top of page

ALB - Albanian American Civic League Takes Its Case for Kosova To United Nations

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e Ngre Çështjen E Kosovës Në Kombet E Bashkuara


Shkruan: Shirley Cloyes DioGuardi

Këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane

për Çështjet e Ballkanit


Më 12 dhjetor, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, zhvilluan një takim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me kongresmenin Ben Gillman, përfaqësues i Presidentit Bush pranë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe me ambasadorin amerikan pranë OKB-së, John Negroponte. Gjatë këtij takimi u zhvilluan diskutime të hollësishme për gjendjen ekonomike dhe politike në Kosovë. Në takim morën pjesë Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-kongresmeni Joe DioGuardi, Këshilltarja për Çështjet e Ballkanit, Shirley Cloyes, Agim Aliçkaj, Zef Balaj, Luan Bukolla, Arslan Çekaj, Gjegj Dedvukaj dhe Nasi Kajana. Përveç tyre, në takim morën pjesë edhe këshilltarët e Bordit të LQSHA, Sydney Huckvale dhe Manina Urgolo-Dunn.


Duke u bazuar në takimet e mëhershme me Shirley Cloyes dhe Joe DioGuardi, Kongresmeni Gillman, organizoi një takim privat të Bordit të Lidhjes Qytetare me ambasadorin Negroponte për të diskutuar krizën që po përvijohet perms bllokimit të procesit të privatizimit dhe problemin e mungesës së akcesit ndaj huave të Bankës Botërore në Kosovë. Lidhja Qytetare ftoi ambasadorin Negroponte që të angazhohet pranë Këshillit të Sigurimit, që ky i fundit, të lejojë hapjen e dyerve për zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe infrastrukturor të Kosvës, ku shkalla e papunësisë është alarmante dhe ku statusi ngelet ende i pazgjidhur.


Vetëm pak kohë pas përfundimit të Luftës së vitit 1999, Cloyes dhe DioGuardi, qenë takuar me kongresmenin e atëhershëm Ben Gilman për t’i lejuar Kosovës, protektorat i Kombeve të Bashkuara, çasje për huazime pranë të Korporatës për Investime Private në Botë (OPIC). Falë angazhimit dhe lobingut të Lidhjes Qytatare, Gilman ia doli t’ia mbushte mendjen qeverisë amerikane që të hiqej dorë nga kërkesa e sovranitetit përhuatë e OPIC-ut. Duke sjellur këtë precedent para ambasadorit Negroponte, DioGuardi tha: “Ne e kemi të qartë se çfarë do të thotë të jeshë pjesë e të ardhmes së Evropës: të jeshë i bashkuar, demokratik dhe të jeshë forcë kompetitive në fushën ekonomike. Procesi aktual në Kosovë nuk po lejon të ndodhë një gjë e tillë dhe njëra ndër arsyet kryesore që na ka bashkuar këtu sot është fakti se në Kosovë do të ngjajë ajo që do të vendoset në OKB.


“Problemi ynë më i madh është fakti se Serbia nuk po le rast pa shfrytëzuar për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës. Kjo ndërhyrje ka filluar me okupimin serb të Mitrovicës, të ndihmuar nga francezët dhe nga rusët, në kundërshtim të plotë me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Për pasojë kemi një ndarje ‘de facto’ të Kosovës. Tani, përmes bllokimit të procesit të privatizimit, është hequr edhe njëra ndër avantazhet e paktapër shqiptarët që do t’u mundësonte atyre punësimin. Duke e theksuar problemin e papunësisë në shkallën 70 për qind, në vendin në të cilin 70 për qind epopullsisë është e moshës nën tridhjetë vjeç, DioGuardi pyeti se si ishte e mundur të implementoheshin të gjitha standardet e vëna kusht nga OKB-ja,nëse privatizimi ngelet i bllokuar. Ai përmendi dhe e citoi Kongresmenin Henry Hyde, kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, i cili nëdhjetorin e vitit të kaluar tha publikisht në Menheten se: “Standardet para statusit janë qëndrim i gabuar si vënia e karrocës para kuajve, qëndrim i cili rrezikon të krijojë një Rrip të ri të Gazës, kësaj radhe mu në zemër të Evropës.”


