për qind sa ishte në vitin 1996. Premieri i ardhshëm Berisha premtoi se do t’u hiqet imuniteti të gjithë zyrtarëve publikë të përzier në korrupsion, tha se do të miratohen ligje që parandalojnë dhe pamundësojnë përfshirjen e anëtarëve të qeverisë në konflikte interesash dhe shtoi se do të emërojë një ombudsperson nga radhët e shoqërisë civile që do të merret me të gjitha prokurimet e vlerës mbi 10.000 dollarë amerikanë.


Kongresisti Rorabacher reagoi duke sugjeruar që Dr. Berisha duhet ta bëjë të qartë nga çasti i parë se korrupsioni nuk do të tolerohet. Pastaj Dr. Berisha dhe kongresisti Rohrabacher diskutuan së bashku për rëndësinë që ka shfrytëzimi i bregdetit shqiptar dhe aplikimi i teknologjive të reja. Berisha tha se “tridhjetë vjet më parë bregdeti ishte bosh dhe shtoi se vendi duhet t’i lerë bjeshkët për t’iu kthyer detit”. Ndërsa kongresisti Rohrabacher theksoi rëndësinë që ka dhënia me qira për nëntëdhjetë e nëntë vjet investitorëve që duan ta zhvillojnë bregdetin, një dispozitë që ka qëndruar në letër sipas Dr. Berishës nga viti 1995 si dhe përdorimi i internetit për angazhimin e popullsisë së re shqiptare dhe konkurrimi në tregun botëror. Rohrabacher po ashtu sugjeroi që Berisha t’i heqë taksat për shkrimtarët dhe shpikësit nga e tërë bota. Në këtë takim kongresisti Rohrabacher ngriti një çështje të cilën do ta përsëriste gjatë tërë këtij udhëtimi: Nevojën e patjetërsueshme për t’iu kundërvënë propagandës së rreme se shqiptarët jenë forcë myslimane e mundshme fundamentaliste dhe terroriste në zemër të Evropës. Ai i propozoi kryeministrit të ardhshëm Berisha që të ofrojë shtimin e forcës shqiptare në Irak në 500 (shumica prej të cilëve janë myslimanë) dhe shtoi se nëse Berisha tregohet i gatshëm që ta bëjë këtë, Rohrabacheri vetë do ta shpallë këtë vendim në podiumin e Dhomës së Përfaqësuesve e gjithë kjo në kuadër të aksionit për t’iu kundërvënë rrenave dhe paragjykimeve kundër shqiptarëve si “pasues të islamizmit radikal”. Berisha u dakordua me të duke cituar, veç të tjerash edhe bashkë ekzistimin shekullor të shqiptarëve si myslimanë evropianë, si të krishterë ortodoks e katolikë “që luftuan dhe ia dolën me sukses ta miratonin alfabetin latin dhe qeverisjen sekulare dhe që përherë kanë qëndruar përkrah Amerikës”.


Mali i Zi :Takimi me Dr. Nail Dragën, Loro Mariqin, dhe historianin Riza Rexha


Dr. Draga, që mori pjesë në delegacionin e Lidhjes Qytetare në Mal të Zi gjatë udhëtimit të kongresistit Tom Lantos në gusht të vitit 2003 dhe i cili dëshmoi para Grupit drejtues të Kongresit për të drejtat e njeriut, mbi të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi në tetor të po këtij viti, përmendi ndikimin destruktiv të asimilimit të detyrueshëm në Mal të Zi gjatë një dreke punuese brenda kështjellës ilire në Ulqin, që vjen nga lashtësia – 500 vjet para lindjes së Krishtit. Dr. Draga përmendi “Sllavizimin e sistemit të arsimit” si njërin ndër problemet më të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi dhe u angazhua për krijimin e një institucioni shqiptar në Mal të Zi që do të merrej me kultivimin e kulturës dhe të traditës shqiptare këtu.


Në Mal të Zi nuk ekziston asnjë institucion për arsimimin e lartë në gjuhën shqipe dhe nga 8000 studentë universitarë shqiptarë janë vetëm 30. Ai përmendi faktin se kohëve të fundit, qeveria e Serbisë ka lejuar përdorimin e librave shkollorë në gjuhën shqipe, ndërsa qeveria malaziase nuk e ka bërë këtë hap ende. “Në institucionet kulturore nuk është i punësuar asnjë shqiptar nga portieri e deri në nivelet e larta qeveritare”. Ai vuri në spikamë se koncerti veror i përvitshëm “Rapsha” financohet nga diaspora shqiptare.


