top of page

ALB - Albanian American Civic League Works With The New Berisha Government In Washington

LIDHJA QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE BASHKËPUNON ME QEVERINË

BERISHA NË UASHINGTON


Nga Shirley Cloyes DioGuardi

20 shtator, 2006


Me kërkesë të qeverisë së re të premierit Sali Berisha, javën që shkoi, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane e solli zëvendësministren e jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi, në një takim me anëtarët e Kongresit dhe Senatit amerikan, për ta shndërruar kështu atë më pas në një aktivitet jashtëzakonisht të suksesshëm për zgjerimin e kontakteve dhe shtimin e ndikimit të qeverisë shqiptare në Uashington.


Ideja e planit për udhëtimin e tillë në Uashington lindi në Tiranë, gjatë vizitës së Joe dhe Shirli DioGaurdit në Shqipëri, korrikun që shkoi, të ftuar atje nga Sali Berisha.


Pas kësaj vizite, DioGuardët takuan ambasadorin shqiptar në ShBA, Aleksandër Sallabanda dhe Kreshnik Çollakun.


Duke filluar me një fjalim në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington, Edith Harxhi, përshkroi veten si pjesëtare të brezit të ri të profesionistëve të shkolluar jashtë Shqipërisë, të cilët Berisha i ka ftuar të kthehen e t’i shërbejnë atdheut të tyre.


Ajo foli për shpresën për një të ardhme më të mirë që po i vjen Shqipërisë me kthimin e Sali Berishës dhe përmbushja e plotë dhe e shpejtë e premtimeve të Berishës gjatë fushatës elektorale, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe trafikimit ilegal të llojeve të ndryshme. Pas vetëm një viti, Shqipëria nuk renditet më nga Administrata juridike e OKB-së për drogën si vend transit apo gjenerues i trafikimit ilegal të drogës, të armëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.


Me qëllim që të ndalojë trafikimin e njerëzve, qeveria Berisha ka vënë një moratorium në përdorimin e lundrave të shpejta në Detin Adriatik. Po kështu, në përpjekje për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, qeveria ka miratuar një varg reformash ligjore dhe ka krijuar një “linjë të gjelbër” pranë zyrës së kryeministrit, të cilën qytetarët mund ta përdorin në mënyrë anonime për t’i raportuar të gjitha rastet e mitos dhe të aktiviteteve të tjera ilegale.


Harxhi tha se për herë të parë në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit buxheti do të shkojë në Parlament në muajin tetor dhe ai do të përfshijë investimet thelbësore në objektet dhe rrugët publike. Veç këtyre masave, qeveria Berisha po bën përpjekje serioze për të tërhequr investitorë të besueshëm në fushat e zhvillimit infrastrukturor, në energji, turizëm dhe në bujqësi, ku aktualisht janë përfshirë “Betchel”, “Lockheed Martin”, GE, dhe disa firma izraelite.


Për t’u lehtësuar punë investitorëve të huaj për investim në Shqipëri (dhe si reagim ndaj një sugjerimi të bërë nga kongresisti Dana Rohrabacher, gjatë udhëtimit të tij me Lidhjen Qytetare në Shqipëri, në gusht të vitit 2005), qeveria e Berishës ka hequr taksën mbi të ardhurat nga e drejta e autorit dhe patentat.


Qeveria planifikon po ashtu ta institucionalizojë programin e quajtur, “Shqipëria – 1 Euro”, i cili do t’u mundësojë investitorëve të huaj ta fillojnë procesin e privatizimit për pasurinë në pronësi të qeverisë me koston prej 1 Euro, pasi që më parë të kenë demonstruar aftësinë e tyre për realizimin financiar të premtimeve për zhvillimin e pasurisë së dhënë në afat të shpejtë.


Në fund, Harxhi theksoi orientimin pro-perëndimor, pro-amerikan dhe pro-demokratik të Shqipërisë, të cilin qeveria Berisha shpreson se do ta forcojë nëpërmjet pranimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2008.


Harxhi shpalosi edhe shqetësimet e qeverisë së Berishës, jo vetëm për të ardhmen politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë, por edhe për të ardhmen e shqiptarëve në tërë Ballkanin.


Ajo u prononcua me vendosmëri të palëkundur në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, jo vetëm në Klubin Kombëtar të Shtypit por edhe gjatë të gjitha vizitave deh takimeve të saj në Uashington, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është asgjë më shumë se shprehje e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës dhe është gjë thelbësore për instalimin në rajon të një paqeje të qëndrueshme dhe të sigurisë në Evropën juglindore.


Ajo tha se pavarësia nuk duhet vonuar dhe shtoi se kosovarët e kanë dëshmuar gjatë tërë kohës së pasluftës se e meritojnë pavarësinë.


Lidhja historike e Shqipërisë me komunitetin hebraik ishte një temë tjetër e rëndësishme e takimeve të Edith Harxhit në Uashington. Përveç rolit unik që Shqipëria ka luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, ajo theksoi se hebrenjtë kanë jetuar në Shqipëri për shekuj të tërë me radhë. Edhe Harxhi edhe DioGuardi folën për shqiptarët si model të paqes dhe tolerancës në Evropën juglindore, dhe shtuan se ata nuk janë forcë potenciale myslimanësh terroristë në zemër të Evropës, siç po insistojnë me ngulm deh pandërprerë qarqe të shumta të qeverisë serbe në Beograd.


Edith Harxhi, DioGuardët dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane u takuan edhe me kongresistin Jerrold Nadler (D-NY), Tom Lantos (D-CA) dhe me këshilltarin e tij të lartë për politikë të jashtme, Kay King, me kongresistin John Sweeney (R-NY), kongresistin Dana Rohrabacher (R-CA), me kongresisten Ileana Ros-Lehtinen (R-FL), Tomicah Tilleman, drejtor i stafit për senatorin Joe Biden (D-DE) pranë Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë si dhe me senatorin Charles Schumer (D-NY).


Në një ceremoni të posaçme brenda Kapitolit amerikan, Lidhja Qytetare u dha Çmimin e saj të gjashtë vjetor, për paqe në Ballkan, senatorëve Schumer dhe John McCain, në shenjë nderimi për mbështetjen e tyre historike për pavarësinë e Kosovës dhe paraqitjen e tyre së voni të rezolutës së Senatit, “S. Res. 521”, një projektligj që lavdëron Shqipërinë për shpëtimin e të gjithë hebrenjve që kishin jetuar apo që kishin arritur në Shqipëri për të kërkuar strehë gjatë Holokaustit nazifashist. Në fjalimin e tij, senatori Schumer e quajti këtë projektligj “njohje të vonuar gjatë të historisë së tolerancës dhe heroizmit të Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë Holokaustit”. / Përktheu: Musli Bazhdaraj – Përgatiti për botim Elida Buçpapaj

Recent Posts

See All
bottom of page