Shirley Cloyes hapi diskutimin e saj duke iu referuar ankesave të paraqitura nga qeveria serbe në një gjykatë të Nju Jorkut, kundër OKB-së, UNMIK-ut dhe kundër Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit me qëllim të ndërprerjes së privatizimit të ish-ndërmarrjeve të Kosovës në pronësi shtetërore. Për shkak se AKM-së, për dallim nga Kombet e Bashkuara, i mungon imuniteti dhe rrjedhimisht ka frikë se mund të pasojnë ankesa të tjera nëpër vende të ndryshme, udhëheqësi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolas Lamsdorf dhe disa anëtarë të Bordit të Drejtorëve të AKM-së e bllokuan vazhdimin e mëtejmë të privatizimit më 7 tetor. Për pasojë, Cloyes tha: “Ekziston një kontradiktë e madhe të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta injorojë më. Në njërën anë, Shtetet e Bashkaura dhe Evropa insistojnë se Kosova duhet t’i përmbushë standardet e caktuara me qëllim që të arrihet statusi final, ndërsa në anën tjetër, përmbushja e këtyre standardeve është e pamundur në qoftë se progresi ekonomik nuk duket në horizont. Unë e di se Zyra Ligjore e Kombeve të Bashkuara mund të insistojë që privatizimi të vazhdojë dhe e di poashtu se Kombet e Bashkuara mund të marrin hua nga Banka Botërore në emër të Kosovës. Derisa të mos ndodh kjo gjë Kosova do të vazhdojë të ketë një ekonomi të varur nga ndihmat. Pjesa dërrmuese e kosovarëve janë duke mbijetuar falë ndihmës nga jashtë dhe falë bujarisë së diasporës. Mirëpo, shtrohet pyetja: çfarë do të ndodhë gjatë disa viteve në vijim, kur ndihmat do të shterojnë dhe kur komuniteti ndërkombëtar do të largohet nga Kosova? Në qoftë se Kosovës i mohohet e drejta për zhvillimin e ekonomisë së saj, nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të shohim privimin e të drejtave më themelore dhe madje edhe vdekjen nga uria. Shpresoj shumë se Kombet e Bashkuara do ta parandalojnë realizimin e këtij skenari.” Duke iu referuar përmbushjes së standardeve para statusit, Cloyes përmendi mungesën e sinqeritetit të qëllimeve të qeverisë amerikane dhe të vendeve të Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të projektuar për vitin 2005. Ndërlidhur më këtë ajo përmendi një deklaratë të Daniel Serverit (Daniel Serwer) në një të përditshme të Kosovës. Duke shfaqur habinë përse Beogradi kundërshtoi planin e Kombeve të Bashkuara për përmbushjen e standardeve, Server tha: “Mendoj se kushtet e vëna përmes këtij plani janë jashtëzakonisht të ashpra. Besoj se asnjë vend ballkanik nuk do të mund t’i përmbushte të gjitha këto kërkesa.”


Cloyes i përkujtoi ambasadorit Negroponte se kjo lloj deklarate shton frikën e Kosovës se standardet nuk do të mund t’i përmbushë kurrë dhe bashk me këtë nuk do të mund ta arrijë as pavarësinë e saj. Kur ta vërejë komuniteti shqiptar se pjesa dërrmuse e komunitetit ndërkombëtar vazhdon t’u përkulet kërkesave të Beogradit, që edhe pas vrasjes së Zoran Xhinxhiqit vazhdon të ngrihet mbi krimin e organizuar, kriminelët e luftës dhe nga anëtarët e elitës sunduese në Serbi, Kosova e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur t’i besojë procesit. Shqiptarët i kanë drejtuar sytë kah komuniteti ndërkombëtar që ky i fundit të udhëheqë e drejtojë fundin e politikave raciste të Serbisë, të cilat kanë çuar në një dekadë luftërash në Ballkan. Në qoftë se Kosova shtyhet drejt sundimit të sërishëm nga Serbia si një “model ekstrem” nuk ka njeri në Ballkan që do të mund të pohojë se konflikti mund të shmanget”, konkludoi Cloyes.