Pastaj Dr. Draga dhe avokati Loro Mariqi tërhoqën vërejtjen për zhvatjen që po u bëhet profiteve të industrisë turistike të Ulqinit dhe konfiskimin e tokës shqiptare nga qeveria e premierit Gjukanoviç nën vellon e “ristrukturimit”. Draga dhe Mariqi përmendën me këtë rast likuidimin që kohëve të fundit iu bë fabrikës së kripës në Ulqin dhe transferimin e saj në duart e pronarëve dhe të punësuarve sllavë gjithnjë në përputhje dhe në kuadër të një modeli historik të konfiskimit të pronave shqiptare, që po vazhdon ta përkeqësojë gjendjen ekonomike të shumicës shqiptare në Ulqin.


Profesori Riza Rexha theksoi dhembjen e imigrimit të detyruar të shqiptarëve nga Mali i Zi duke filluar që nga viti 1878, pas të ashtuquajturit vendimit të “Fuqive të Mëdha” në Kongresin e Berlinit, që i lejoi Malit të Zi aneksimin e tokave shqiptare, largimin me forcë të familjeve shqiptare nga Ulqini pas luftës ballkanike të viteve 1912 – 1913 deri te ikja e imponuar e 17.000 të rinjve shqiptarë që thirreshin për mobilizim të detyrueshëm në ushtrinë se Malit të Zi në vitet 1998-1999.


Takimi në Tuz


Edukatori Anton Lajçaj dhe avokati Muhamed Gjokaj, që punojnë në kuadër të Lidhjes Qytetare që nga vizita e kongresistit Lantos në Mal të Zi në vitin 2003, u folën shkurtas kongresistit Rohrabacher dhe DioGuardëve për përpjekjet që po i bëjnë shqiptarët për rikthimin e statusit të Tuzit si komunë më vete, me qëllim të hidhet poshtë projektligj i kryeqytetit, i cili do ta copëtonte Tuzin si mos më keq për ta vënë atë më pas nën kontrollin e plotë të Podgoricës. Ata folën edhe për hedhjen në gjyq që i është bërë qeverisë të për shkak të konfiskimit të vreshtave në pronësi të disa mijëra shqiptarëve dhe më pas bartjen e kësaj pasurie të patundshme në duart e malazezëve sllavë (padi penale kjo që po vazhdon të dergjet në gjykatë tash e shtatë muaj rresht). Kongresisti Rohrabacher shprehu besimin e tij se “popullsia lokale duhet ta ketë në dorë pushtetin lokal” dhe shprehu pikëpamjen e tij se qeveria malaziase do të detyrohet t’u njohë shqiptarëve të Tuzit të drejta të njëjta me ato që gëzojnë komunat tjera me shumicë sllave, në qoftë se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Referimet e shkurtra të Lajçajt dhe Gjokajt u pasuan nga një takim me aktivistë të ndryshëm në rajonin e Tuzit dhe me Mehmet Bardhin, udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi, që u përqendrua në kundërshtimin shqiptar ndaj projektligjit të kryeqytetit, që parashihet të nxjerrët për miratim në Kuvendin malazias gjatë kësaj vjeshte. Gjatë këtij takimi Joe DioGuardi ftoi komunitetin e Tuzit që ta shfrytëzojë “rastin e mrekullueshëm që kanë shqiptarët e Malit të Zi, për faktin se Mali i Zi dëshiron të pavarësohet nga Serbia dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”. Këshilltarja e Lidhjes për çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi, ia përkujtoi komunitetit se nisma e Lidhjes Qytetare në emër të shqiptarëve të Malit të Zi kishte filluar në vitin 2003 me kongresistin Tom Lantos ndërkohë që angazhimi në emër të Kosovës kishte filluar kah mesi i viteve të tetëdhjeta, kur Joe DioGuardi ishte bërë kongresist. Ajo i kërkoi komunitetit të Tuzit që të mos e nënvlerësojë ndikimin e udhëtimit të kongresistit Lantos në Mal të Zi, që u pasua nga seanca dëgjimore e Kongresit me moton: “Mbi të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi” dhe kontaktet e tij të vazhdueshme me kryeministrin Gjukanoviq që u kushtohen domosdoshmërisë për status të barabartë të shqiptarëve. Cloyes ftoi komunitetin e Tuzit që ta ndihmojë ngritjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi në shtypin dhe parlamentet e vendeve të ndryshme të botës dhe bëri thirrje për lënien anash të mospajtimeve dhe përçarjeve në Ballkan dhe në diasporë me qëllim të përmbushjes së kësaj aspirate.


