top of page
  • Writer's pictureAACL

ALB - Senator Joseph Biden On Kosova And Montenegro

Liga Qytetare Shqiptare Amerikane:


Hon. Joseph J. DioGuardi, President &

Shirley A. Cloyes, Këshilltarja e Çështjeve të Ballkanit


SENATORI XHOE BIDEN (JOE BIDEN) FTON MALIN E ZI QË MENJËHERË T’I NGREJË AKUZAT OSE T’I LIROJË 14 SHQIPTARËT E TORTURUAR DHE TË ARRESTUAR NË MUAJIN SHTATOR


Nju-Jork, 21 nëntor, 2006


Duke e vazhduar punën e saj në Uashington dhe në Evropë për ta ndihmuar lirimin e katërmbëdhjetë shqiptarëve të torturuar dhe të burgosur në Mal të Zi, tre prej të cilëve qytetarë amerikanë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane po e shpërndan deklaratën e senatorit Xhozef Baiden (Joseph Biden) anëtar i lartë dhe së shpejti kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.


Nëpërmjet kësaj deklaratë, senatori i nderuar fton qeverinë malazeze që të veprojë menjëherë në mënyrë që të arrestuarit shqiptarë, të cilët u torturuan dhe burgosën nga policia e Malit të Zi në fillim të muajit shtator dhe tre prej të cilëve janë shtetas amerikanë, ose të lirohen ose kundër tyre të ngrihet aktakuza gjegjëse për veprat që pretendohet t’i kenë bërë.


Senatori Baiden (Biden) thekson se dështimi i qeverisë malazeze që të ngre paditë gjegjëse kundër këtyre personave edhe pas një kohe kaq të gjatë të mbajtjes në gjendje paraburgimi e ka shqetësuar tej mase. Më tej senatori i bën thirrje kryeministrit të zgjedhur rishtas në Mal të Zi, Zhelko Shturanoviq që “akuzat shqetësuese për brutalitetin e policisë të hetohen plotësisht dhe të gjithë zyrtarët qeveritarë për të cilët vërtetohen fajësia për veprime kundërligjore të shpallen përgjegjës dhe të marrin dënimin e merituar”.


Këshilltarja e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi ka deklaruar se “Lidhjen Qytetare e shqetëson tërë ajo për të cilën flet senatori Baiden (Biden) lidhur me mbajtjen në burg të katërmbëdhjetë shqiptarëve pa asnjë akuzë konkrete të ngritur kundër tyre. Shprehim vlerësimet tona të larta për ndërhyrjen e senatorit Baiden (Biden) në emër të tyre dhe ndaj këmbënguljes së tij që Mali i Zi, si vendi më i ri i Evropës t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe t’i mbrojë të drejtat e njeriut”. Më poshtë po japim letrën e Senatorit Xhozef Baiden. (Joseph Biden)


BIDEN: “SHPREH SHQETËSIMIN TIM TË THELLË PËR ARRESTIMIN DHE TORTURIMIN E 14 SHQIPTARËVE NGA POLICIA MALAZEZE”


Shkëlqesisë së tij Zheljko Shturanovi, kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Podgoricë


I nderuar kryeministër:


Ju lutem t’i pranoni urimet e mia të ngrohta për fushatën e suksesshme të Malit të Zi për pavarësi dhe për zgjedhjen tuaj të kohëve të fundit si kryeministër. Mali i Zi e ka potencialin të bëhet një shembull me rëndësi i demokracisë dhe stabilitetit në Evropën juglindore. Unë mirëpres rastin e bashkëpunimit me ju dhe me qeverinë tuaj në rrugën tuaj drejt një prosperiteti më të madh dhe drejt një roli të zgjeruar në institucionet euroatlantike.


Falë këtij besimi tim të lartë në Malin e Zi dua t’i shpreh pikëpamjet dhe shqetësimin tim të thellë lidhur me arrestimin nga ana e qeverisë tuaj në fillim të muajit shtator të katërmbëdhjetë shqiptarëve, tre prej te cilëve shqiptarë me shtetësi amerikane dhe më pas mbajtjen e tyre në gjendje paraburgimi. Grupe të respektuara për aktivitetin e tyre në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut ju kanë akuzuar se disa prej këtyre personave i janë nënshtruar torturës dhe abuzimit fizik në duart e autoriteteve malazeze. Veç kësaj, më ka shqetësuar shumë edhe mosgatishmëria e qeverisë malazeze për t’i ngritur akuzat kundër këtyre personave edhe pas mbajtjes së tyre kaq të gjatë në paraburgim.


Si vendi më i ri në Evropë dhe vend që aspiron të fitojë anëtarësimin në disa institucione të rëndësishme multilaterale, Mali i Zi ka obligimin e rëndësishëm për të demonstruar dhe dëshmuar përkushtimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në sundimin e ligjit. Ndaj në përputhje me këtë, shpresoj që vendi juaj do të veprojë menjëherë në mënyrë që kundër të arrestuarve ose t’i ngre akuzat gjegjëse ose ata t’i lirojë një nga një sipas rastit të secilit person në fjalë. Mbajtja e tyre e vazhdueshme në gjendje paraburgimi në mungesë të çfarëdo akuze penale mund ta dëmtojë reputacionin e Malit të Zi si vend që respekton proceset ligjore dhe u përmbahet standardeve ndërkombëtare.


Veç kësaj, u bëj thirrje që akuzat shqetësuese për brutalitetin e forcave policore ndaj të arrestuarve në fjalë të hetohen plotësisht dhe në hollësi dhe të gjithë zyrtarët qeveritarë të japin përgjegjësinë ligjore për fajin e bërë apo shkeljet e ndryshme të ligjit nga ana e tyre.


Z. kryeministër po e cek sërish se besoj që Mali i zi ka një të ardhme premtuese si partner i ShBA-ve dhe vend anëtar dinamik i një komuniteti më të madh euroatlantik. Shpresoj që ju do të veproni shpejt për të pamundësuar kështu dëmtimin e progresit të Malit të Zi nga problemet e përmendura më sipër të shfaqura gjatë kohëve të fundit.


Juaji sinqerisht, Joseph R. Biden, Jr. /


(Përktheu: Musli Bazhdaraj; Përg. për botim Elida Buçpapaj)

Recent Posts

See All
bottom of page