Agim Aliçkaj dhe Luan Bukolla, anëtarë të Bordit të Lidhjes Qytetare nga Kosova, e përforcuan këtë mendim edhe më tej. Bukolla e bëri të qartë se pas genocidit të Milosheviçit, Kosova kurrë nuk do të pranojë të kthehet nën sundimin e Serbisë. Aliçkaj tërhoqi vërejtjen nga rreziku që përbën ndërhyrja e Beogradit në Kosovë. Ruajtja e ‘Status quo’-s nga komuniteti ndërkombëtar po e shton shpresën e Beogradit për vënien e sërishme të Kosovës nën kontrollin e saj dhe shuarjen e shpresave të shqiptarëve për pavarësi. Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ua mbushin mendjen shqiptarëve se i pret një e ardhme jashtë Serbisë, zgjidhje nuk do të ketë kurrë,” tha ai.


Në vazhdën e këtij komunikimi të gjatë dhe të hapur, ambasadori Negroponte theksoi se njëra ndër çështjet më të mëdha të Ballkanit, që u gjend para komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara gjatë një dekade të tërë që e lamë pas, ende vazhdon “të zërë vend shumë prioritar në agjendën tonë”, pavarësisht përqendrimit të gjithanshëm në Irak dhe në Afganistan. Ai përmendi rëndësinë që kanë rezultatet që do të arrihen në Bosnje dhe në Kosovë, si dhe atë që po ngjet në Maqedoni, “për shkak të gjendjes politike atje”. Duke përmendur njohuritë dhe afërsinë me debatin mbi statusin final të Kosovës, ai pranoi se “Standardet para statusit kanë qenë mënyrë për shtyrjen e këtij diskutimi deri në një kohë të caktuar në të ardhmen, megjithëse duket se tani më kemi një ditë të caktuar për fillimin e këtyre bisedimeve.”


Ambasadori Negroponte kërkoi dhe mori konfirmimin e Lidhjes Qytetare se intervenimi i NATO-s “e shpëtoi Kosovën”, por se, natyrisht, nuk ishte dhe nuk është në pyetje vetëm mbijetimi i Kosovës”. Lidhur më këtë ai sqaroi shqetësimin e Lidhjes Qytetare. Pas gjithë asaj që ka përjetuar Kosova gjatë viteve të nëntëdhejta të shekullit të kaluar, ju keni shqetësimin se gjatë disa viteve të ardhshme komuniteti ndërkombëtar mund ta humbë interesimin, se situata mund të degjenerojë dhe se rrjedhimisht do të mund të përballeni me situatë të njëjtë që kërkon intervenim të sërishëm.” Ai përmblodhi bashkëbisedimin me Lidhjen Qytetare me fjalët: “Sërish ma keni ringjallur interesimin për Ballkanin” dhe më pas shprehu mirënjohjen dhe falënderimet se iu dha rasti të bisedonte me anëtarë të


Lidhjes Qytetare të njoftuar thellë me atë që po ngjet në Kosovë.


Pas takimit me ambasadorin Negroponte, ish-kongresmeni Gilman e dërgoi Lidhjen Qytetare për një vizitë në Kombet e Bashkuara dhe më pas në një takim me Hans Correll, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm për çështjet ligjore dhe avokat ligjor i Kombeve të Bashkuara. Gjatë këtij sesioni me Corell-in, që u mbajt me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, Lidhja Qytetare diskutoi për zhbllokimin e privatizimit dhe për votën e Parlamentit të Kosovës për shfuqizimin e ligjeve diskriminuese të miratuara pas vitit 1989. Lidhja Qytetare planifikon që disa anëtarëve të duhur të Parlamentit të Kosovës t’ua japë informatat e duhura, dhe, po kështu, për dijeni dhe zbatimin e tyre, UNMIK-ut, Bashkimit Evropian dhe Departamentit të Shtetit të SHBA.


Përktheu: Musli BAZHDARAJ

Recent Posts

See All
bottom of page