Duek mos mohuar faktin se ShBA-të mund të ndihmojnë, Cloyes dhe Joe Diaguardi theksuan se rasti për shqiptarët e Tuzit duhet të bëhet, ngrihet dhe mbrohet para së gjithash në Mal të Zi. (vijon) (Shirley Cloyes DioGuardi është këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptasro-Amerikane për çështje të Ballkanit.)


(Përk. M. Bazhdaraj; Përg. për botim Elida Buçpapaj)


Mbrojtja e Çështjes Shqiptare në Kongresin e SHBA


LIDHJA QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE DHE KONGRESISTI DANA ROHRABACHER NË MISION FAKTMBLEDHËS NË SHQIPËRI, MAL TË ZI DHE KOSOVË/II


Nga: Shirley Cloyes DioGuardi


Kjo është pjesa e dytë e raportit tim për misionin faktmbledhës të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Kosovë me kongresistin Dana Rohrabacher nga 21 deri më 27 gusht 2005. Në postin e tij të ri si kryetar i Nënkomitetit për Mbikëqyrje të Hetimeve pranë Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Kongresisti Rohrabacher kishte dëshirë që të merrte njohuri më të thella për sfidat politike, ekonomike dhe kulturore me të cilat po përballen shqiptarët në Ballkan. Si bashkësponsor i rezolutës së Kongresit numër 24, ai dëshiroi t’i vlerësonte vetë mundësitë e përshpejtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ShBA-të.


Rohrabacher-ët u shoqëruan në këtë udhëtim nga presidentit i LQSHA dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, nga këshilltarja e Lidhjes për çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi dhe nga anëtarët e bordit të Lidhjes, Gjergj Dedvukaj, Haki Dervishi, Adem Dukaj, Myslim Kuka, Gazmend Lita, Marash Nuculaj, Ahmet Zeka dhe Kol Zagreda. Në Shqipëri, grupi ynë vizitoi dhe mbajti takime të shumta në Tiranë, Krujë, Durrës dhe Shkodër, në Kosovë ndaluam në Prishtinë, Meje, Gjakovë dhe Prizren, ndërsa në Mal të Zi në Ulqin dhe në Tuz. Në pjesën e parë të këtij shkrimi shpalosa momentet kyç të udhëtimit tanë në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Kjo që do të pasojë, përfshin disa nga momentet e tilla gjatë udhëtimit dhe takimeve tona në Kosovë. Para se të shkonim në Kosovë, kongresisti Rohrabacher, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes u takuan me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu. Kongresisti Rohrabacher i tha presidentit Moisiu se “fakti që në Irak ka shumë shqiptarë dhe fakti se shumë prej tyre janë myslimanë ka domethënie të madhe”. Z. Rohrabacher premtoi se “njerëzve dhe organeve vendimmarrëse në Uashington do t’ua bëjë të qartë se shqiptarëve u kemi borxh” për angazhimin e tyre përkrah ShBA-ve në Irak dhe prandaj ne duhet të reagojmë nëpërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës.


