Numërimi Prapa Për Kosovën, Cili Është Basti Në Kenebunkport
Liga-Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL)
Nga Shirley Cloyes DioGuardi dhe Joe DioGuardi
Bota po pret për të parë nëse bisedimet midis presidentit Bush dhe presidentit rus, Vladimir Putin në Kenebunkport, Maine, më 1 e 2 korrik, do ta thyejnë bllokadën midis të dy vendeve për statusin final të Kosovës. Po që se Putini ngul këmbë në shfrytëzimin e pushtetit të Rusisë nëpërmjet vetos në Kombet e Bashkuara, liderët e Kosovës duhet të angazhohen dhe të kërkojnë pavarësi të plotë tani si mënyra e vetme për t’i sjellë Kosovës dhe Evropës juglindore paqe të qëndrueshme dhe stabilitet. Ata nuk duhet në asnjë mënyrë të pranojnë në heshtje një raund të ri bisedimesh.
Joakim Ryker, administrator i OKB-së në Kosovë, ka tërhequr me të drejtë vërejtjen në dhjetor të vitit 2006 e shtyrja e mëtejme e zgjidhjes së statusit final të Kosovës “do të kishte kosto të lartë ekonomike dhe politike për Kosovën, për fqinjët tanë, për rajonin në tërësi dhe për komunitetin ndërkombëtar”. Dhe prapë se prapë, edhe gjashtë muaj më pas, kur pritej që në përputhje me propozimin e dorëzuar nga i dërguari i OKB-së, Mahti Ahtisari, Kosovës t’i njihej një “pavarësi e mbikëqyrur”, Grupi i Kontaktit ka vendosur që në vend që ta zbatonte këtë propozim, të angazhohet për një raund të ri bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit, gjithnjë nën trysninë e rishfaqjes së kërcënimit rus për ta përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Thirrja për negociata të reja – veprim i rrezikshëm Thirrja për negociata të reja, me qëllim që të përfitohet miratimi i Rusisë për planin e Pavarësisë së Perëndimit për Kosovën, përbën një hap potencialisht të rrezikshëm të shtyrjes së statusit final të Kosovës.
Koha për shtyrje të serishme dhe të mëtejme ka kaluar që moti për vendin ku 92 për qind e shumicës shqiptare të Kosovës ka vuajtur mbi supe një dekadë okupimi brutal dhe gjenocidi në duart e forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe . Dhe në periudhën tetëvjeçare të pasluftës së Kosovës të vitit 1999, zhvillimi i saj politik, ekonomik dhe shoqëror ka vazhduar të mbahet peng pikërisht nga mungesa e statusit final.
Me shpresë se do të zgjidhet zënka me Rusinë, javën e fundit të muajit qershor, ShBA-të, Britania dhe Franca paraqitën një rezolutë të re, e cila ftonte që negociatat e reja katër mujore të drejtohen nga një i dërguar i ri i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Po nuk u arrit konsensusi, do të pasonte implementimi automatik i planit të Ahtisarit, parashihte kjo rezolutë, me kushtin që Këshilli i Sigurimit “të mos vendoste shprehimisht për diçka tjetër”. Beogradi dhe Moska e hodhën atë poshtë për arsye se kjo do ta bënte Kosovën ‘de jure’ të pavarur.
Ditë më parë, ministri i jashtëm i Belgjikës, Karl de Gucht, ra dakord me qëndrimin e kërkesat e palës serbe. Pas takimit me ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremic, ai theksoi publikisht e “Shumë vende anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe shumica e vendeve evropiane” duan rifillimin e negociatave katëmujore pa paracaktimin e rezultatit të këtyre bisedimeve. Duket që aktualisht, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës, po që se dështojnë negociatat e reja.
Deri në përmbylljen dhe përfundimet e arritura në samitin e Kenebunkportit, askush nuk do ta dijë me siguri nëse presidenti rus, Vladimir Putini, është duke aktruar thjesht (siç ka bërë shpeshherë në të kaluarën) apo është i vendosur të ngulë këmbë që mbi tetëmbëdhjetë muaj pasi që Marti Ahtisarit iu kërkua nga OKB-ja të angazhohet për ta gjetur statusin final të Kosovës, serbët dhe shqiptarët duhet sërish t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Rusia dhe synimi i saj për të qenë faktor në shekullin e 21-të Por ajo që komuniteti ndërkombëtar nuk po e di është se Rusia filloi të shtonte kundërshtimin e saj ndaj planit të Ahtisarit dimrin që lamë pas dhe ky vend në vazhdimësi ka qëndruar, që nga mbarimi i luftës, midis shprehjes së mbështetjes për angazhimin e Perëndimit për sjelljen e pavarësisë për Kosovën dhe përqafimit të kundërshtimeve të aleates së saj, Serbisë, ndaj këtij angazhimi dhe këtyre përpjekjeve.
Tani duhet të jetë e qartë se Rusia është e motivuar shumë më pak nga identifikimi i saj me Serbinë si vend sllav, apo madje edhe shumë më pak nga shqetësimet e shprehura shpeshherë për gjoja faktin se pavarësia e Kosovës do të përbëjë “precedent” për rajonet që kërkojnë shkëputje nga hapësira ish-sovjetike. Motivi kryesor vjen nga nevoja e Rusisë për t’i demonstruar Perëndimit se është lojtar ndërkombëtar që duhet të merret para sysh, duhet të llogaritet mirë në shekullin e 21, veçanërisht për shkak të rezervave të saj të naftës dhe të gazit natyror.