KOSOVA: Takimi me shefin e misionit të ShBA-ve në Kosovë, Philip Goldberg


Philip Goldberg sqaroi se komuniteti ndërkombëtar kishte hyrë në një fazë të re në Kosovë nga periudha 2004-2005, me arritjen e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm në rolin e shefit të UNMIK-ut, z. Soren Jessen-Petersen, i cili “solli një qëndrim dhe vitalitet të ri në Kosovë” dhe kthimi i Lari Rosinit në Kosovë si zëvendës i tij. Goldbergu tha se Jessen-Petersen e Rosini i kishin meritat për kthimin në binarët e duhur të operacionit të Kombeve të Bashkuara, i cili “ishte shndërruar në një operacion burokratik dhe i cili fund e krye punonte i mbyllur në vete në vend që të bënte punë partneriteti me popullin e Kosovës”. Më pas ai tha se z. Petersen dhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara Kai Eide “do ta përshpejtojnë procesin e kalimit të përgjegjësive në duart e vendësve dhe do ta shpijnë para procesin e statusit final”. Duke bërë një pasqyrë të shkurtër përmbledhëse për ngjarjet e vitit 2005 në Kosovë, Goldbergu e ndau atë në tri periudha kohore: E para, zgjedhjet që rezultuan me koalicionin LDK-AAK me Ibrahim Rugovën si president dhe Ramush Haradinajn si kryeministër, e dyta, periudha dinamike 100-ditëshe e qëndrimit të tij në postin e premierit, që më pas u përcjell nga aktakuza e Hagës dhe e treta, fillimi i procesit të shqyrtimit të statusit final me angazhimin e Kai Eide-s, që u bë me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Duke folur për Ramush Haradinajn, Goldbergu theksoi se Ramushi “bëri punë të mirë dha bashkëpunoi mirë me komunitetin ndërkombëtar dhe largimi i tij ishte një goditje”. Kongresisti Rohrabacher reagoi duke thënë se “të akuzosh Ramush Haradinajn është një lloj sikur ta kishe akuzuar Alesandër Hamiltonin” – burrështetasin amerikan të shekullit të tetëmbëdhjetë që ishte delegat i Kongresit Kontinental dhe që kishte luajtur rol vendimtar në formësimin e politikës së jashtme e të brendshme në dekadën e parë të Pasrevolucionit të Madh Amerikan.


Philip Goldberg foli pastaj për nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, midis shqiptarëve /që përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë/ dhe serbëve (7 për qind). Ai tha se procesi i decentralizimit synon “të sigurojë komunitetet serbe se nuk do t’u mohohet e drejta për kontrollin lokal” ndërkohë që njëkohësisht nënkupton “lidhjen e tyre me Kosovën”. Aktualisht, Beogradi, i cili ushtron kontroll të madh financiar dhe politik mbi pjesën dërrmuese të popullsisë serbe në Kosovë “nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar këtë proces”, – tha Goldberg. Kongresisti Rohrabacher u interesua të mësonte nga Goldbergu për pikëpamjet që kishte ai për propagandën e bërë në ShBA pas trazirave të Marsit 2004 në Kosovë, sipas të cilës, shqiptarët e Kosovës paraqiten si “terroristë myslimanë”.


Z. Goldberg theksoi se ngjarjet e Marsit 2004 “ishin çështje kombëtare e jo fetare” dhe shtoi se diçka e tillë nuk është përsëritur më për asnjë çast. Ai theksoi se shqiptarët e Kosovës janë “popullsi shumë sekulariste me interesim shumë të vogël për islamin radikal”. Megjithëse janë ndërtuar një numër i konsiderueshëm xhamish nga myslimanët fundamentalistë të Arabisë Saudite, ato “ nuk janë pritur mirë”,- tha Goldberg. Kongresiti Rohrabacher tha se nga udhëtimi i tij i fundit në Kosovë në vitin 2000, “progresi është i dukshëm” dhe shtoi se ndjente se “progresi do të ishte edhe më i madh po të kishim bërë më herët atë që duhet”. Duke cituar koston e mbajtjes së trupave amerikane në Kosovë dhe faktin se trupa të shumta kërkohen dhe janë të nevojshme për Irak, Rohrabacheri tha se “sa më shpejt që të lëvizim, aq më mirë do ta kemi”. Z. Goldberg u përgjigj duke theksuar se “shpallja e pavarësisë tani nuk është ajo që mendojmë se duhet të ndodh tani”. Ai përmendi rëndësinë që ka shqyrtimi i matur i statusit final që do të kryhet nga një i dërguar i Kombeve të Bashkuara nga Evropa dhe ndihmën e një zëvendësi amerikan. Veç kësaj, Z. Goldberg vuri në spikamë se ekzistojnë çështje të mëdha që e tejkalojnë problemin ndëretnik”, njëri prej të cilëve është fakti se “Bashkimi Evropian ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë investuesi më i madh në Kosovë dhe në rajon”. Ai theksoi “rastin e madh” që po i jepet Kosovës duke iu ofruar akces në Bashkimin Evropian. Kongresisti Rohrabacher u kundërpërgjigj duke shprehur bindjen e tij se “pesë vjet janë kohë e gjatë”, se kosovarët kanë të drejtë “ta përcaktojnë vetë fatin e tyre në kutitë e votimit”, dhe prandaj, ne duhet t’i lejojmë ata “ta marrin në dorë fatin e vendit të tyre”. Planifikohet që bisedimet për statusin final, që po presin raportin e të dërguarit Kai Eide, të fillojnë këtë vjeshtë. Philip Goldberg theksoi se Grupi i Kontaktit duke përfshirë edhe miratimin e Rusisë, kanë rënë dakord të mos lejohet kurrfarë ndarje e Kosovës apo krijim i bashkësive të reja shtetërore.


Takimi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacin dhe me anëtarët e parlamentit anëtarë të komitetit të tij për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim në BE.


Më 26 gusht, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, thirri një takim të Komitetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim në BE ku morën pjesë edhe kongresisti Rohrabacher dhe Lidhja Qytetare. Kryetari i këtij Komitetit, Sabri Hamiti, tha se “zhvillimet e kohëve të fundit kanë sjellë sqarim për gjendjen në Kosovës por jo edhe për statusin e saj final”. “Përfundimi optimal”, tha ai është që “Kosova të bëhet e pavarur në përputhje me vullnetin e popullit që është shprehur tashmë nëpërmjet një referendumi”. Sipas Hamitit, ky qëndrim arrin nivelin e “kompromisit real të palës shqiptare”. Kosova e pavarur është “kompromis yni kombëtar” , opsion që “përjashton “Shqipërinë e Madhe”.


Hamiti kritikoi imponimin e standardeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, sepse ato po përdoren si “instrument për blerjen e kohës”. Kosova i pranon këto norma, por “jo kur ato përdoren në rol pengesash” në një rol që “na shpie në një udhëtim të pafund”. Pastaj Hamiti tha se pavarësia e Kosovës është “kusht për paqen në rajon” dhe kusht thelbësor për zhvillimin shoqëror, politik dhe ekonomik të Kosovës. A i tërhoqi vërejtjen se aspiratat e popullit të Kosovës po pengohen e stërkeqen nga mungesa e statusit final dhe shtoi se prandaj “atyre mund t’u shterojë durimi”. Për pasojë, ai tha se Komiteti për Bashkëpunim Ndërkombëtar “pret që Brukseli dhe veçanërisht Uashingtoni do ta pranojnë se ka ardhur koha për ecje para”. Kongresisti Rohrabacher reagoi duke thënë se “ne duhet të jemi realistë dhe idealistë së bashku”. Si një idealist, ai tha se “Kosova duhet të jetë e lirë dhe e pavarur dhe në përputhje me këtë ajo duhet të udhëhiqet nga zyrtarët e zgjedhur të cilët do ta përcaktonin politikën e vendit”. Kjo gjë do të duhej të kishte ngjarë “që dje” shtoi z. Rohrabacher. Por, si realistë, ai the se “duhet të bëhet luftë në fushën e komunikimit”, sepse shumica e njerëzve në Uashington nuk e dinë se çfarë po ngjet në Kosovë”. Veç kësaj, “për shkak se ju jeni shumicë myslimane, po përhapen rrena se jeni nisur në rrugë për t’u bërë shoqëri radikale e stilit islamik”. Ai tha se “Joe DioGuardi, Shirley Cloyes dhe miqtë e tyre po bëjnë punë të madhe në kundërvënien ndaj këtyre rrenave dhe shtoi se prandaj me ta dhe me miqtë tanë në Kongres ju duhet të punoni nga afër”.


Lidhur me këtë, kongresisti Rohrabacher theksoi se “ne na ka bekuar fakti se dy njerëzit kryesor në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, kongresisti Henry Hyde dhe Tom Lantos, janë avokatë të vërtetë të Kosovës”.


Pastaj ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës “që gjatë tetëmbëdhjetë muajve në vijim, pas të cilës kryetari Henry Hyde shkon në pension, ta shfrytëzojë rastin” e të bashkohet me z. Hyde e me Lantosin së bashku me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane në mënyrë që administrata e presidentit Bush të nxitet që ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Kongresisti Rohrabacher sqaroi faktin se administrata e presidentit Bush ashtu si dhe administratat e tij pararendëse, kanë dështuar sepse nuk e kanë shpënë para zgjidhjen e statusit final, vetëm falë politikës së gabuar “të përpjekjes për t’i qetësuar të tjerët që nuk janë aleatët tanë dhe të cilët nuk e kanë për zemër sistemin e vlerave tona”. Pastaj z. Rohrabacher tha: “Ju jeni popull që i ndani vlerat tona. Unë e kam parë këtë këtu me sytë e mi dhe prandaj atë do ta bëj të njohur në Uashington”. Pas dhënies së një vështrimi të shkurtër për punën e LQShA në Uashington në emër të Kosovës, në kuadër të të cilës bën pjesë organizimi i tri seancave dëgjimore në Komitetin e Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga viti 2003, Joe Dio Guardi u bëri thirrje parlamentarëve të Kosovës që “t’i lënë anash ndarjet partiake në dobi të një pune më të mirë në frontin e marrëdhënieve publike dhe lotimit”. “Ju nuk po e kërkoni pavarësinë e Kosovës në mënyrë të organizuar dhe prandaj në Uashington nuk do të keni sukses gjithë derisa të mos bashkëpunoni ngushtë me njëri-tjetrin”.