Duke u gjendur përballë kërcënimit rus se do ta përdor veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, kanë shprehur shqetësimin se Rusia do t’ua ndërpresë atyre qasjen në linjat furnizuese me këtë energji, po që se ato u bashkëngjiten Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Si rezultat i kësaj, këto vende tani nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila do ta bartte administratën e Kosovës nga Kombet e Bashkuara në duart e një zyreje civile ndërkombëtare të drejtuar nga Bashkimi Evropian, të mbështetur nga forca paqeruajtëse që numëron 17 mijë trupa dhe që drejtohet nga NATO e njihet me emrin KFOR. Marrë historikisht, rezervat energjetike, nuk kanë qenë çështja primare e Evropës. Vendet anëtare të BE-së kanë qenë përherë të përçara për politikën e jashtme që do të duhej ndjekur në Ballkan dhe këto vende kanë reaguar vetëm kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur lidershipin e tyre përmes aksionit.
Tom Lantosi: Pavarësi me ose pa rezolutë të OKB-së Siç ka deklaruar kongresisti Tom Lantos, kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të jashtme në një takim historik, të mbajtur me 21 qershor me pjesëtarët e Duma-s ruse përgjegjës për politikë të jashtme, “Çështja e statusit final ose do të zgjidhet në Kombet e Bashkuara, ose pasi që Kosova ta shpallë pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme, mund t’ju siguroj se të nesërmen e shpalljes së kësaj pavarësie, Shtetet e Bashkuara do ta njohin atë si vend të pavarur dhe këtë njohje do ta shpallin edhe Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Danimarka dhe të gjithë të tjerët. Andaj ajo që mund të bëjë Rusia është ose të jetë përkrah Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në bazë të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që më në fund do të bëjë ndëshkimin për spastrimit etnik, ose do të ngelet e vetmuar më një anë“.
Rezultati përfundimtar do të varet nga shpejtësia dhe forca e reagimit amerikan
Rezultati i gjithë kësaj do të varet nga shpejtësia dhe vendosmëria me të cilën do të reagojnë Shtetet e Bashkuara kundër intransingjencës së palës ruse. Ka të ngjarë që, sa më e gjatë që të jetë shtyrja e vendimit për statusin final të Kosovës, aq më shumë do të tretet vendosmëria e Evropës dhe e ShBA-ve për rezultatin përfundimtar, ndër të tjera edhe për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme objektive, siç janë, fjala vjen, largimi i Havier Solanës nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian në tetor të vitit 2007 dhe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale të ShBA-ve, një aktivitet që fillon me fillimin e vitit 2008.
Sa më e gjatë që të jetë shtyrja, aq më i fuqishëm do të jetë edhe kundërshtimi serb dhe për të qenë më keq akoma, gjatë kësaj kohe Beogradi do ta lehtësojë në masë recesionin e serbëve në veri të Kosovës (një objektiv i përhershëm dhe përfundimtar ky i palës serbe) me gjithë këmbënguljen e Perëndimit se nuk mund të ketë as ndarje as ndryshim të kufijve.
Mbi të gjitha, sa më e gjatë të jetë shtyrja, në sytë e popullit të Kosovës do të vazhdojë të tretet legjitimiteti i strukturës politike të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar që e mbështet atë dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Shqiptarëve të Kosovës iu kërkua të besonin se do të ishin të pavarur në fund të vitit 2006
Ata e kanë ditur se mbështetja e Perëndimit për Kosovën ka filluar të ngatërrohet që kur zyrtarët amerikanë dhe evropianë morën parasysh kërkesën e Vojisllav Koshtunicës dhe të Boris Tadicit për shtyrjen e vendimit për statusin final të Kosovës deri pas zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në janar të vitit 2007, ose (Ndryshe në pushtet do të vinin radikalët)
Veprim i padrejtë ndaj shqiptarëve të Kosovës Nuk guxon Perëndimi të nënvlerësojë ndikimin potencial të kësaj gjendje të pashpresë në të cilin është zhytur tani Kosova. Shqiptarët e Kosovës e pranuan planin me shumë të emta të Ahtisarit me qëllim që të demonstronin gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Perëndimin dhe nga besimi se bashkëpunimi i tyre do të shpinte në liri.
Ata e dinë se negociatat e reja nuk do të shpinë asgjëkund vetëm në një fushatë të Beogradit dhe të Moskës për të nxjerrë koncesione të reja nga Shqiptarët, koncesione këto që do të shkonin përtej atyre që i ka sjellë procesi Ahtisari dhe do të shpijnë në bllokimin përfundimtar dhe permanent të integrimit të serbëve të Kosovës, një popullsi që përbën më pak se 5 për qind të popullsisë së gjithmbarshme, në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës.
Shpërthimin e serishëm të konfliktit në Kosovë mund ta parandalojë vetëm sinjali i fuqishëm nga qeveria amerikane. Kongresi amerikan duhet ta nxisë presidentin Bush ta mbështesë deklaratën e tij të 10 qershorit në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, se “Çfarë është boll, është boll dhe rezultati i fundit duhet të jetë Pavarësia e Kosovës” dhe ata duhet ta bëjë atë tani./Përktheu: Musli Bazhdaraj – Përgatiti për botim: Elida Buçpapaj)
28 qershor 2007
(Shirley Cloyes DioGuardi është Këshilltare e LQSHA-së për çështje të Ballkanit, ndërsa ish-kongresisti Joe DioGuardi është themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro)
コメント