Ceremonia e vënies së gurthemelit për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë dhe takimi me imzot Mark Sopin


Qeveria e Kosovës dhe Kisha Katolike, e prirë nga imzot Mark Sopi, hodhën gurthemelin e katedrales dhe qendrës kulturore dhe arsimore që do ta mbajë emrin e Nënë Terezes, gjatë një ceremonie, të cilën e hapi Kardinali i Uashingtonit, Theodore McCarrick. Presidenti Ibrahim Rugova, imzot Mark Sopi dhe folës të tjerë vunë në spikamë bashkëekzistencën paqësore disa shekullore në mes të shqiptarëve të besimit katolik, ortodoks dhe mysliman dhe dëshirën e kosovarëve për ti respektuar dhe mbrojtur vlerat e Nënës Tereze. Presidenti Rugova falënderoi nga zemra kongresistin Rohrabacher dhe ish-kongresistin Joe DioGuardi për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike së bashku me anëtarët tjerë të Lidhjes Qytetare, duke pranuar ftesën e imzot Mark Sopit. Në mbrëmje, grupi ynë u pranua nga imzot Sopi në famullinë e tij në Prizren, pas të cilës ai dhe at Shan Zefi iu bashkuan Rohrabacher-ëve, DioGuardëve e bordit të Lidhjes në një darkë ceremoniale në qendër të Prizrenit.


Përkujtimi dhe varrimi i eshtrave të 21 gjakovarëve të kthyer ditëve të fundit në Kosovë


Kongresisti Rohrabacher dhe Joe DioGuardi folën në ceremoninë përkujtimore të 26 gushtit dhe në varrimin që iu bë 21 burrave e fëmijëve nga Gjakova dhe katundet e saj, të cilët ishin ekzekutuar nga forcat ushtarake dhe paramilitare të Milosheviçit gjatë luftës së vitit 1999. Në përpjekje për t’i fshirë gjurmët e përmasat e mizorive serbe në Kosovë, trupat serbe në fshehtësi i kishin transportuar trupat e këtyre shqiptarëve së bashku me trupat e qindra të tjerëve në Beograd me kamionë frigoriferë, për t’i varrosur më pas në varre masive. Këto varre masive nuk u zbuluan deri në vitin 2001 dhe prej atëherë e deri më sot, nga 2400 të zhdukur, në Kosovë janë kthyer eshtrat e vetëm 566 shqiptarëve të ekzekutuar. Duke u përpjekur që ta sjellë para vëmendjes ndërkombëtare fatin e të pagjeturve dhe shërimin e dhembjes së familjeve të tyre, agonia e të cilave po zgjat nga veprimi destruktiv i Serbisë në kthimin e të vdekurve, anëtari i bordit të Lidhjes Qytetare, Haki Dervishi dhe familja e tij ndihmuan shumë në mbajtjen e kësaj ceremonie përkujtuese në Meje. Në fjalimin e tij para një turme prej mijëra vetash, DioGuardi deklaroi se Gjakova ishte “Srebrenica e popullit shqiptar” dhe shtoi se Meja “sot ishte tokë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. (Shirley Cloyes DioGuardi është këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptasro-Amerikane për çështje të Ballkanit.)


(Përk. Musli Bazhdaraj; Përg. për botim Elida Buçpapaj)

Recent Posts

See All

ALB - It’s Time to End the Appeasement of Serbia

T’i jepet fund politikës së përkëledhjes ndaj Serbisë Nga Shirley Cloyes DioGuardi dhe Roland Gjoni Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vërtetoi ligjshmërinë e deklaratës së pavarë

bottom of page